TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Prill 2026, 19:03

Mbyllen qendrat e votimit në Hungari, pjesëmarrje historike; priten rezultatet e para

Shkruar nga Pamfleti

Mbyllen qendrat e votimit në Hungari, pjesëmarrje historike; priten

Këto zgjedhja janë shoqëruar me një pjesmarrje rekord...

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Hungari. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00 sipas orarit të caktuar. Këto zgjedhja janë shoqëruar me një pjesmarrje rekord, ku sipas përditësimit të bërë në orën 18:30 kanë votuar 77.80 për qind e personave me të drejtë vote, ose 5,856,515 qyetarë. Përditësimi i pjesmarrjes për orën e fundit nuk është bërë ende, gjë që sugjeron se pjesmarrja mund të ketë kaluar shifrën e 80 për qind. Ndërkohë që disa qendra votimi mbeten ende të hapur për shkak të njerëzve të shumtë që presin në radhë. 

Mbyllen qendrat e votimit në Hungari, pjesëmarrje historike; priten
Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 18:30

Në vija të përgjithshme procesi i votimit është zhvilluar i qetë dhe nuk ka pasur raportime për incidente të mëdha, me përjashtim të një qendre votimi ku u raportua për bombë, por që më pas rezultoi alarm i rremë.

Procesi i numërimit të votave pritet të nisë menjëherë, ndërkohë që Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve (NVI) në Hungari ka deklaruar se brenda orës 20:00 rezultatet do të jenë publike për të gjithë.

Rezultatet paraprake pritet të dalin me përditësime çdo 10 minuta. Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve (NVI) do të fillojë njëkohësisht edhe procesin e hapjes së pothuajse 232,000 votave me postë të marra për zgjedhjet parlamentare dhe skanimin e fletëve të votimit.

Kujtojmë se në këto zgjedhje kishin të drejtë vote 7,527,742 qytetarë hungarezë. Nga të cilët votuan 5,856,515 qyetarë deri në orën 18:00. 

Në garë morën  pjesë vetëm pesë parti, më së paku parti pjesëmarrëse në zgjedhje që nga demokratizimi i Hungarisë më 1990, pasi disa parti janë tërhequr nga gara për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza, të udhëheqësit opozitar, Peter Magyar.

Mbyllen qendrat e votimit në Hungari, pjesëmarrje historike; priten
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas qyteteve

Sondazhet kanë sugjeruar se partia konservatore proevropiane e Magyarit, i cili ka premtuar ndryshim të sistemit,  do të dalë fituese ndaj partisë së Viktor Orbanit, Fidesz, por rezultati mbetet për t’u parë.

Vlen të theksohet se pjesmarja masive ka surprizuar analistët dhe sondazhistët në Hungari të cilët kishin parashikuar pjesmarrje të madhe por jo në këto shifra. Në vendet demokratike, pjesmarrja e lartë zakonisht do të thotë votë pozitive për opozitën, gjë që sugjeron rënien e Orbanit pas 16 vitesh në pushtet.

Orban, 62 vjeç, po synon mandatin e gjashtë radhazi. Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stagnimit ekonomik.

Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, u ka bërë thirrje hungarezëve “që të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE si dhe ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.

Orban në tubimet zgjedhore ka paralajmëruar që të mos vihet gjithçka në rrezik, duke bërë thirrje që të mbrohet ajo çfarë është arritur. Kryeministri hungarez e ka bërë Ukrainën temë kyç të fushatës së tij, duke e paraqitur këtë shtet fqinj, që po lufton kundër pushtimit të nisur nga Rusia, si shtet “armiqësor” ndaj Hungarisë./Pamfleti

Lini një Përgjigje