
Pas njoftimit të armëpushimit me Iranin, Izraeli duket se ka përqendruar operacionet e tij ushtarake në Libanin jugor, si dhe në zonat në veri të lumit Litani dhe në jug të lumit Zahrani.
Sulme janë raportuar në Khiam dhe Nabatieh, ndërsa goditje me pasoja fatale janë regjistruar edhe në zonat përreth Tyre dhe Qana.
Zhvillimi kryesor në terren mbetet përpjekja e ripërtërirë për të marrë kontrollin e Bint Jbeil, një qytet kufitar me rëndësi të veçantë strategjike dhe simbolike për të dyja palët. Bint Jbeil ka një peshë historike në konflikt. Në vitin 2000, ish-udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, mbajti aty një fjalim fitoreje. Ndërsa në vitin 2006, forcat izraelite u përballën me një pritë të organizuar nga Hezbollahu përmes rrjetit të tuneleve, duke pësuar humbje të konsiderueshme.
Bëhet me dije se ofensiva aktuale synon të zbehë vlerën simbolike që ky qytet ka për Hezbollahun. Sipas burimeve të sigurisë libaneze, trupat izraelite kanë marrë nën kontroll të gjitha hyrjet në qytet.
Pozicioni gjeografik i Bint Jbeil, në një terren të ngritur, i jep avantazh taktik forcave që e kontrollojnë atë. Qyteti shërben gjithashtu si një nyje logjistike për Hezbollahun, duke e bërë atë një objektiv me rëndësi të lartë për të dyja palët.
Lini një Përgjigje