Ish-oligarku dhe disidenti rus: Diktatori rus ka nevojë akute për një luftë të përhershme. Pas Ukrainës, ai do të sulmojë Evropën...
Mikail Kodorkovski buzëqesh shpesh ndërsa i përgjigjet pyetjeve nga zyra e tij elegante në zemër të Londrës. Sytë i shkëlqejnë me një farë ironie pas syzeve të holla me skelet çeliku.
Ai është dinak në përgjigjen që jep ndaj pyetjes qendrore të këtyre ditëve, duke u luhatur midis një optimizmi të kujdesshëm për negociatat dhe pesimizmit.
Donald Trump deklaron se ato nuk kanë qenë kurrë kaq pranë paqes. A e beson ai? Përgjigja është e prerë dhe e arsyetuar: “Jo”. Nuk ka ardhur ende koha. Putin do të tërhiqet vetëm përkohësisht, duke u përpjekur sërish për të depërtuar më thellë, pasi 4 vjet sulme ndaj Ukrainës nuk i kanë dhënë fitoren e pritshme.
“Vladimir Putin e ka braktisur prej kohësh pragmatizmin që karakterizoi vitet e para të pushtetit”- thotë kundërshtari i tij më i njohur, ende një figurë kyçe në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, Donbasi është për Kremlinin një çështje ideologjie, parimi dhe mbijetese. Propaganda
ka shkuar aq larg saqë nuk mund të tërhiqet më.
Në teori, të gjithë duan t’i japin fund luftës.
“Dhe realisht, ky është momenti ideal: administrata aktuale amerikane është shumë miqësore ndaj Moskës, dhe Evropa më e angazhuar se kurrë në bisedime. Por konflikti ka kaluar në një dimension tjetër. Tani as Zelenski nuk mund të heqë dorë nga asnjë territor, pa shkaktuar krizë të thellë institucionale dhe sociale në Ukrainë”- thotë ai.
Mikail Kodorkovski - ish-njeriu më i pasur i Rusisë, oligark i viteve 1990 që ndërtoi perandorinë e naftës Yukos - nuk lë asnjë hapësirë dyshimi. Përplasja me presidentin e çoi në një gulag: një dekadë vuajtjesh në burgjet siberiane, përpara migrimit të tij në Britani.
“Putini është si një kumarxhi tipik: ai pret gjithmonë sa t’i bjerë në dorë letra vendimtare. Këtë po bën tani edhe me Trumpin”- deklaron kundërshtari i Putinit. Megjithatë, ai mbetet në fund të fundit optimist: “Herët a vonë, lufta do të mbarojë. Sigurisht, mos ëndërroni paqen për Krishtlindje.
Por Putin po përballet me një ekonomi në prag recesioni, mungesë ushtarësh dhe fuqie punëtore. Ushtria e ka forcuar elitën, por ai nuk pëlqehet nga gjeneralët apo shtresat e larta që po pësojnë rënie në standardet e jetesës.
Mbështetja popullore është e fortë dhe rrethi i ngushtë i besnikëve po mbahet nën kontroll me grusht të hekurt. Megjithatë, as Putin nuk mund ta shtyjë pafundësisht kështu...”.
Kthehemi tek negociatat, samitet, udhëtimet e Zelenskit, rolin amerikan dhe përparimet e fundit. Sipas Kodorkovskit, Putin do të detyrohet të shkojë drejt kompromisit. Dhe kjo do të ndodhë ndoshta para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA (nëntorin e vitit të ardhshëm), të cilat mund ta dobësojnë Trumpin, aktualisht një aset kyç për Kremlin.
Teksa sovraniteti i Donbasit nuk negociohet si nga Moska ashtu dhe nga Kievi, rrugëdalja e vetme mbetet “zona e demilitarizuar” nën kontrollin ndërkombëtar, një pikë që është tashmë në tryezën e bisedimeve. “Përndryshe, nuk ka asnjë rrugë tjetër”- thotë disidenti rus.
“Ajo do të bëhej një tokë e askujt. Sigurisht mund të rindërtohet, mbrohet. Por kjo kërkon një prani të madhe ushtarake kundër avancimeve ruse. Evropianët dhe amerikanët nuk duan të zbarkojnë në terren. Garancitë e NATO janë vetëm në letër. Alternativa? Zonat e ndalim-fluturimit mbi to, do të ishin një pengesë e besueshme edhe për Moskën”- thotë Kodorkovski.
Në labirintin ukrainas, propozimet për paqe përplasen me historinë dhe ideologjinë, mbeten ende hapur një dritare shprese. Armët do të heshtin, biznesi do të rilindë: rindërtimi e tërheq Trumpin ndërsa projektet ekonomike mund ta rihapin Rusinë drejt Perëndimit.
Por armiku i betuar i Kremlinit, bën një paralajmërim të fortë për evropianët: “Putin i ka zgjidhur me sulme ushtarake 4 kriza të brendshme në 20 vitet e fundit: Çeçenia, Gjeorgjia, Krimeja, Ukraina. Pas kësaj lufte, sistemi rus do të përballet me një ristrukturim ekonomik-social. Pastaj ai do të krijojë sërish ‘armiqtë tek porta’ dhe ju evropianët jeni pikërisht aty, në kufijtë rusë...”.
Ndërgjegjësimi po rritet: shpenzime ushtarake në rritje, rikthim i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Figura të njohura, si për shembull kreu i forcave të armatosura në Britaninë e Madhe, Riçard Najton, paralajmërojnë: “Ne dhe fëmijët tanë duhet të përgatitemi për luftë me Rusinë!”. As Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute nuk fshihet: “Rusia mund të sulmojë një anëtar NATO brenda 5 viteve të ardhshme!”.
Kodorkovski hap krahët si një njeri i dorëzuar tashmë, si ai që ka ndier dikur mbi shpinë makinerinë perverse të dhunës: “Ju evropianët e keni humbur mentalitetin mbrojtës. Paqja 80-vjeçare është një ëndërr e bukur, por për luftëtarët është dobësi. Rusia e Putinit mund të ndalet vetëm përballë një Evropë të fortë e të bashkuar ushtarakisht. Mësojini të rinjtë tuaj që ta mbrojnë atdheun, madje edhe me armë. Ky nuk është nacionalizëm dhe as shkaktues konfliktesh, por vetëmbrojtje”.
Biseda jonë mbaroi pas një ore. Në fund e pyesim mbi pro-putinistët në Evropë, sidomos në ekstremin e djathtë.
Ai buzëqesh me ironi, ashtu si në fillim: “Pas Musolinit, Hitlerit apo Frankos, duket ashiqare që shumë prej jush e ndjejnë ende mungesën e ‘burrave të fortë”./ Përshtati "Pamfleti", nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje