Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur vendosjen e një tarife globale prej 15% mbi mallrat e huaja, duke rritur normën prej 10% që kishte njoftuar vetëm një ditë më parë.
Njoftimi i fundit u publikua në platformën Truth Social, ku Trump bëri të ditur se administrata e tij do të përcaktojë dhe zbatojë në muajt e ardhshëm tarifa të reja “ligjërisht të lejueshme”.
Vendimi vjen pas një zhvillimi të rëndësishëm juridik. Të premten, Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi me shumicë 6 me 3 se mënyra si presidenti kishte vendosur tarifat që nga prilli i vitit të kaluar ishte antikushtetuese. Gjashtë gjyqtarë argumentuan se tarifat tejkalonin kompetencat që Kongresi i kishte dhënë presidentit përmes një ligji të vitit 1977, i cili i lejon atij të rregullojë tregtinë në rast emergjencash kombëtare të shkaktuara nga kërcënime të huaja.
Pas këtij vendimi, Trump dhe ekipi i tij kërkuan një bazë tjetër ligjore për të ruajtur sistemin tarifor. Fillimisht, ai përdori Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 për të vendosur një tarifë globale prej 10%. Ky mekanizëm i jep presidentit mundësinë të aplikojë tarifa deri në 15% për një periudhë të kufizuar prej 150 ditësh. Të shtunën, Trump vendosi ta rrisë menjëherë normën në nivelin maksimal të lejuar prej 15%.
Megjithatë, kjo masë është e përkohshme dhe mund të zgjasë vetëm deri në 150 ditë. Në deklaratën e tij, presidenti theksoi se administrata do të shqyrtojë mënyra të tjera për të vendosur tarifa të reja pas përfundimit të kësaj periudhe.
Gjykata Supreme nuk u shpreh nëse qeveria do të duhet të rimbursojë tarifat e mbledhura sipas mekanizmit të mëparshëm, duke lënë të hapur një çështje me pasoja të mundshme financiare dhe politike.
Tarifat përbëjnë një element qendror të politikës ekonomike të Trump, i cili i ka përdorur ato si mjet presioni ndaj partnerëve tregtarë. Aftësia për të vendosur tarifa të larta dhe të menjëhershme ka qenë pjesë thelbësore e strategjisë së tij në raport me ekonomitë e tjera.
Situata mbetet e paqartë edhe për shkak të përjashtimeve të parashikuara. Sipas informacioneve paraprake, disa produkte, përfshirë ato bujqësore, çelikun dhe automjetet, mund të përjashtohen, por qeveritë e vendeve të ndryshme po kërkojnë sqarime zyrtare mbi zbatimin konkret të masës.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar pasigurinë në tregjet ndërkombëtare dhe kanë detyruar qeveritë në mbarë botën të rishikojnë strategjitë e tyre tregtare përballë një politike tarifore që po ndryshon me shpejtësi. /Sky News
Lini një Përgjigje