
Trump e ka zënë shah-mat Evropën, sepse kontinentit i mungojnë strategët dhe strategjitë afatgjata...
“Dhe a nuk jemi ne fajtorë për përçmimin fyes, duke e quajtur shahun thjesht një lojë? A nuk është ai një shkencë dhe një art, që qëndron pezull midis atyre kategorive, ashtu siç qefini i Muhamedit fluturonte midis qiellit dhe tokës, një lidhje unike midis palëve të kundërta: të lashta, por njëherazi përjetësisht të reja”.
Shkrimtari i famshëm gjerman Stefan Cvajg e kuptoi si duhet kompleksitetin strategjik të një loje, në të cilën vetëm përsëritja e lëvizjeve të njohura nuk të çon domosdoshmërish tek fitorja. Enigma ndryshon pas çdo lëvizje që bëni, por edhe pas kundërpërgjigjes së kundërshtarit tuaj.
Ky kuptim është një element qendror në novelën e tij “Loja mbretërore”, dhe ka një ndikim domethënës mbi momentin politik aktuale. Personazhet e Cvajgut, kanë një ngjashmëri të çuditshme me disa nga aktorët tanë gjeopolitikë. Historia e novelës së tij zhvillohet në një anije që udhëton nga Nju Jorku në Buenos Aires në vitet 1930.
Një nga pasagjerët, është kampioni në fuqi i botës në shah. Ai cilësohet si i pazhvilluar, gjysmë analfabet, e kundërta e intelektualit. Është një tip transaksional, i interesuar vetëm për para, por i pajisur me një talent veçantë: është në gjendje të fitojë lojërat e shahut, vetëm duke parë se çfarë po ndodh në fushë.
Personazhi tjetër, i kundërt me të është një intelektual i kulturuar, doktor B, në shumë mënyra një shahist më i mirë. Mjerisht, doktor B nuk ka luajtur asnjëherë me një kundërshtar të vërtetë. Ai e mësoi të luante shah nga një libër kur ishte në burg. Pasi kishte memorizuar të gjitha lojërat e detajuara në të, u përpoq që t’i luante ato në kokën e tij.
Kur të dy nisin të luajnë kundër njëri-tjetrit, doktor B mundohet jo pak nga kampioni i botës, me lëvizjet e tij irrituese dhe të paparashikueshme. Ai nuk po luan sipas formulave ka mësuar përmendësh doktori, dhe në mënyrë të pashmangshme ky i fundit e humb lojën.
Çfarë po përpiqet të na thotë Cvajgu me këtë novelë? Që të triumfosh në shah, kërkon durim dhe të dish të presësh. Pra kjo lojë s’ka të bëjë vetëm me logjikën. Ka njerëz që përpiqen të luajnë intelektualisht, që kanë aftësinë të mësojnë përmendësh lojëra të tëra dhe më pas përpiqen t’i përsërisin ato.
Por pastaj ndeshen me gjeni intuitivë si antiheroi i Cvajgut, i cili nuk ka memorizuar asgjë: ai thjesht di të shfrytëzojë dobësitë mendore të kundërshtarit të tij. A ju kujton dikë? Kam dëgjuar që Donald Trump të përshkruhet si i pashkolluar. Se ai nuk e kupton historinë evropiane, dhe ngatërron detaje shumë të rëndësishme, si për shembull kush e filloi luftën në Ukrainë.
Se nuk e vret mendjen, edhe kur sheh se ka gabuar. Kur shprehu formalisht keqardhjen për deklaratën e tij se BE-ja u themelua “vetëm për ta shkatërruar SHBA-në”, ai kërkoi ndjesë vetëm për atë që e përshkroi si një “fjalë të keqe”. Por unë mendoj se është një humbje kohe të përpiqemi të kontrollojmë vërtetësinë e fakteve mbi ato që thotë.
Ajo që duhet të bëjmë ne evropianët, është të përpiqemi të parashikojmë lëvizjen e tij të ardhshme. Por për fat të keq duket se kemi një paaftësi institucionale për të menduar dy hapa përpara. Rrjedhimisht, nuk po shtojmë pyetjet e rëndësishme, si për shembull çfarë aftësish i duhen Ukrainës për ta fituar luftën?
Kush janë pengesat, dhe si mund t’i heqim ato? Cilat janë skenarët e fundit të lojës? Cili do të ishte një rezultat i dytë më i mirë i pranueshëm? Çfarë do të thotë të fitosh apo të humbësh? Në vend të lojës strategjike, ne evropianët kemi parime. Duam që Rusia të dëbohet nga të gjitha territoret e pushtuara në Ukrainë.
Madje disa do të donin të shihnin ndryshimin e regjimit në Kremlin. Por duam që këtë ta nxisë dikush tjetër. Duke mos qenë strategjikë, nuk kemi investuar në mbrojtje. Dhe kjo do të thotë se askush nuk ka një përgjigje të zgjuar ndaj pyetjes se çfarë do të ndodhte nëse një Putin i vënë me shpatulla pas murit, do të zgjidhte përdorimin e armëve bërthamore?
Tek e fundit, ky skenar u konsiderua i besueshëm nga CIA në vitin 2022. Është gati e sigurt se ai nuk të niste një sulm bërthamor të gjithanshëm. Por sikur të shpërthente një bombë bërthamore nënujore në Detin Baltik, afër bregut të një shteti anëtar të NATO-s? Deti Baltik është shumë i cekët. Një shpërthim bërthamor mund të shkaktojë një cunami.
Izotopet radioaktive të lëshuara nga një shpërthim bërthamor, mund të ndotin rajonet bregdetare. Do të kishte një rrjedhje të madhe radioaktive në ajër. Ky është vetëm një nga skenarët e shumtë të përshkallëzimeve të ndërmjetme, për të cilat nuk kemi përgjigje.
Në vend të kësaj, udhëheqësit tanë përsërisin parullën se do të bëjnë “çfarëdolloj gjëje që nevojitet” për ta ndihmuar Ukrainën të mposhtë Rusinë. Kjo shprehje tashmë në modë u përdor për herë të parë nga Mario Draghi, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane. Por ai e përdori atë si një kërcënim të besueshëm kundër spekulatorëve.
Megjithatë ajo që funksionoi aq mirë në financa, nuk bën të njëjtën gjë në luftë. Kur jeni të përfshirë në një luftë, jeni subjekt i të gjitha llojeve të kufizimeve, fizike, njerëzore, financiare dhe politike. Kjo është ajo që do të thotë të jesh në një demokraci: nuk mund të bëjmë çfarëdolloj gjëje që duhet.
Megjithatë si lojtarë jo strategjikë, udhëheqësit evropian u solidarizuan me Zelenskyn pas asaj që ndodhi me Trump në Zyrën Ovale. Por qëndrimi i paqartë nuk është një strategji. Unë nuk kam parë ende ndonjë qëllim strategjik pas çdo veprimi që kanë bërë evropianët 2 javët e fundit, përfshirë Starmer.
Gjithçka kanë bërë, përfshirë vendimin e Friedrich Merz për të përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat fiskale kushtetuese të Gjermanisë, ka qenë rezultat i lëvizjes së parë të Trump. Ata nuk po e presin lëvizjen e tij të dytë. Ndërkohë Trump, është një strateg intuitiv dhe transaksional.
Ai e takua me Zelensky dhe arriti në përfundimin se presidenti ukrainas nuk ishte gati për paqe. Ai anuloi menjëherë ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke fikur satelitët amerikanë dhe duke ndaluar ndarjen e të hënave të inteligjencës. Evropianët vazhdojnë të shprehin tronditje dhe shqetësim për çdo lëvizje të Trump.
Por nëse e shihni situatën thjesht nga këndvështrimi strategjik, veprimet e tij s’duhet të jenë të papritura. Sigurisht, ai e di se çfarë do që të ndodhë më pas. Dhe ka shumë më tepër hapësirë për ta përshkallëzuar kursin aktual. Ai mund të pezullojë ndarjen e inteligjencës për NATO-n.
Mund të tërheqë trupat amerikane nga Evropa Lindore, heqë dorë nga përkushtimi ndaj klauzolës së mbrojtjes kolektive të Nenit 5, me arsyetimin se SHBA-ja i kishte paralajmëruar evropianët të mos përfshiheshin në një luftë me prokurë kundër Rusisë. Po ashtu, mund të fillojë tërheqjen e trupave nga Evropa Perëndimore.
Ai mund t’i paralajmërojë qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë në Evropë dhe të japë alarmin për investitorët. A ka menduar ndonjë lider evropian se si t’i përgjigjet ndonjërit prej këtyre hapave të mundshëm përshkallëzues? A do shohim më shumë veprime sesa vetëm disa fotografi me Zelenskyn?
Ku kanë shkuar të gjithë mendimtarët tanë të mëdhenj strategjikë evropianë? Sigurisht që nuk janë në politikë. Dhe as në gazetari. Në vend të strategjive, ne tani flasim pafund për marrëdhëniet. Cvajgu e shkroi novelën e tij në vitin 1941, jo shumë kohë përpara se të kryente vetëvrasje, dhe kur nazistët pushtuan gati gjithë Evropën.
Ai e dinte se çfarë i kishte bërë Evropës mungesa e strategjisë. Historia e tij e shahut, përfaqësonte atë që po luhej në politikën globale teksa po përplaseshin forcat kundërshtare: rendi i vjetër u mposht nga i riu. Sot po ndodh përsëri dhe Evropa është e paralizuar. /Përshtati “Pamfleti” nga “Unherd”/
Lini një Përgjigje