TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2025, 21:23

Senatorë dhe kongresmenë republikanë po kërcënohen me vdekje që të mos i dalin kundër Trump-it!

Shkruar nga Boris Muñoz

Senatorë dhe kongresmenë republikanë po kërcënohen me

Sociologu i njohur amerikan Larry Diamond, thotë se Trump dëshiron që të gjithë t’i përkulen vullnetit të tij perandorak. Sipas tij, SHBA është në hapat e para drejt autokracisë...

Erërat e rënies së demokracive, nisën të fryjnë shumë kohë më parë. Shumica e qeverive demokratike po festonin ende globalizimin e pas Luftës së Ftohtë dhe Shtetet e Bashkuara ndoqën misionin e tyre për të demokratizuar Lindjen e Mesme - duke filluar nga Iraku- qoftë edhe me çmimin e një lufte të pajustifikuar.

Larry Diamond, 73 vjeç, sociolog i Universitetit të Stanfordit dhe ekspert i autoritarizmit, ishte ndër të paktët që vuri re ngritjen e një brezi të ri liderësh populistë. Figura si Hugo Chavez, Viktor Orbán dhe deri diku Vladimir Putin, po shfrytëzonin proceset demokratike për të gërryer vetë demokracinë, duke e konsoliduar pushtetin e madh brenda degës ekzekutive.

E ashtuquajtura “autokraci elektorale”, nuk ishte as e izoluar dhe as e rastësishme. Kishte një model strategjish jo liberale dhe emërues të përbashkët, një manual të cilin Diamond e quajti “programi 12 hapash i autokratit”. Kjo çështje u debatua ethshëm midis akademikëve, të cilët diskutuan koncepte si regjimet hibride dhe autoritarizmin konkurrues.

Por ndërsa virusi autoritarist, nuk kishte infektuar ende demokracitë e mëdha të Perëndimit, pak prej tyre e morën seriozisht kërcënimin. Më pas, Donald Trump u ngjit në pushtet në kombin më dominues ekonomikisht, teknologjik dhe ushtarak në botë...

Që nga kthimi i Trump, ka pasur një shqetësim të madh mbi demokracinë në SHBA. Paul Krugman flet për një auto-grusht shteti; të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara po “bëhen si regjimet amerikano-latine”. Në librin tuaj “Erërat”, ju e paralajmëruat rënien e demokracisë në SHBA. A jeni i shqetësuar për atë që po ndodh?

Jam shumë i shqetësuar. Tashmë kemi hyrë në fazat e hershme të një krize kushtetuese, që me siguri do të përkeqësohet akoma më tej. Trump aspiron të jetë një sundimtar autoritar, të zhdukë  kontrollet dhe ekuilibrat, të dobësojë dhe të frikësojë psikologjikisht opozitën dhe kritikën, dhe të dominojë peizazhin politik, njëlloj si Orban në Hungari, Erdogan në Turqi dhe Modi në Indi.

Ju thoni se demokracia amerikane po shkërmoqet…

Nuk mendoj se ka marrë fund, por është e jashtëzakonshme shpejtësia me të cilën Trump po ecën drejt krijimit të një pushteti presidencial absolut, dhe për të dobësuar dhe madje eliminuar agjencitë e autorizuara nga Kongresi, gjë që ai nuk ka autoritet ta bëjë sipas Kushtetutës. Pra po shkel ligjin, normat dhe procedurat demokratike. Gjykatat kanë lëshuar urdhra, dhe në raste të caktuara ai po i injoron ato.

Pra a ka mbërritur fashizmi në Shtetet e Bashkuara, apo është rrugës?

Tani për tani, jemi në fazat e hershme të një projekti dhe një lëvizje autoritare tejet shqetësuese.  Në ideologjinë, organizimin, mentalitetin dhe aspiratën e lëvizjes MAGA, ka elemente të fashizmit. Por nëse thjesht përdorim emërtimin “fashist”, ai mund të bëhet refleksiv, johistorik, i pasaktë dhe polarizues.

Si u përhap vala autoritare në Shtetet e Bashkuara?

Rënia ka nisur që në vitin 2006. Ai vit e përmbysi prirjen që kishte ekzistuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë, në vitet 1990-2005, kur shumë më tepër vende ishin të lira se autokratike. Gjatë këtyre 19 viteve, ne kemi parë një model klasik të prapësimit të demokratike. Një president zgjidhet në mënyrë legjitime përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më pas, ai mendon se pushteti që i ka dhënë kushtetuta e vendit, me kontrollet dhe balancat dhe kufizimet e saj, nuk është i mjaftueshëm. Ndaj nis procesin e reduktimit të lirisë për të gjithë aktorët e pavarur në shoqëri.

Trump po e përshpejton procesin autoritar…

Ai po lëviz shumë shpejt. Ka një projekt shumë më ideologjik se herën e kaluar. Quhet Teoria e Ekzekutivit Unitar, e cila mund të emërtohet edhe si teoria e presidencës perandorake. Ajo thotë se presidenti mund të bëjë çfarë të dojë, se zotëron dhe kontrollon të gjithë qeverinë federale, se  në burokraci s’mund dhe s’duhet të ketë asnjë aktor të pavarur.

Që të gjithë, në të gjithë shtetin administrativ që ai e urren, duhet të tregojnë një besnikëri absolute personale dhe politike ndaj tij. Tani Trump po i kërcënon republikanët në Senat dhe Kongres, për besnikërinë e të cilëve ka dyshime. E kam fjalën për kërcënimet me vdekje që po marrin anëtarët e Kongresit, të cilat janë shtuar dy vitet e fundit.

Për çfarë kërcënimesh po flisni?

Disa republikanë në Kongres dhe disa zyrtarë zgjedhorë, janë të shqetësuar për sigurinë e tyre fizike. Nuk mund ta kuptoni fashizmin, nëse nuk kuptoni rolin e kërcënimit me dhunë fizike në frikësimin e njerëzve dhe pamundësimin e rezistencës së tyre. Trump ua ka hequr mbrojtjen e Shërbimit Sekret njerëzve që e kanë hetuar në administratën e kaluar. Ai po u dërgon një paralajmërim, tamam si një bos mafioz.

Ju e përdorni shpesh fjalën “perandor” për të.  Mendoni se qëllimi përfundimtar është të bëhet një Ju Çezar?

Ai dëshiron të jetë diktator për 4 vjet, dhe do donte të vazhdonte edhe më tej. Por nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Nuk ka shanse që të kalojë ndryshimet kushtetuese që synon. Projekti i tij afatgjatë do përballet me shumë sfida. Por tani për tani, mund të bëjë shumë dëme. /Përshtati “Pamfleti” nga “El Pais”/

 

 

Lini një Përgjigje