TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2025, 14:54

Pasojat dramatike të anti-amerikanizmit që po nxit kudo në botë Donald Trump

Shkruar nga Adrian Wooldridge
Pasojat dramatike të anti-amerikanizmit që po nxit kudo në
Donald Trump

Të jetosh sot me Amerikën, është si të jetosh me një adoleshent me sjellje të keqe që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe që mendojnë se ka zgjidhur misteret e Universit.

Administrata Trump po rrit shumë një forcë të fuqishme në çështjet globale: anti-amerikanizmin. Kanadezët kanë filluar të tallen me himnin kombëtar amerikan, ndërsa panamezët po djegin flamujt e SHBA. Tabloidët britanikë po sulmojnë gati çdo ditë zv/presidentin J.D.Vance për shkak të fyerjeve të tij ndaj trupave britanike.
Gjatë një parade karnavalesh në Dusseldorf të Gjermanisë, u shfaq imazhi karikaturesk i

Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke shtrënguar duart midis tyre dhe shtypur me këmbë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Një nga parullat shkruante “Pakti Hitler-Stalin 2.0”.

Në SHBA, e përditshmja Washington Post ka botuar një udhëzues se si amerikanët të shmangin sulmet fizike jashtë vendit. (“Vishuni në mënyrë neutrale, jo me simbole patriotike”). Pra nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë anti-amerikan. Trump mishëron gjithçka që kritikët e SHBA-së kanë paralajmëruar gjithmonë, por e shumëfishuar disa herë.

Arroganca e amerikanëve? Ai dhe Vance bullizuan në Zyrën Ovale, udhëheqësin e një kombi të viktimizuar nga agresioni i presidentit rus. Imperializmi amerikan? Trump u mburr para një Kongresi që e brohoriste vazhdimisht, se “në një mënyrë a tjetrën” do ta marrë Grenlandën nga Danimarka.

Paaftësia e amerikanëve? Tarifat e Trump po destabilizojnë tregjet globale të aksioneve dhe dëmtojnë ekonominë e vendit të tij. Një sondazh i YouGov i publikuar më 4 mars, tregon se ndjenjat pozitive ndaj SHBA-së, kanë rënë nga 6 deri në 28 për qind kur Trump u zgjodh sërish president.

Rënia më e vogël (nga 48 në 42 për qind) është në Itali. Më e madhja (nga 48 në 20 për qind) është në Danimarkë, ku është logjike që njerëzit janë të mërzitur nga qëllimi i tij për të aneksuar një pjesë të territorit të tyre. Aktualisht, nuk ka një vend në Evropë, ku më shumë se gjysma e popullsisë të ketë një ndjenjë pozitive për SHBA-në.

Dhe këto shifra ka të ngjarë të përkeqësohen ndjeshëm me fillimin e dëbimit masiv të emigrantëve, dhe kur tarifat të rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë globale. Por a ka diçka më shumë që e nxit rritjen e anti-amerikanizmit sesa vetëm anti-Trumpizmi? Unë mendoj se po.

Ka një armiqësi në rritje ndaj entuziazmit të Amerikës mbi peshën e saj politike dhe kulturore.

Të jetosh sot me Amerikën, është si të jetosh me një adoleshent me sjellje të keqe që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe që mendojnë se ka zgjidhur misteret e Universit.

Eksporti i fundit i madh kulturor i Amerikës përpara se Trump të fitonte zgjedhjet, ka zemëruar njerëzit në të djathtë dhe në qendër me përdorimin si armë të tensioneve kulturore. Faqet e saj të mediave sociale - veçanërisht Facebook dhe X, dikur Twitter - po shihen gjithnjë e më shumë si agjentë të ndarjes dhe shpërqendrimit sesa, siç donin ta quanin dikur veten, krijues të një fshati global.

Po ashtu, nuk ka pasur kurrë një kohë më të keqe për të qenë pro-amerikan. Mbrojtësit e SHBA-së i kanë bërë vazhdimisht avokaturën (dhe i kanë shfajësuar dështimet e saj) me tre arsye: që si fuqia më e madhe në botë, SHBA-ja ofron stabilitet dhe siguri; si demokracia liberale kryesore në botë, e mbron dhe përhap demokracinë liberale në mbarë botën; dhe së fundmi që ajo është një motor i kapitalizmit të tregut të lirë.

Por edhe këto justifikime po bien. Sepse SHBA-ja po bëhet një burim i paqëndrueshmërisë globale. Kryesisht për shkak të sjelljes së Trump, por edhe të lëkundjes mes ekstremeve (nga promovimi i demokracisë nga George W.Bush tek izolacionizmi i Trump).

Politika e brendshme e Amerikës, është sot ka1 kaotike, saqë e bën atë një partnere afatgjatë jo të besueshme, pavarësisht se kush drejton në Shtëpinë e Bardhë. Nën Trumpin, SHBA-të po bëjnë aleat kryesor armikun më të madh në botë të demokracisë liberale, Putinin, dhe po nxisin shumë paqëndrueshmëri në tregjet globale.

Gjatë valës së fundit të anti-amerikanizmit në kohën e administratës Bush (2001-2009), pro-amerikanët të paktën kishin diçka për të cilën të luftonin: idenë se SHBA-ja po rrëzonte një diktator të egër dhe po përhapte demokracinë në Lindjen e Mesme. Por sot për çfarë mund të luftojnë?

Askush jashtë SHBA-së nuk i pranon tarifat e saj tregtare. Dhe askush jashtë boshtit të vendeve autokrate, nuk e mbështet politikën e jashtme të Trumpit. Edhe njerëzit që sillen formalisht mirë me Trump, si kryeministri i Britanisë Keir Starmer, e bëjnë këtë duke shtërnguar dhëmbët.

Nëse Trump vazhdon me aktet e tij konfliktuale si 7 javët e para të mandatit të dytë, anti-amerikanizmi ka të ngjarë të jetë shumë transformues në politikën e brendshme evropiane dhe ndërkombëtare. Madje sjellja e presidentit amerikan, po e dobëson mbështetjen që gëzonte deri vonë nga politikanët populistë në vende të ndryshme evropiane.

Nigel Farage, lideri i Partisë Reformuese të Britanisë, dhe një njeri që e cilësonte veten si miku  i mirë i Trumpit në Mbretërinë e Bashkuar, është tërhequr tashmë nga deklarata e tij se Zelensky ishte “i pasjellshëm” me Trump, duke i cilësuar si “shumë të gabuara” deklaratat e Vance për trupat britanike.

Si partia laburiste ashtu edhe partia konservatore, mendojnë se afërsia e Farage me Trump mund të jetë një problem elektoral për partinë e tij. Partia Konservatore Kanadeze, e cila prej 2 vitesh ka pasur një epërsi të madhe në sondazhe ndaj liberalëve të kryeministrit Justin Trudeau, ka parë që ky avantazh të bjerë që nga janari.

Dhe tani fitorja e tyre në zgjedhjet e tetorit, nuk është më e sigurt siç mendohej deri disa javë më parë. Një nga arsyet pse fuqitë e mëdha të arsyeshme e paraqesin veten si mbrojtëse dashamirëse të rendit global, është pengimi i bashkimit kundër tyre të fuqive më të vogla. Amerika e Trump ka vendosur të bëjë të kundërtën.

Fuqitë perëndimore po krijojnë aleanca që përjashtojnë (ose të paktën nuk përfshijnë) SHBA-në. Bashkimi Evropian, dhe sidomos Gjermania, ka filluar të marrë në duart mbrojtjen e saj, pas dekadash sjellje pasive. BE-ja ka arritur marrëveshje tregtare me Amerikën Latine dhe Malajzinë, dhe ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi me Kanadanë dhe Kinën. Një numër aleatësh e konsiderojnë sot SHBA-në sipas fjalëve të politologut Michael Beckley si “një superfuqi mashtruese, si një gjigant merkantilist, që është i vendosur të përvetësojë çdo gramë pasuri  dhe fuqi nga pjesa tjetër e botës”.

Ndërsa Amerika po i dobëson aleancat e epokës së pas Luftës së Dytë Botërore, boshti i vendeve autokrate po bën të kundërtën. Rusia dhe Kina, kanë premtuar miqësi të qëndrueshme midis tyre. Ato që dikur quheshin fuqi të paangazhuara, janë në radhë për t'u bashkuar me grupin BRICS të vendeve të tregjeve në zhvillim.

SHBA-ja nuk mund të supozojë më, se fuqitë e tjera liberale do të rreshtohen automatikisht në anën e saj për shkak të interesave dhe kulturës së përbashkët. Dhe as që mund të supozohet se në përplasjen e madhe, fuqitë e paangazhuara do të zgjedhin Amerikën mbi Kinën.

Tani “xhindi” i anti-amerikanizmit, jo vetëm që ka dalë nga shishja, por po i bën dëm të madh interesave afatgjata të vendit. Edhe nëse Trump do dëshmohet si një lajthitje e përkohshme, siç duket gjithnjë e më e mundshme, ndërsa po përhapet si brenda dhe jashtë vendit neveria ndaj politikave të tij, SHBA-së do t’i duhen shumë vite për të rifituar besimin e botës së lirë./ Përshtati "Pamfleti" Nga  “Bloomberg”

Lini një Përgjigje