Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se studentët e juridikut kanë të drejtë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, nëse e kërkojnë një gjë të tillë.
Sipas tij, Ligji për përdorimin e gjuhëve e rregullon qartë këtë çështje dhe nuk lë hapësirë për interpretim tjetër. Mickoski theksoi se çdo kërkesë për dhënie të provimit në shqip duhet të pranohet nga institucionet përkatëse.
“Ligji për gjuhët është i qartë në këtë rast. Nëse dikush kërkon dhënien e provimit në shqip, duhet t’i lejohet”, deklaroi Mickoski.
Kjo deklaratë vjen pasi studentët e Fakultetit Juridik dorëzuan një peticion në disa institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin dhe Qeverinë, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se Ligji për Provimin e Jurisprudencës aktualisht parashikon zhvillimin e tij vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo mospërputhje mes ligjeve ka nxitur debate politike, përfshirë edhe përplasje mes partive shqiptare në pushtet dhe opozitë.
Çështja mbetet e hapur për zgjidhje institucionale, ndërsa studentët presin një përgjigje konkrete mbi realizimin e kërkesës së tyre.
Lini një Përgjigje