Kroacia ka vendosur të qëndrojë jashtë nismës së re diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri Andrej Plenkoviç deklaroi të mërkurën se vendi i tij nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes”, strukturë e propozuar nga Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
“Pas një analize të plotë, qëndrimi i qeverisë është se aktualisht Kroacia nuk do t’i bashkohet ‘Bordit të Paqes’ për shumë arsye”, u tha Plenkoviç gazetarëve, pa dhënë detaje mbi arsyet konkrete që qëndrojnë pas këtij vendimi.
Sipas njoftimeve zyrtare, Kroacia ishte ftuar të merrte pjesë në këtë bord, i cili, në fillim, synonte të kontribuonte në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Rripin e Gazës. Megjithatë, siç bëjnë me dije kritikët e nismës, ambiciet e Bordit të Paqes janë zgjeruar ndjeshëm, duke synuar të veprojë në konflikte të ndryshme anembanë globit, një qasje që shumë diplomatë evropianë e shohin si konkurrencë të drejtpërdrejtë me rolin e Kombeve të Bashkuara.
Vetë Plenkoviç ka qenë i kujdesshëm më herët në deklaratat e tij, duke e lidhur vendimin për pjesëmarrje me nevojën për një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Evropian mbi këtë nismë. Qeveria e Zagrebit pritet të ndjekë linjën zyrtare të BE-së, e cila ende nuk ka marrë një pozicion të qartë për “Bordin e Paqes”.
Lini një Përgjigje