TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2026, 11:12

Koha për një aleancë ndryshe/ NATO në krizë, presioni i Trump rrezikon ekzistencën

Shkruar nga Pamfleti
Koha për një aleancë ndryshe/ NATO në krizë, presioni i
Samiti i NATO-s

Për të përballuar presionin nga SHBA, aleanca duhet të transformohet shpejt

A mund të shpëtohet NATO? Kjo është një pyetje që më është bërë gjithnjë e më shpesh që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka filluar të denigrojë vazhdimisht aleancën dhe të kërcënojë madje me tërheqje prej saj.

Përgjigjja ime është: po. Por jo e njëjta NATO që kemi njohur gjatë 77 viteve të fundit. Për të mbijetuar përballë sulmeve të kritikave nga SHBA, duhet të krijohet një aleancë shumë ndryshe dhe shpejt.

Një pjesë e armiqësisë së presidentit amerikan ishte e pritshme. Trump ka kritikuar aleancat e sigurisë së SHBA-së për dekada, që nga intervista e tij e njohur në Playboy në vitin 1990, kur u kërkoi aleatëve të paguanin për sigurinë që u ofronte Amerika. Si biznesmen i pasurive të paluajtshme, ai e ka parë gjithmonë barrën e aleancave si më të madhe se përfitimet, dhe kjo qasje ka mbetur e njëjtë edhe si president.

Në vitin 2017, ai hyri në Shtëpinë e Bardhë duke e quajtur NATO-n “të vjetëruar”. Kohët e fundit, ai e ka cilësuar atë “tigër prej letre” dhe “të padobishme”. Me aleatët që refuzojnë t’i bashkohen sulmit të tij ndaj Iranit, madje disa prej tyre duke i mohuar SHBA-së përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave ushtarake, presidenti ka shkuar edhe më tej.

Për Trump, lufta me Iranin ishte një test për NATO-n dhe ajo dështoi. “Do ta mbajmë mend”, tha ai, duke këmbëngulur se “ne do t’u vijmë në ndihmë, por ata nuk do të na vijnë kurrë neve”. I pyetur nëse do të konsideronte tërheqjen nga aleanca, ai u përgjigj se kjo çështje ishte “përtej rishqyrtimit”.

Megjithatë, shumë komentues supozojnë se Trump nuk mund ta realizojë këtë kërcënim pa miratimin e Kongresit. Një ligj i vitit 2023, i bashkësponsorizuar nga senatori i atëhershëm dhe sekretari aktual i shtetit Marco Rubio, e ndalon presidentin të tërhiqet nga NATO pa një votë prej dy të tretash në Senat ose një ligj të miratuar nga Kongresi. Asnjëra nuk duket e mundshme.

Megjithatë, kushtetutshmëria e këtij ligji është e diskutueshme. Presidentët kanë dalë nga traktate edhe më pare, përfshirë George W. Bush, i cili u largua nga Traktati Anti-Raketor në vitin 2002 dhe vetë Trump nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme në vitin 2019. Dhe nëse Kongresi do ta padiste presidentin për një tërheqje nga NATO, është pak e mundshme që Gjykata e Lartë të vendoste kundër tij në ushtrimin e kompetencave ekzekutive.

Për më tepër, edhe pa një tërheqje formale, Trump ka shumë mënyra për ta dobësuar NATO-n nga brenda.

Së pari, deklaratat e tij negative, përfshirë akuzat e rreme se aleatët nuk do ta mbronin kurrë Amerikën, kur në fakt të gjithë e bënë këtë me kosto dhe sakrifica të mëdha pas 11 shtatorit, tashmë vënë në pikëpyetje angazhimin e tij ndaj mbrojtjes kolektive.

Ai gjithashtu mund të urdhërojë reduktimin e trupave dhe kapaciteteve në Europë, të tërheqë ushtrinë amerikane nga struktura komanduese e NATO-s, përfshirë postin më të lartë, që është mbajtur nga një oficer amerikan që nga viti 1950, dhe të refuzojë pjesëmarrjen në vendimmarrje, duke bllokuar çdo vendim që kërkon konsensus.

Sa i përket Nenit 5, i cili përcakton se një sulm ndaj një aleati konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, ai gjithashtu thekson se secili vend vendos vetë për veprimet që do të ndërmarrë. Edhe dërgimi i pajisjeve minimale, si helmeta apo pajisje shikimi natën, mund të përmbushë këtë detyrim në kuptimin formal.

Me fjalë të tjera, ekzistojnë shumë mënyra për të gërryer NATO-n ose të paktën angazhimin amerikan ndaj saj. Kjo është realiteti me të cilin përballen aleatët e SHBA-së.

Ata janë përpjekur ta bindin Trump-in për rëndësinë e NATO-s, si për ta, ashtu edhe për vetë SHBA-në, përmes diplomacisë, rritjes së shpenzimeve dhe kontakteve të shpeshta. Por këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat.

Për rrjedhojë, aleatët përballen me tre zgjedhje: të presin një president tjetër amerikan, të ndërtojnë një mbrojtje të pavarur europiane jashtë NATO-s, ose të reformojnë vetë aleancën. Opsioni i dytë, sipas autorit, është i pamjaftueshëm për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme.

Zgjidhja mbetet një NATO e re. Aleanca aktuale është e drejtuar dhe e strukturuar rreth SHBA-së, e cila përbën shtyllën kryesore ushtarake, inteligjente dhe diplomatike. Zëvendësimi i këtij roli nuk është i lehtë, por është i mundur.

Europa dhe Kanadaja kanë burime, përvojë ushtarake dhe kapacitete industriale për të marrë një rol më të madh. Ato kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen, po forcojnë prodhimin ushtarak dhe po zhvillojnë bashkëpunime të reja, përfshirë me Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, janë krijuar iniciativa plotësuese si Forca e Përbashkët Ekspedicionare e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, programet e Bashkimit Europian për prokurime të përbashkëta dhe diskutimet e Francës për shtrirjen e parandalimit bërthamor.

Megjithatë, ndërtimi i kapaciteteve kërkon vite, jo muaj. Shpejtësia e këtij transformimi do të varet edhe nga niveli i bashkëpunimit me SHBA-në.

Në përfundim, Daalder argumenton se një NATO më europiane është e pashmangshme. Edhe pse kjo ndryshim është nxitur nga një president amerikan kritik ndaj aleancës, në afatgjatë mund të rezultojë në një NATO më të fortë dhe më të qëndrueshme. /Përshtatur nga Politico/

 

nato trump aleanca

Lini një Përgjigje