TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2026, 09:52

Atentati si rutinë presidenciale: Pse e treta ndaj Trumpit nuk po ngjall më efektin e dikurshëm?

Shkruar nga Edward Luce

 Atentati si rutinë presidenciale: Pse e treta ndaj Trumpit nuk po ngjall

Përpjekja e tretë për atentat brenda dy viteve dëshmon për një klimë tejet të tensionuar në SHBA, mirëpo këtë herë mungesa e rrezikut real dhe rënia e popullaritetit nën 40 për qind e bëjnë të vështirë përkthimin e ngjarjes në simpati elektorale.

Një tjetër sulmues me armë, një tjetër përballje që ngjan me një shmangie të dytë nga fati. Edhe në një vend me një histori të zymtë të dhunës politike, Donald Trump duket se tërheq më shumë se kushdo tjetër pjesën e tij të atentatorëve të mundshëm.

Në çastin kur u shoqërua me shpejtësi drejt Shtëpisë së Bardhë, i larguar me urgjencë nga darka vjetore e korrespondentëve të medias, Trump shfaqi një gjendje pothuajse rutinore. Para një audience mediatike të veshur me elegancë, ai deklaroi se kishte studiuar historinë e atentateve, duke arritur në përfundimin se vetëm figurat më madhore, si Abraham Lincoln, bëhen shënjestra të tilla. “Më vjen keq ta them, por ndihem i nderuar për këtë. Kam bërë shumë”- u shpreh ai.

Megjithëse të shtënat masive janë pjesë e realitetit të përditshëm amerikan - si tragjedia e javës së kaluar në Luiziana ku mbetën të vrarë 8 fëmijë, një ngjarje që u pasqyrua shkurtimisht në lajme - presidenti i fundit amerikan që u vra në detyrë mbetet John F. Kennedy në vitin 1963.

Ngjarja e së shtunës shënon tentativën e tretë kundër Trumpit në më pak se dy vjet. E para, në korrik të vitit 2024, ku një plumb i preku veshin gjatë një tubimi në Pensilvani, i rriti ndjeshëm shanset për rizgjedhje.

Konventa Republikane e asaj kohe, u dominua nga narrativa se Trump u shpëtua prej dorës hyjnore për t’i shërbyer kombit. Dy muaj më vonë, një përpjekje e dytë në rezidencën e tij në Mar-a-Lago u parandalua nga agjentët e Shërbimit Sekret.

Sidoqoftë, këtë herë çdo valë simpatie ka gjasa të jetë më e kufizuar. Dhe dallimi kryesor qëndron te faktet: i dyshuari, Cole Allen, nuk arriti t'i afrohej fare Trumpit. Ndonëse kanalet televizive e portretizuan si një tjetër “shmangie të rrezikut për një qime”, Allen nuk hyri kurrë në sallën e banketit.

U dëgjuan krisma të forta, por presidenti nuk ishte realisht në rrezik të drejtpërdrejtë. Në Pensilvani, imazhi i Trumpit të gjakosur me grushtin lart duke bërtitur “luftoni, luftoni, luftoni” përcaktoi fushatën e tij.

Incidenti i së shtunës në hotelin Washington Hilton nuk prodhoi një moment të tillë epik. Edhe pse Ronald Reagan u plagos duke dalë nga i njëjti vend në vitin 1981 - në fillimet e një mandati që do të zgjaste 8 vjet - rritja e tij në sondazhe ishte jetëshkurtër.

Do të ishte surprizë nëse Trump do të përfitonte qoftë edhe një rritje minimale nga kjo ngjarje. Pavarësisht kësaj, ai do të tentojë ta kapitalizojë ngjarjen politikisht. Në rrethet e MAGA-s është bërë e udhës të pretendohet se e majta amerikane nxit dhunën politike përmes retorikës ekstreme ndaj Trump dhe të tjerëve rreth tij.

Kjo linjë u përforcua nga vetë Trump dhe zëvendëspresidenti i tij, J.D.Vance, pas vrasjes së Charlie Kirk, një influencues MAGA, shtatorin e kaluar. Trump urdhëroi që flamujt amerikanë të uleshin në gjysmështizë, ndërsa disa amerikanë humbën vendet e punës për shkak të postimeve që konsideroheshin si mungesë respekti ndaj Kirk-ut të vrarë.

Sot, shifrat e Trumpit në sondazhe janë në një gjendje më të keqe. Javën e kaluar, vlerësimi për të ra nën 40 për qind në disa sondazhe. Më domethënësja, vetëm 30 për qind e amerikanëve miratuan mënyrën se si ai menaxhon ekonominë .

Ky është një sinjal alarmi për republikanët në zgjedhjet e ardhshme të ndërmjetme. Rritja e mungesës së popullaritetit të luftës së Trump kundër Iranit, po e çon atë në këtë pikë të ulët. Pak para incidentit në Hilton, ekipi i tij negociator hoqi dorë nga planet për bisedime në Islamabad, pasi iranianët refuzuan pjesëmarrjen.

Ironikisht, vetë atentatet kanë luajtur një rol qendror në vështirësitë e Trump në negociatat me Iranin. Operacioni i tij “Epic Fury”, nisi me një goditje vdekjeprurëse ndaj Ajatollahut të Madh Ali Khamenei më 28 shkurt.

Sulmet pasuese që eliminuan krerët e Gardës Revolucionare dhe shefin e sigurisë kombëtare të Iranit, e kanë bërë të pamundur gjetjen e një pale negociuese me autoritet. Ka ende konfuzion mbi atë se kush është në të vërtetë në krye, duke qenë se Udhëheqësi i ri Suprem (djali i ajatollahut të ndjerë, Mojtaba Khamenei) mendohet të jetë plagosur rëndë.

Sido që të jetë, është entuziazmi i hershëm i Trump për të eliminuar figura të larta iraniane, dhe jo përpjekja e fundit e brendshme ndaj tij, ai që po dikton të ardhmen e tij politike. “Ata mund të na telefonojnë në çdo kohë që duan!”- tha Trump për iranianët të shtunën.

Problemi i tij është se Irani mendon se koha është në anën e tij. Nëse Trump do të rifillojë bombardimet apo do të bëjë lëshime për t'i sjellë ata në tryezë, kjo mbetet e vështirë të parashikohet.

I vetmi parashikim i sigurt për këtë president gjithnjë e më të paqëndrueshëm, është se ai tani me siguri do të ndërtojë sallën e tij të debatuar prej 400 milionë dollarësh në Shtëpinë e Bardhë. Ajo mund të presë madje edhe darkat e ardhshme të korrespondentëve. “Nuk mund të ndërtohet edhe aq shpejt!!”- shkroi ai në orët e para të së dielës./Pamfleti nga “Financial Times”

atentati si rutinë presidenciale

Lini një Përgjigje