TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Tetor 2025, 13:43

Katari ishte pika e kthesës: Si bombardimi i Dohas nga Izraeli ndezi një proces paqeje

Shkruar nga Pamfleti

Katari ishte pika e kthesës: Si bombardimi i Dohas nga Izraeli ndezi

Gjendja e pengjeve të liruar mund të ringjallë tensionet në marrëveshjen e paqes, pasi pengmarrja dyvjeçare ka ngritur pikëpyetje në lidhje me atë se çfarë do të vijë më pas.

Udhëtimi i radhës i Presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme është kulmi i pesë javëve diplomaci dhe vuri gjithçka në lëvizje në një kohë kur dukej se shanset për paqe do të dështonin.

Pasi Izraeli bombardoi Dohan në fillim të shtatorit, Katari, i cili ishte ndërmjetësi kryesor midis Izraelit dhe Hamasit, donin të tërhiqej nga procesi i paqes, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Trump, i cili ka një marrëdhënie të gjatë me katarianët, kritikoi ashpër sulmit izraelit e më pas doli garant dhe premtoi se një sulm i tillë nuk do të ndodhte më kurrë.

Në ato diskutime, zyrtarët amerikanë thanë se sulmi në Doha, i dha mundësinë Trumpit të ushtronte sërish presion ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Presidenti u bë shumë më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë dhe tha se një marrëveshje paqeje është urgjente pas sulmit në Doha. Kjo bëri që presidenti të ushtronte presion maksimal mbi Izraelin. Ai me të vërtetë e detyroi Izraelin t’i nënshtrohej paqes”, u shpreh zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Presioni në rritje i Trumpit mbi Izraelin gjatë pesë javëve të fundit, i cili përfshinte shtyrjen e Netanyahut për t'i telefonuar dhe për t'i kërkuar falje Katarit nga Zyra Ovale, theksoi ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj luftës në Gaza që nga marrja e detyrës.

Brenda pak muajsh, Trump ndryshoi deklaratat e tij, nga Gaza do të pastrohej për t'i hapur rrugë pasurive të patundshme me çmim të lartë dhe duke i dhënë Izraelit dritën jeshile për të rrafshuar territorin, në kërkesën që Forcat Mbrojtëse të Izraelit të tërhiqen dhe të lirojnë mijëra të burgosur palestinezë në këmbim të 20 pengjeve izraelite.

“Sulmi i dështuar i izraelitëve kundër Katarit ishte pika e kthesës. Presidenti Trump arriti ta përdorte atë si levë, jo vetëm duke e bindur Netanyahun t’i kërkonte falje kryeministrit të Katarit, por edhe duke ushtruar presion mbi të që t’i jepte fund luftës”, tha një person pranë Shtëpisë së Bardhë.

Plani i paqes me 20 pika ende e ndihmon Izraelin të arrijë shumë nga objektivat e tij. Pengjet e mbetura pritet të kthehen në shtëpi dhe plani përfshin një mandat që Gaza të deradikalizohet dhe të qeveriset nga një organ qeverisës i lirë nga Hamasi (dy elementë kritikë në kërkesat e Izraelit). Por, plani gjithashtu u jep amnisti terroristëve të Hamasit dhe Izraeli nuk do të ketë kontroll mbi Rripin e Gazës.

Në fund të muajit, Trump u takua me udhëheqës arabë dhe myslimanë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe premtoi se nuk do ta lejonte Izraelin të aneksonte Bregun Perëndimor.

“Ky ishte një tjetër moment i rëndësishëm, pasi u zhvilluan diskutime legjitime rreth detajeve se si do të dukej një plan paqeje”, tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Trump është shprehur se një paqe e përjetshme mund të jetë afër, por atmosfera brenda Shtëpisë së Bardhë është më e qetë pasi zyrtarët kryesorë e pranojnë se çdo armëpushim është delikat.

Gjendja e pengjeve të liruar mund të ringjallë tensionet në marrëveshjen e paqes, pasi pengmarrja dyvjeçare ka ngritur pikëpyetje në lidhje me atë se çfarë do të vijë më pas.

“Kjo marrëveshje u kristalizua 10 ditë më parë. Dhjetë ditë nuk janë kohë e mjaftueshme për të transformuar qeniet njerëzore në prag të urisë që janë mbajtur nën tokë për dy vjet në qenie njerëzore me pamje të shëndetshme”, tha një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që shërbeu gjatë mandatit të parë të Trump dhe iu dha anonimiteti për të diskutuar marrëveshjen e paqes.

Trump pritet të flasë para Knessetit në Izrael të hënën, pas një ndalese të shkurtër në Egjipt. Vizita e tij vjen teksa kritikët dhe mbështetësit në Izrael falenderojnë Trump për përpjekjet e tij për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të siguruar fundin e luftës dyvjeçare, por administrata dhe aleatët e Trump theksojnë se shumë gjëra mund të shkojnë keq.

“Lirimi i pengjeve është e vetmja mundësi që do të na kënaqë politikisht. Pas kësaj, do të jetë një kohë e gjatë negociatash, aktiviteti ushtarak dhe shumë gjëra të lodhshme dhe të orientuara drejt detajeve, për të cilat nuk jam plotësisht i sigurt nëse presidenti dëshiron të jetë pjesë”, tha Jonathan Conricus, ish-zëdhënës i IDF dhe bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë”./ Përshtati “Pamfleti” nga “Politico”.

Lini një Përgjigje