
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka bërë një deklaratë të pazakontë lidhur me Objektet Fluturuese të Panjohura, duke sugjeruar se ato mund të mos jenë qenie jashtëtokësore, por “demonë”.
Gjatë një interviste në podcast-in “Benny Show”, Vance tha se ka një interes të kahershëm për UFO-t, megjithëse ende nuk ka pasur kohë të shqyrtojë dokumentet zyrtare mbi këtë çështje.
“Ende nuk kam pasur mundësi t’i shoh, por do ta bëj. Më besoni, jam i fiksuar pas kësaj teme”, u shpreh ai.
Megjithatë, komenti që tërhoqi më shumë vëmendje ishte interpretimi i tij mbi natyrën e këtyre fenomeneve.
“Nuk mendoj se janë alienë, mendoj se janë demonë, por kjo është një diskutim më i gjatë”, deklaroi Vance.
Ai shtoi se shumë fe, përfshirë krishterimin, pranojnë ekzistencën e forcave të padukshme si e mira dhe e keqja, duke sugjeruar se fenomenet e pashpjegueshme mund të kenë një bazë shpirtërore dhe jo domosdoshmërisht jashtëtokësore.
Sipas tij, njerëzit shpesh i etiketojnë automatikisht dukuritë e çuditshme si “alienë”, ndërsa ato mund të lidhen me koncepte më të hershme fetare.
“Një nga truket më të mëdha të djallit është t’i bindë njerëzit se ai nuk ekziston”, shtoi ai.
Deklaratat e Vance vijnë në një moment kur fenomenet UFO janë rikthyer në qendër të debatit publik në SHBA.
Edhe figura të tjera të njohura politike kanë komentuar mbi këtë temë. Ish-presidenti Barack Obama ka sqaruar së fundmi se nuk ka parë prova për ekzistencën e alienëve gjatë mandatit të tij, ndërsa presidenti aktual Donald Trump ka njoftuar se po punohet për publikimin e dokumenteve të lidhura me këto fenomene.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë regjistrimin e domeneve si “alien.gov” dhe “aliens.gov”, çka ka shtuar spekulimet mbi atë që qeveria mund të dijë realisht.
I pyetur nëse këto dokumente do të bëhen publike, Vance u përgjigj shkurt:
“Po punojmë për këtë.”
Lini një Përgjigje