TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2026, 11:16

Lufta godet edhe SHBA/ Çmimi i benzinës kalon 4 dollarë për gallon për herë të parë që nga 2022

Shkruar nga Pamfleti

Lufta godet edhe SHBA/ Çmimi i benzinës kalon 4 dollarë

Rriten edhe çmimet e naftës; lufta në Iran po shton presionin mbi kostot e energjisë

Çmimi mesatar i një galloni benzinë (3.78 litra) në Shtetet e Bashkuara ka kaluar 4 dollarë të martën, për herë të parë që nga viti 2022, sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave (AAA).

Sipas CBS, kjo rritje përbën një nga treguesit më të prekshëm të ndikimit që konflikti në Iran ka mbi kostot e karburantit për drejtuesit amerikanë. Çmimi mesatar arriti në 4.018 dollarë për gallon, nga 3.990 dollarë një ditë më parë.

AAA raporton se çmimet janë rritur ndjeshëm që prej 28 shkurtit, kur SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke u rritur me më shumë se 1 dollar për gallon brenda një muaji.

Herën e fundit që benzina kaloi pragun e 4 dollarëve ishte në gusht 2022, ndërsa në qershor të atij viti kishte kaluar përkohësisht 5 dollarë për gallon, pas rritjes së çmimeve të naftës së papërpunuar të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Ky nuk është niveli prej 5 dollarësh, por drejtuesit do të vërejnë rritje të shpejtë të çmimeve në pompë”, deklaroi për CBS Patrick De Haan, ekspert i tregut të naftës në GasBuddy.

Rritje edhe për naftën (diesel)

Çmimet e naftës (diesel) janë rritur gjithashtu, duke arritur në 5.454 dollarë për gallon të martën, nga 5.416 dollarë një ditë më parë. Ky lloj karburanti përdoret gjerësisht në bujqësi, ndërtim dhe transportin e mallrave me kamionë, trena dhe anije.

Rritja e kostove të transportit, si pasojë e çmimeve më të larta të energjisë, mund të reflektohet te konsumatorët, paralajmëroi Diane Swonk, kryeekonomiste e KPMG, në një deklaratë për CBS News.

Administrata Trump ka ndërmarrë disa masa për të frenuar çmimet, përfshirë lirimin e rezervave strategjike të naftës dhe lehtësimin e disa rregullave që ndikojnë në koston e produkteve të naftës.

Megjithatë, sipas analistëve të cituar nga CBS News, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar mungesat në furnizim apo për të ulur ndjeshëm barrën mbi konsumatorët amerikanë.

 

lindja e mesme nafta shba

Lini një Përgjigje