TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2026, 10:39

“Paranojë dhe konfuzion”, përçarje dhe mungesë koordinimi në udhëheqjen e Iranit

Shkruar nga Pamfleti
“Paranojë dhe konfuzion”, përçarje dhe mungesë
Irani

Problemet e komunikimit dhe goditjet ndaj elitës kanë dobësuar vendimmarrjen; Garda Revolucionare fiton më shumë ndikim

Një raport i publikuar nga New York Times evidenton probleme serioze koordinimi në nivelet më të larta të udhëheqjes iraniane, ndërsa Garda Revolucionare shfaqet e forcuar.

Sulmi fillestar i 28 shkurtit goditi rëndë majën e pushtetit në Iran, duke shkaktuar vdekjen e Ajatollah Ali Khameneit. Brenda një muaji, përmes goditjeve të synuara, u eliminuan edhe figura të tjera që mund të merrnin role drejtuese.

Teherani njoftoi se djali i tij, Mojtaba Khamenei, mori rolin e pasardhësit. Megjithatë, ai nuk është shfaqur publikisht që nga dita e parë e luftës dhe mbetet e paqartë nëse është gjallë apo i vdekur.

Raporti i publikuar të hënën në mbrëmje nga New York Times, duke cituar vlerësime të inteligjencës amerikane dhe të vendeve të tjera perëndimore, tregon se udhëheqja iraniane është e fragmentuar dhe e shpërndarë, duke hasur vështirësi në marrjen e vendimeve dhe në koordinimin e operacioneve dhe kundërpërgjigjeve në shkallë të gjerë.

Sipas raportit, problemet në komunikim kanë krijuar konfuzion dhe paranojë mes drejtuesve të mbetur të regjimit, të cilët dyshojnë se bisedat dhe mesazhet e tyre mund të përgjohet nga shërbimet sekrete izraelite. Si pasojë, ata shmangin si telefonatat, ashtu edhe takimet mes tyre.

Sipas zyrtarëve amerikanë, fraksionet më të ashpra brenda Gardës Revolucionare kanë fituar kohët e fundit më shumë ndikim dhe pushtet sesa udhëheqja fetare, e cila teorikisht drejton sistemin.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndonjë palë mund të arrijë marrëveshje dhe të bindë të tjerët për ta mbështetur atë. Ish-zyrtarë amerikanë vlerësojnë se Irani do të pranojë një marrëveshje vetëm nëse pëson dëme të mëdha ekonomike nga lufta. Edhe pse dëmet janë tashmë të konsiderueshme, sipas tyre, Irani mund të mos e ndjejë ende se po humb.

Po ashtu, nuk është e qartë se në çfarë mase Mojtaba Khamenei ushtron kontroll mbi udhëheqjen. Disa zyrtarë të inteligjencës besojnë se ai mund të ketë vetëm një rol përfaqësues, ndërsa vendimet reale merren nga udhëheqja e mbetur e Gardës Revolucionare.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se sistemi i komandës dhe kontrollit të Iranit ka pësuar dëme të rënda. Megjithatë, edhe para luftës, vendi kishte ndërtuar një strukturë të decentralizuar që u lejonte komandantëve në terren të merrnin vendime pa udhëzime të përditshme nga lart.

Irani nuk ka arritur të ndërmarrë sulme të mëdha me raketa që mund të mbingarkojnë sistemet mbrojtëse të kundërshtarëve. Në vend të kësaj, komandat rajonale detyrohen të kryejnë kundërpërgjigje pa koordinim.

Zyrtarë amerikanë deklarojnë se qeveria iraniane nuk ka qenë në gjendje të koordinojë një përgjigje ndaj propozimeve të SHBA-së, duke shkaktuar pakënaqësi te presidenti Donald Trump.

Nga ana tjetër, zyrtarë izraelitë theksojnë se problemet e komunikimit në Iran ngjajnë me ato të vërejtura gjatë negociatave për lirimin e pengjeve në Gaza, ku propozimet kalonin nga udhëheqësit e Hamasit në Katar dhe transmetoheshin me shkrim në Gaza përmes një procesi të ngadaltë dhe të ndërlikuar.

 

irani garda revolucionare teherani

Lini një Përgjigje