Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jorgensen, u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të përgatiten për ndërprerje të mundshme në furnizimin me energji, përmes një letre drejtuar ministrave të energjisë përpara një takimi informal.
Jorgensen vlerëson se, megjithëse deri tani ndikimi në furnizimin me energji ka qenë i kufizuar, qeveritë duhet të marrin masa paraprake për të përballuar ndërprerje të mundshme afatgjata. Ai thekson se varësia e lartë e Evropës nga importet energjetike e bën atë të ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Sipas të dhënave të përmendura në komunikim, çmimet e gazit në Evropë janë rritur me rreth 70% që nga fundi i shkurtit, në një periudhë të karakterizuar nga përshkallëzim i situatës ndërkombëtare. Megjithatë, furnizimi me naftë dhe gaz natyror nuk është ndikuar drejtpërdrejt nga zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, pasi pjesa më e madhe e importeve evropiane vjen nga rajone të tjera.
Komisioneri shpreh shqetësim të veçantë për furnizimin afatshkurtër me produkte të rafinuara të naftës, si vajguri dhe nafta. Ai u bën thirrje qeverive të shmangin politika që mund të rrisin konsumin e karburanteve, të kufizojnë tregtinë e produkteve të naftës ose të pengojnë funksionimin e rafinerive brenda BE-së.
Në letër theksohet gjithashtu nevoja që shtetet anëtare të shtyjnë çdo mirëmbajtje jo urgjente në rafineri, me qëllim garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë e Bashkimit Evropian.
Lini një Përgjigje