
Në mbrëmje ka pasur një tjetër valë bastisjesh...
Rritet frika se lufta në Lindjen e Mesme mund të marrë përmasa të mëdha. Numri i të vdekurve nga sulmet e sotme izraelite në Libanin jugor dhe lindor ka shkuar në 492, përfshirë 35 fëmijë
Vetë Izraeli njoftoi se ka goditur 1300 objektiva të Hezbollahut. Kjo u tha nga zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari, duke shtuar se "do të ketë ditë sfiduese". Bastisjet vazhdojnë, shtoi ai. Ndër objektivat e goditura ishin bazat e raketave lundruese, të afta për të goditur qindra kilometra larg, por dhe baza dronësh dhe raketash të tjera. Për numrin e madh të viktimave, Hagari tha se në mesin e tyre kishte “terroristë të shumtë që ndodheshin pranë sistemeve të armatimit”.
Ndërkohë në mbrëmje ka pasur një tjetër valë bastisjesh. Objektivat u shënjestruan në Luginën Bekaa në Libanin lindor.
“Në thelb, ne po synojmë infrastrukturën luftarake që Hezbollahu ka ndërtuar për 20 vitet e fundit. Kjo është shumë domethënëse. Ne po godasim objektivat dhe po përgatitemi për fazat e ardhshme”, tha shefi ushtarak i shtabit të përgjithshëm Herzi Halevi, raportoi Reuters.
Ndërkohë Iraku kërkoi një "takim urgjent" të vendeve arabe në fund të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të "ndaluar" Izraelin në Liban.
Nga ana tjetër pati një reagim dhe nga Biden. "Ekipi im ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me homologët dhe ne po punojmë drejt një de-përshkallëzimi që lejon njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre të sigurt". Kështu tha presidenti amerikan para gazetarëve para takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed, duke folur për përshkallëzimin mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Frika për një përshkallëzim ka kapur dhe Gjermaninë, pasi ka urdhëruar qytetarët e saj të ikin nga Libani.
“Megjithëse u bëjmë thirrje përgjegjësve në rajon që të de-përshkallëzojnë situatën, ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje gjermanëve në Liban që të largohen nga vendi”, tha Ministria e Jashtme gjermane.
Ka një tension në rritje në terren në Liban dhe një përpjekje kolektive për të parë nëse Izraeli synon një pushtim tokësor të fqinjit të tij, i cili nuk është sinjalizuar deri më tani pasi sulmet ushtarake janë aktualisht nga ajri.
Lini një Përgjigje