TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shtator 2024, 20:45

Nga Moldavia në Armeni: Plani i radikalëve në Moskë për ta zgjeruar sa më shumë luftën e Ukrainës

Shkruar nga Massimiliano Di Pace

Nga Moldavia në Armeni: Plani i radikalëve në Moskë për

Me pak fjalë, disa vasalë të Nënës së Madhe Rusi, po shfaqin një nervozizëm të madh, dhe mbi të gjitha një dëshirë të madhe për të kaluar me Perëndimin.

Kaukazi është në pragun e një lufte të re. Ose të paktën kjo është ndjesia që krijohet nga leximi i dy artikujve nga dy gazetat më të rëndësishme ruse, Izvestia dhe Kommersant, të botuara në datat 18 dhe 19 shtator. Lajmi më shqetësues vjen nga Transnistria, një rajon që zyrtarisht është pjesë e Moldavisë, por de facto është e shkëputur.

Ajo ka ekzistuar si një enklavë etnike ruse, dhe ka qenë subjekt i negociatave të vështira për pavarësi që nga viti 1992. Dhe kjo sepse kjo zonë ndodhet midis Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe për shkak të pranisë së ushtarëve rusë në republikën separatiste, zyrtarisht me një mision paqeruajtës.

Pas 30 vitesh stabiliteti relativ, ngjitja në pushtet e Maia Sandu, presidente e Moldavisë që nga viti 2020, nisën të përkeqësohen me shpejtësi marrëdhëniet midis Kishnievit dhe Transnistrisë. Menjëherë pas zgjedhjes së saj, udhëheqësja moldave bëri një sërë deklaratash të ashpra kundër rajonit separatist, dhe refuzoi që të takonte presidentin e këtij të fundit, Vadim Krasnoselsky.

Prandaj nuk është e habitshme pse në numrin e Izvestia-s të 19 shtatorit, Elizaveta Borisenko, shkruan ndër të tjera se Kishinievi po e bën gjithnjë e më të ndërlikuar tregtinë me rajonin e

tij separatist, duke krijuar kështu një lloj bllokade ekonomike, si rezultat i zbatimit nga pala moldave të disa kërkesave, të cilat janë një parakusht për procesin e anëtarësimit në BE (i cili do të jetë objekt i një referendumi që do të mbahet më 20 tetor, në një ditë me zgjedhjet e reja presidenciale).

Në janar të këtij viti, autoritetet moldave filluan të mbledhin detyrimet doganore nga kompanitë transnistriane, gjë që solli një rënie të aktivitetit tregtar, një rritje të inflacionit dhe ulje të të ardhurave buxhetore. Jo vetëm kaq, por duket se autoritetet doganore të Kishinievit kanë zbatuar edhe masa ndaluese të BE-së për eksportin dhe importin e parashikuar për Rusinë drejt Transnistrisë, përfshirë ilaçet dhe pajisjet mjekësore.

Për pasojë disa fabrika të mëdha transnistriane, si Elektromash, Bze Potential dhe Moldavizolit, e kanë ndërprenë prodhimin. Për më tepër, Kishinievi ka njoftuar se do të kërkojë respektimin e rregulloreve të BE-së mbi paketimin e ushqimeve, gjë që do të ishte me siguri një goditje tjetër për prodhuesit në republikën gjysmë të pavarur.

Në këto kushte, deputetët e Transnistrias, që përfaqësojnë gjysmë milionë banorët e rajonit separatist, i janë drejtuar parlamentit rus, Duma, duke kërkuar ndihmë përballë bllokadës ekonomike të Moldavisë, sidomos tani që po afrohet edhe një bllokadë e mundshme energjetike.

Në fakt, tubacioni i gazit që kalon përmes Ukrainës, dhe që e sjell gazin rus në Evropë por edhe në Transnistria, mund të pushojë së funksionuari më 1 janar 2025, sikurse ka bëtë të ditur vetë Kievi. Kjo do të shkaktonte një kolaps energjetik në këtë pseudoshtet që i ka sytë nga Kremlini, ndërsa Moldavia, e cila ka një kontratë furnizimi me Gazprom-in, dhe që skadon në vitin 2026, mund ta marrë lëndën e parë të çmuar ruse të energjisë përmes korridorit transballkanik, i cili kalon përmes Turqisë.

Pra një pjesë e Moldavisë, e merr pjesën më të madhe të energjisë elektrike që konsumon nga një termocentral i vendosur pikërisht në Transnistria. Ndaj nëse qeveria moldave nuk gjen burime alternative të energjisë elektrike, do të bëhet i pamundur skenari i një bllokadë energjetike.

Gjithsesi, situata është aq serioze, sa që nëntitulli i artikullit të Izvestia-s ishte “A është e mundur një zgjidhje ushtarake për çështjen Transnistriane?”. Anëtarësimi i mundshëm i  Moldavisë në BE, mund të përfaqësojë një pengesë të mëtejshme për Rusinë, si dhe të sjellë dobësim të mëtejshme të kontrollit politik dhe ekonomik të një zone, e cila ishte dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Dhe nëse është e vërtetë që anëtarësimi në BE është i mundur edhe në rastin e mungesës së kontrollit të një rajoni të vendit të ri anëtar të BE-së, siç tregohet nga rasti i Qipros, pjesa veriore e së cilës është de fakto një shtet i pavarur (edhe pse nuk njihet nga shumë vende), e populluar nga etnia turke (ndryshe nga Republika Qipriote, popullsia e së cilës është greke), është e pamohueshme që pasojat ekonomike për Transnistrian, e izoluar midis Ukrainës dhe Moldavisë (në dallim nga Qiproja Veriore, e cila ka disa porte), mund të jenë shumë serioze.

Për të qetësuar lexuesit e saj patriotë, gazeta ruse rikujtoi se Ministria e Jashtme ka deklaruar vazhdimisht se çdo provokim kundër paqeruajtësve dhe qytetarëve rusë në Transnistria, do të konsiderohet si sulm ndaj vendit të tyre. Edhe Dmitry Sidorov, Drejtor i Departamentit të Studimeve të Huaja Rajonale në Universitetin Gjuhësor Shtetëror të Moskës, deklaroi për gazetën se “nuk mund të përjashtohet mundësia e një skenari të dhunshëm”.

Ne kemi vënë re punën përgatitore dhe përqendrimin e forcave të Ukrainës përgjatë kufijve me Transnistrian. Tani atje po ndërtohen kulla për të transmetuar kanalet ukrainase në territorin e Transnistrisë. Për më tepër, gjatë muajve të fundit, Moldavia ka shërbyer si terren për stërvitje të përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe Rumaninë.

Të gjitha këto janë shenja shumë alarmante. Në rast se do të tentohet të zgjidhet me forcë çështja e Transnistrisë, Rusia do të detyrohet të reagojë. Dhe kjo nënkupton një përshkallëzim shumë serioz me pasoja të paparashikueshme”, shprehet ai.

Por Moldavia nuk është i vetmi front i hapur në Kaukaz. Po afron gjithnjë e më shumë momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve midis Armenisë (një tjetër vasal historik i Moskës) dhe Federatës Ruse. Këtë e pranon edhe Alexey Zabrodin, në një shkrim të botuar më 18 shtator në gazetën ruse Kommersant.

Ai i referohet njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Armenisë për fillimin e procedimit penal kundër 7 personave të akuzuar për “përpjekje për të uzurpuar pushtetin, përmes një grushti shteti të armatosur”. Tre konspiratorë u arrestuan dhe katër të tjerët u shpallën në kërkim.

Problemi është se personat e akuzuar, që të gjithë ish-banorë të rajonit Nagorno-Karabak, kanë kaluar kohët e fundit nga Armenia në Azerbajxhan, dhe duket se janë luftëtarë të trajnuar në Rusi në bazën Arbat në Rostov-on-Don, me synim përmbysjen e qeverisë aktuale në Armeni.

Jo vetëm kaq, por duket se ata kanë rekrutuar një numër të caktuar bashkëqytetarësh nga Nagorno-Karabak për t’u stërvitur në bazën Arbat, duke u premtuar vullnetarëve një rrogë  prej 220 mijë rublash në muaj (2200 euro, një pagë e madhe për atë rajon).

Hetimi nga autoritetet armene, zbuloi se ata që ishin rekrutuar, i ishin nënshtruar një testi për të përcaktuar opinionet e tyre politike. Më pas morën udhëzime mbi objektivin kryesor, që ishte rikthimi në atdheun e tyre dhe përmbysja e qeverisë aktuale, me synim “shpëtimin e Republikës së Armenisë”, qoftë edhe përmes përdorimit të armëve të rënda.

Megjithatë, rusët nuk parashikuan se pasi të mësonin objektivin e trajnimit, disa nga rekrutët mund të ktheheshin në shtëpi për të raportuar atë që kishin parë. Dhe pikërisht nga dëshmitë e tyre nisi edhe hetimi. Ndaj ishte e pashmangshme që kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ta shpallte Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO, e cila është një lloj NATO-je ruse, me anëtarë nga shumica e vendeve të ish-BRSS) një kërcënim për sigurinë kombëtare armene.

Ai nënvizoi se Jerevani është afër ndryshimi të pakthyeshëm të marrëdhënieve me CSTO (dhe për rrjedhojë edhe me Rusinë). Nga ana e saj CSTO, ka siguruar se dëshiron ta mbajë Armeninë brenda organizatës.

Përmes zëdhënësit të presidentit rus, Dmitry Peskov, Moska ka bërë të ditur se nuk është dakord me pretendimin se kërcënimet ndaj Armenisë vijnë nga CSTO. Sipas Peskov, ky vend është një “partner i ngushtë” i Rusisë (ndaj nuk është i lirë të sillet si të dojë).

Me pak fjalë, disa vasalë të Nënës së Madhe Rusi, po shfaqin një nervozizëm të madh, dhe mbi të gjitha një dëshirë të madhe për të kaluar me Perëndimin. Tani mbetet vetëm të presim dhe shohim se cilat do të jenë lëvizjet e tjera të Putinit, i cili me kalimin e kohës po e sheh të zbehet gjithnjë e më shumë ëndrrën e tij: rindërtimin e Bashkimit Sovjetik./Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”

Lini një Përgjigje