
Ushtria izraelite ka njoftuar se është e përgatitur për një ofensivë "të koordinuar" ajrore, tokësore dhe detare në Gaza...
Izraeli ka dhënë një tjetër ultimatum për evakuimin e banorëve nga Gaza duke paralajmëruar nisjen shumë shpejt të mësymjes ushtarake.
Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite ka përsëritur thirrjet për qytetarët në Gaza që të evakuohen në jug.
"Është për sigurinë tuaj personale", tha kundëradmirali Daniel Hagari. Ai nuk tregoi saktësisht se kur do të fillonte operacioni. Adm Hagari akuzoi gjithashtu Hamasin se po përpiqet të përdorë civilët si "mburoja njerëzore".
Ushtria izraelite ka njoftuar se është e përgatitur për një ofensivë "të koordinuar" ajrore, tokësore dhe detare në Gaza. IDF ka lëshuar një deklaratë duke thënë se po përgatitet të "zbatojë një gamë të gjerë planesh sulmuese operacionale".
Më tej u bë e ditur se pajisjet e nevojshme janë bërë gati dhe ushtria është armatosur.
“Batalionet dhe ushtarët e IDF janë dislokuar në të gjithë vendin dhe po rrisin gatishmërinë operacionale për fazat e ardhshme të luftës, me theks në operacionet e rëndësishme tokësore”, thuhet në deklaratë. Sipas BBC, ky do të jetë një operacion masiv dhe potencialisht i gjatë. Ndërkohë në disa foto të publikuar shihet se tanket dhe automjet e Izraelite janë vendosur në kufi duke rrethuar Gazën.

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi sot biseda të veçanta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas.
Netanyahu falënderoi presidentin amerikan për mbështetjen e tij dhe tha se "uniteti dhe vendosmëria" ishin të nevojshme që Izraeli të arrijë qëllimet e tij. Ndërkohë, Abbas i tha zotit Biden se ai "refuzon plotësisht" zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Presidenti Biden tha më herët se SHBA po punon me qeveritë izraelite, egjiptiane dhe jordaneze për të "rritur mbështetjen për të lehtësuar pasojat humanitare të sulmit të Hamasit".
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, i ka bërë thirrje Izraelit që t’i ndalë sulmet në Gaza, duke paralajmëruar se lufta mund të zgjerohet edhe në pjesë tjera të Lindjes së Mesme, nëse Hezbollahu përfshihet në betejë. Sipas tij, diçka e tillë do të përbënte “tërmet të madh” për Izraelin.
Amirabdollahian u ka thënë gazetarëve në Bejrut se grupi i Libanit Hezbollah, i ka shqyrtuar të gjithë skenarët e luftës, andaj Izraeli duhet t’i ndalë sulmet në Gaza sa më shpejt që është e mundur.
Izraeli e konsideron Hezbollahun si kërcënimin më serioz, duke marrë parasysh se grupi i ka rreth 150.000 raketa, përfshirë ato me precizitet të madh, të cilat mund ta godasin çdo pjesë të Izraelit. Ky grup, i cili ka mijëra luftëtarë, që kanë marrë pjesë në konfliktin 12-vjeçar të Sirisë, ka edhe lloje të ndryshme të dronëve ushtarakë. Luftëtarët e Hezbollahut ka qenë të angazhuar përreth kufijve të Libanit me Izraelin, pas sulmeve të javës së kaluar nga grupi militant palestinez Hamas kundër Izraelit, duke i lënë qindra të vdekur. Të shtunën, ushtria izraelite ka thënë se një dron izraelit e ka goditur një “qelizë” afër kufirit me Libanin, që ka tentuar të infiltrohet në Izrael.
Lini një Përgjigje