
Izraeli vijon luftën e tij në të dy frontet, teksa ka përparuar në betejën me Iranin, për shkak të rrjedhjes së planit operacional në media.
16 persona mbetën të vrarë dhe 32 u plagosën në një sulm izraelit në një shkollë ditën e sotme, në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza.
Sipas spitalit Al Awda, mes viktimave ka edhe fëmijë. Shkolla Al-Shuhada po strehonte palestinezët e zhvendosur, shkruan “La Repubblica”.
Mediat raportuan se Izraeli sulmoi gjithashtu Damaskun dhe Homsin në Siri, teksa një ushtar u vra dhe u plagosën 7 persona të tjerë.
“Ushtria izraelite filloi një sulm nga Golani i pushtuar sirian dhe Libani verior duke synuar dy vende në distriktin Kafr Sousa të Damaskut dhe një vendndodhje ushtarake pranë Homsit”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve SANA, duke cituar një burim ushtarak.
Në këtë rajon IDF po lufton me grupin Hezbollah, që mbështetet nga Irani.
Edhe ushtria libaneze njoftoi sot se 3 ushtarë të saj janë vrarë nga zjarri izraelit i ditës së djeshme. Ushtria libaneze akuzoi Izraelin për vrasjen e tre ushtarëve.
Kurse një punonjës i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinez (UNRWA), vdiq pasi një raketë izraelite goditi një automjet të organizatës ditën e djeshme në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Vetë OKB konfirmoi lajmin tragjik.
Lini një Përgjigje