TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Mars 2025, 13:50

Iluzioni bërthamor i Evropës: Macron s’do ta rrezikonte kurrë Parisin për Vilniusin

Shkruar nga Krzysztof Tyszka-Drozdowski
Iluzioni bërthamor i Evropës: Macron s’do ta rrezikonte
Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron

Tre arsyet pse parandalimi bërthamor evropian mbetet një mit... 

Nuk është ende kancelar, por Friedrich Merz dëshiron që ta revolucionarizojë sigurinë evropiane. Në një intervistë të fundit për mediat gjermane, ai bëri thirrje për një ombrellë bërthamore evropiane, ku republika federale do ta shkëmbente mbrojtjen e SHBA-së me atë të ofruar nga Britania e Madhe dhe Franca.

Basti i tij gjeopolitik nuk është befasues. Brezi aktual i elitave politike evropiane, nuk ka përjetuar kurrë një krizë të tillë besimi në marrëdhëniet transatlantike. Brenda pak javësh nga marrja e detyrës, Donald Trump i ka shkatërruar siguritë e SHBA-së ndaj Evropës që kanë ekzistuar që nga rënia e Murit të Berlinit.

Por në praktikë, largimi nga tutela e Uashingtonit mund të jetë i vështirë. Shqetësimet e evropianëve për aleatin e tyre amerikan nuk janë ndonjë gjë e re. Programi i fshehtë bërthamor i Francës nisi që në vitin 1954 - përpara se Charles de Gaulle të rikthehej në pushtet - si një mbrojtje ndaj skenarit kur Uashingtoni mund të ishte një aleat i pabesueshëm.

Pasi mësoi mbi planet e administratës Eisenhower për të reduktuar angazhimin e saj strategjik ndaj Evropës, edhe kancelari i atëhershëm gjerman Konrad Adenauer reagoi i alarmuar. Përmes kanaleve diplomatike, deklaroi se Gjermania Perëndimore mund të detyrohej të zhvillonte aftësi bërthamore nëse angazhimet amerikane të sigurisë do të ishin të pabesueshme.

Sot shumë politikanë gjermanë i kanë bërë jehonë deklaratës së Merz për një sistem parandalues ​​bërthamor pan-evropian. Mes tyre janë ish-Ministri i Jashtëm Joschka Fischer dhe kreu i CSU Manfred Weber. Presideti francez Macron ka propozuar vazhdimisht “evropianizimin” e forcës bërthamore të Francës, diçka e mbështetur edhe nga ish-presidentët francezë Shirak dhe Sarkozi.

Por në praktikë, largimi nga ombrella e SHBA-së është më i lehtë të thuhet sesa të bëhet. Së pari për shkak të teknologjisë. Në dallim nga Parisi, arsenali atomik i Londrës nuk është tërësisht i pavarur. Nëndetëset britanike që mbajnë koka bërthamore, duhet të shkojnë rregullisht në SHBA për mirëmbajtje. Pra teknologjia e tyre është në thelb amerikane.

Së dyti, ajo që e dëmton më shumë besueshmërinë e parandalimit britanik, është se vitin e kaluar dështoi testi i dytë radhazi i një rakete me aftësi bërthamore. Së treti, kur flitet fjalë për armët e afta për të asgjësuar vende të tëra, ekziston një argument shumë delikat: sovraniteti.

Dimensionin e natyrshëm kombëtar të bombës bërthamore, e kuptoi shumë mirë edhe De Gaulle, dhe ai ka të bëjë me vetë ekzistencën e shtetit që e zotëron atë. Në Francë, partitë e opozitës zemërohen sa herë që Macron flet mbi “dimensionin evropian” të armëve bërthamore franceze.

I gjithë spektri politik, nga Le Pen tek e majta ekstreme, besojnë se ato armë janë thelbësore kryesisht për sovranitetin kombëtar, ndaj nuk mund të ndahen me të tjerët. Për këto arsye, parandalimi i zgjeruar bërthamor mbetet një mit. Në një luftë të mundshme bërthamore, është e sigurt se Macron nuk do të rrezikonte Parisin për Vilniusin e Lituanisë, ashtu siç Trump nuk do të ishte i gatshëm të sakrifikonte Los Anxhelosin për kryeqytetin estonez Talin.

Në vitin 2023, historiani Sumantra Maitra artikuloi konceptin e “NATO-s së fjetur”, që përshkruan saktë strategjinë e Trump ndaj aleancës perëndimore. Kjo teori, mbron ndalimin e zgjerimit të NATO-s dhe zhvendosjen e barrës së mbrojtjes së Evropës mbi vetë Evropën.

Dhe kjo është më se e kuptueshme: teksa vëmendja e Uashingtonit do të përqendrohet në Azi, evropianët duhet të kujdesen për veten e tyre, veçanërisht pasi i kanë burimet për të kursyer. Megjithatë, pavarësisht rekomandimit të shkëputjes, Maitra argumenton se ombrella bërthamore e SHBA do të vazhdojë ta mbrojë Evropën.

Por ai është mishërimi i një realisti, ndaj duhet të pranojë se parandalimi i zgjeruar është një iluzion. Atëherë, si mund të shpjegohet kjo paqartësi strategjike? Tek e fundit, ajo është produkt i naivitetit të evropianëve. Besimi se Amerika ka interesa ekzistenciale në partneritetin transatlantik është i rrënjosur thellë në Evropë.

Për shembull kancelari në ikje Olaf Scholz, i kundërshtoi diskutimet mbi një pengesë bërthamore evropiane nga frika e tensionimit të marrëdhënieve me Uashingtonin. Ka të ngjarë që sapo të përfundojë lufta në Ukrainë, evropianët të rikthehen tek bindja e tyre kokëfortë se jetojnë në një botë me pak rreziqe, dhe nëse ndodh më e keqja, do t’i shpëtojë Amerika.

Por jo të gjithë janë aq naivë sa evropianët. Çdo vend në Azi e kupton se bota është bërë e rrezikshme. Japonia ruan aftësi të fshehta të prodhimit të armëve në objektet e saj të pasurimit të uraniumit dhe plutoniumit. Sasia që ka të magazinuara, mendohet se mjafton për të ndërtuar mijëra bomba atomike.

Për vite të tëra, ky “parandalues ​​teknik”, e ka lejuar Tokion të ushtrojë presion ndaj Uashingtonit për të rikonfirmuar garancitë e tij të sigurisë, duke shërbyer edhe si një policë sigurimi në rast se Japonia braktiset nga aleati i saj. Ndonëse Koreja e Jugut nuk ka plutonium, mbetet një lojtare me peshë.

Për vite me radhë, shumica e popullsisë e ka mbështetur idenë e një parandalimi të pavarur. Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore dhe agresiviteti në rritje i Kinës, kanë krijuar një konsensus të fortë mbi këtë çështje. Natyrisht, pajisja zyrtare me armë të tilla do të provokonte zemërim, sanksione, por edhe një kundërpërgjigje të fortë nga rivalët gjeopolitikë.

Ndaj vendet që përfshijnë sigurimin bërthamor në llogaritjet e tyre strategjike, ka të ngjarë të ndjekin rrugën e Izraelit. I izoluar mes kundërshtarëve dhe mijëra kilometra larg aleatit të tij më të afërt, SHBA-së, Izraeli ka zgjedhur fshehtësinë: edhe pse bomba e tij nuk është pranuar kurrë zyrtarisht, prania e tij e nënkuptuar, dikton veprimet e shteteve të tjera.

A duhet që përhapja e armëve bërthamore të jetë një qëllim i dëshirueshëm? Argumenti kryesor në favor të tij tregon Luftën e Ftohtë si një periudhë “paqeje të gjatë”, gjatë së cilës nuk ndodhi asnjë konflikt i drejtpërdrejtë midis fuqive të mëdha. Edhe liderët më irracionalë, nisin të veprojnë me maturi, kur përballen me kërcënimin e tmerrshëm të asgjësimit total./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Unherd”

Lini një Përgjigje