Ai mund të shkruajë për paqen. Por nëse do të ketë paqe apo jo, kjo është një çështje jashtë kontrollit të tij. Për këtë arsye, ky moment është shumë i rrezikshëm.
Herën e parë që Milorad Dodik mori pjesë në një nga emisionet e mia, ishte menjëherë pas humbjes së tij në garën për një mandat të dytë si kryeministër i Republika Srpska. Pas një mbledhjeje të Asamblesë Popullore të Republika Srpska, ai erdhi direkt në studion ku po regjistronim programin “BUKA”, të cilin e realizoja në Teatrin e Fëmijëve në Banja Luka, në bashkëpunim me televizionin Alternativna.
Ai ishte shumë interesuar të merrte pjesë, pasi në atë kohë, duke qenë në opozitë, daljet e tij në televizion ishin të rralla dhe të kufizuara në “mediat e Sarajevës”, siç i përkufizon ai vetë. Tema e emisionit ishte “A ekziston Bosnje Hercegovina?”.
Bashkë me Dodik, në program mori pjesë edhe Josip Pejaković, monodrama e të cilit “Per meni nema Bosne” (Dhe ai më thotë se Bosnja nuk ekziston), ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa të merrem me këtë temë në atë kohë. Çdo intervistë e hapja me atë pyetje, por asnjë nga bashkëbiseduesit e mi nuk mund të më jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Të gjithë flisnin gjatë, përpiqeshin të argumentonin, shpjegonin, gjenin fjalët e duhura, por ishin jo shumë të bindur mbi qëndrueshmërinë e qasjes së tyre. Arsyeja pse po i shkruaj këto rreshta është një tekst postuar nga Dodik më 6 mars.
Stili i tij i të shkruarit, më kujton fazën e tij reformiste në vitet 1990, kur si deputet i parlamentit të Bosnje Hercegovinës, argumentoi se nuk do të kishte luftë, dhe se të gjithë duhet të përqendroheshin tek mirëkuptimi dhe puna, duke ndjekur shembullin e Evropës dhe botës së zhvilluar.
Ai e ruajti këtë retorikë reformiste derisa fitoi një konsensus plebishitar në Republika Srpska gati 20 vjet më parë. Që nga ajo kohë, Dodik e ka përdorur vazhdimisht këtë konsensus si mburojë dhe justifikim, duke iu referuar “vullnetit të popullit” për të justifikuar veprimet e tij.
Problemi është se në “shpalljet e veprimeve të reja”, të mbrojtura nga shumica, ka kohë që ka humbur çdo gjurmë e Evropës, botës dhe progresit. Sot Dodik është larg nga të qenit reformisti i qeshur që ai vetë e kujton pa dëshirë. Sot Milorad është shumë i pasur, i zemëruar dhe nuk i kursen fjalët.
Fyerjet dhe deklaratat e tij vulgare tregojnë banalitet dhe vrazhdësi, duke bërë të qeshë vetëm Zmaj od Shipova (një bari boshnjak, i famshëm për pjesëmarrjen e tij në disa reality show). Gjithë të tjerët kanë frikë nga Dodik. Nga natyra, çdo qenie njerëzore i ka frikë ngacmuesit.
Në deklaratën e tij të fundit, Dodik thotë se askush nuk duhet të ketë frikë nga lufta dhe nga Republika Srpska. “Ne kemi jetuar gjithmonë në këtë tokë, e duam dhe urrejmë njëri-tjetrin në të njëjtën kohë. Por e kuptojmë njëri-tjetrin, ndaj duhet të qëndrojmë këtu, të pranojmë dallimet midis nesh dhe të vazhdojmë përpara. Shpresojmë pa armë…”- shprehet ai.
Fjalë diametralisht të kundërta me ato që shkroi një ditë më herët. Një ditë Dodik i akuzon të kthyerit në shtëpitë e tyre për komplot, pastaj i ofron menjëherë mbrojtje. Akuzon opozitarët si tradhtarë, pastaj i fton ata në dialog. Shpall se dëshiron të shkojë në Sarajevë për dialog, por më pas deklaron se asnjë politikan nga Sarajeva nuk dëshiron të vijë në Banja Luka.
Gjykuar nga deklarata e tij e fundit në rrjetet sociale, një jetë e qetë në Bosnje Hercegovinë duket tërësisht e mundshme. Mirëpo në fjalimet e tij, kërcënimet dhe veprimet e tij politike, nuk janë të mundura as paqja dhe as bashkëjetesa. Ky është edhe thelbi i problemit.
Milorad Dodik është ende i aftë të thotë një gjë dhe të nënkuptojë diçka tjetër. Ai mund të shtiret si një njeri i popullit, dhe në të njëjtën kohë, në qetësinë e restoranteve të shkëlqyera, të bëjë pakte me moshatarët e tij “në anën tjetër”, nga të cilët supozohej se do të na mbronte.
Ai mund të shkruajë për paqen. Por nëse do të ketë paqe apo jo, kjo është një çështje jashtë kontrollit të tij. Për këtë arsye, ky moment është shumë i rrezikshëm. Situata në Bosnje, nuk ka qenë kurrë kaq e rrezikshme që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në vitin 1995.
Paqja në Bosnje Hercegovinë nuk varet më nga sistemi, shteti, parlamenti, fuqitë ndërkombëtare, OKB-ja, BE-ja, dhe aq më pak nga Amerika. Milorad Dodik e ka kapërcyer këtë kufi. Një linjë që ndoshta krijonte ende mundësi për zgjidhjen e problemeve sipas mënyrës së zakonshme, me disa lëshime politike apo marrëveshje të festuara me një gotë raki.
Tani paqja varet nga rastësia. Nga rrethanat. Nga aftësia e shumicës, e cila ka qëndruar e heshtur dhe sipas leverdisë për dekada të tëra, dhe që këtë herë duhet të kuptojë se nuk duhet të bëhet bashkëpunëtore e një dinamike që mund të çojë në një konflikt të ri. Sepse nuk e kemi marrë ende veten nga lufta e fundit.
Luftë do të thotë tmerr, poshtërim dhe vdekje. Sot mjafton një incidenti i vogël për të shkaktuar një efekt domino, dhe për të shkatërruar atë pak paqe dhe jetë që na ka mbetur. Tashmë duhet të jetë e qartë: asgjë nuk është më e çmuar se paqja dhe jeta.
Kjo është arsyeja pse ia vlen të luftosh gjithmonë për paqen dhe jetën, veçanërisht atëherë kur beteja duket e humbur. Pikërisht në këto momente, duhet të luftojmë me më shumë këmbëngulje./ Përshtati "Pamfleti" nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje