Uashingtoni mund të fundosë marinën iraniane, siç bëri presidenti Ronald Reagan në vitet 1980. Mund të godasë bazat detare iraniane. Mund të shenjestrojë udhëheqjen iraniane, si me rastin e vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga presidenti Trump në vitin 2020...
Vazhdon përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme. Një sulm me dron ndaj një baze ushtarake të SHBA-së në Jordaninë Verilindore të dielën i mori jetën 3 ushtarakëve amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi ndërmori sulmin e tij terrorist ndaj Izraelit, në rajon ka pasur më shumë se 150 sulme me raketa dhe dron ndaj forcave amerikane. Por sulmi i së dielës ishte i pari që shkaktoi të vrarë në radhët e ushtrisë amerikane. Në deklaratën që bëri pak orë pas ngjarjes, presidenti amerikan Joe Biden tha se përgjegjës për sulmin janë grupet militante të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak, dhe se Teherani do të mbajë përgjegjësi. Po a do të ketë një sulm në shkallë të gjerë ndaj bazave dhe infrastrukturës ushtarake iraniane? Ja çfarë thonë disa nga njohësit me të mirë të kësaj çështjeje:
SHBA gënjeu veten kur besoi se po arrinte ta menaxhonte pa luftë Iranin dhe milicitë e tij.
Për vite me radhë, shumica e politikë-bërësve izraelitë besonin se kërcënimet nga Hamasi po menaxhoheshin me sukses. Se ishte e ulët mundësia e pasjes së shumë viktimave nga sulmet. Dhe se kur provokohej një përgjigje ushtarake, synohej vetëm një fushatë ajrore relativisht e shkurtër. Më 7 tetor 2023, ky besim u vërtetua të ishte 9 rremë.
Për vite të tëra, edhe politikë-bërësit amerikanë ishin të prirur të besonin se kërcënimet nga Irani dhe milicitë e tij po menaxhoheshin me sukses. Sulmi i së dielës e demaskoi edhe këtë iluzion. SHBA-ja duhej të kishte reaguar më herët me më shumë forcë, dhe këtë duhet ta bëjë tani.
Ajo duhet të ketë parasysh objektivat strategjike të SHBA-së për rajonin, dhe të kuptojë ato të Teheranit. Synimi kryesor i Teheranit është të dëbojë forcat amerikane nga rajoni, dhe këtë vit e sheh si një mundësi të artë. Ndjenjat anti-amerikane dhe pro-iraniane po rriten për shkak të luftës në Gaza.
Partitë me lidhje me Iranin, po ushtrojnë presion ndaj qeverisë irakiane për të nisur bisedimet me Shtetet e Bashkuara për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane. Thuhet se administrata Biden po mendon tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, edhe pse e mohoi atë pas publikimit të lajmit.
Duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, rebelët Huthi kanë marrë një mbështetje të paprecedentë, dhe tani janë objektivi i një fushate ajrore të SHBA-së. Teherani ka të ngjarë të supozojë se dhuna në rritje, do ta detyrojë në fund SHBA-në të tërhiqet nga rajoni ose do të detyrohet nga aleatët ta bëjë këtë.
Por Biden nuk duhet t’ia lejojë Teheranit këtë fitore. Ai duhet të kundërpërgjigjet me forcë ndaj këtij sulmi. Por duhet ta bëjë këtë në vende dhe në mënyra që minimizojnë rrezikun e provokimit të një lufte më të gjerë rajonale, dhe për të mos e detyruar qeverinë irakiane të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e trupave amerikane.
Ndaj do të ishte një lëvizje e zgjuar të shqyrtohen opsionet që përfshijnë goditjen e aseteve ajrore dhe detare iraniane, ndalimin me forcë të dërgesave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për aleatët e saj, zgjerimin e fushatës ajrore të SHBA kundër Huthi për të goditur udhëheqjen e saj dhe zbatimin e gjithanshëm të sanksioneve amerikane kundër Iranit.
Po ashtu, Shtëpia e Bardhë mund të marrë në konsideratë shenjestrimin e personelit iranian në Siri dhe eliminimin e udhëheqësve të veçantë të IRGC-së gjatë udhëtimit jashtë vendit, njëlloj siç u veprua me komandantit të IRGC-së Qasem Soleimani në fillim të vitit 2020.
William F.Wechsler,drejtor i Programeve të Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik. Më herët ka qenë zëvendës/ndihmës sekretar i Mbrojtjes për operacionet speciale dhe luftën kundër terrorizmit.
Ka ardhur koha që SHBA të përballet me kërcënimin që vjen nga Irani dhe jo vetëm nga milicitë e mbështetura prej tij...
Ndoshta udhëheqja e Iranit ka menduar se Shtetet e Bashkuara do të jenë të rezervuara në kundërpërgjigjen e tyre, pasi nuk do të rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe ndezjen e një lufte mbarë-rajonale, të cilën administrata Biden është përpjekur ta parandalojë gjatë 3 muajve të fundit.
Por me vdekjen e 3 ushtarakëve amerikane dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, administrata Biden duhet të rishqyrtojë qëndrimin e saj, dhe të vendosë nëse veprimet e kundërshtarit e kanë kapërcyer vijën e kuqe dhe nëse Shtetet e Bashkuara janë tashmë në një konflikt rajonal.
Përfundimi i natyrshëm është se ky nuk do të jetë sulmi i fundit ndaj forcave amerikane. Sigurisht sulme ka pasur edhe në të kaluarën. Por ajo që është e ndryshme në këtë rast, është se Jordania, ndryshe nga Iraku dhe Siria, nuk ka baza militantësh shiitë të mbështetura nga Irani.
Nëse nuk gjenden prova se sulmi me dron ishte një gabim apo një aksident, atëherë ky ishte një sulm jo vetëm ndaj forcave amerikane, por edhe ndaj Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, një aleate shumë e rëndësishme e SHBA-së në rajon. Irani ka treguar vazhdimisht gatishmërinë për të vënë në rrezik partnerët tanë arabë. Izraeli dhe Irani janë përfshirë prej kohësh në një luftë hije midis tyre. Shtetet e Bashkuara duhet të përcaktojnë nëse janë edhe ato në një luftë të tillë, dhe të reagojnë në përputhje me rrethanat.
Jonathan Panikoff, drejtor i Iniciativës për Sigurinë e Lindjes së Mesme në qendrën Scowcroft. Më herët ka qenë zëvendësoficer i inteligjencës kombëtare për Lindjen e Mesme në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës.
SHBA mund të kundërpërgjigjet kundër marinës së Iranit, lidershipit apo programit bërthamor
Irani ka zhvilluar javët e fundit një luftë në hije kundër Shteteve të Bashkuara dhe interesave të saj në Lindjen e Mesme. Tani 3 ushtarakë amerikanë kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Deri më sot SHBA-ja është treguar e kujdesshme në reagimin e saj, pasi ka pasur frikë nga “përshkallëzimi”. Por kjo logjikë ishte e gabuar.
Irani mësoi se mund të sulmonte edhe pa u ndëshkuar, dhe kujdesi i SHBA-së vetëm sa e nxiti të ishte më shumë agresiv. Parandalimi funksionon kur kundërshtari bindet se kostot për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe interesat e saj, janë shumë më të mëdha nga çdo përfitim i imagjinueshëm.
Tani parandalimi ka dështuar dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrim veprimet parandalues. Ato duhet t’i imponojnë Iranit një kosto të konsiderueshme që i tejkalon përfitimet e perceptuara nga agresioni siç e llogarit Teherani. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta godasin fort Iranin.
Uashingtoni mund të fundosë marinën iraniane, siç bëri presidenti Ronald Reagan në vitet 1980. Mund të godasë bazat detare iraniane. Mund të shenjestrojë udhëheqjen iraniane, si me rastin e vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga presidenti Trump në vitin 2020.
Por mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të degraduar programin bërthamor dhe raketor të Iranit. Këto veprime do t’i përcillnin Iranit mesazhin se i ka bërë llogaritë gabim dhe se sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara ishte një vendim që nuk duhet të përsëritet më. Vetëm kur të bëhet e qartë kjo, Republika Islamike do të frenojë dëshirën e saj për të mbjellë kaos në të gjithë rajonin./ Përshtati Pamfleti nga 'Atlantic Council'
Matthew Kroenig, drejtor i studimeve në Atlantic Council. Më parë ka punuar në politikën e Iranit në komunitetin e inteligjencës amerikane dhe Departamentin e Mbrojtjes së SHBA.
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje