Ekspertët vlerësojnë se miliona fuçi naftë vazhdojnë të kalojnë përmes rrugëve të fshehta detare, duke zbutur përkohësisht ndikimin e krizës energjetike të shkaktuar nga lufta me Iranin.
Një nga enigmat më të mëdha të ekonomisë globale mbetet fakti se tregu i naftës ka ruajtur një qetësi relative, pavarësisht një prej goditjeve më të mëdha në furnizim në historinë moderne.
Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore të energjisë, ka qenë praktikisht e paralizuar për tre muaj për shkak të luftës me Iranin. Sipas JPMorgan, trafiku i dukshëm detar në këtë korridor strategjik ka rënë në vetëm 15% të niveleve para konfliktit.
Megjithatë, çmimet e naftës nuk kanë arritur nivelet alarmante që shumë analistë kishin parashikuar.
Një nga shpjegimet kryesore është se sasi të konsiderueshme nafte bruto po arrijnë të kalojnë përmes bllokadës së dyfishtë në mënyrë të fshehtë. Sipas ekspertëve të cituar nga CNN, disa anije cisternë po çaktivizojnë sistemet e identifikimit elektronik (transponderët) për të shmangur zbulimin gjatë kalimit nëpër ngushticë.
JPMorgan vlerëson se gjatë dy javëve të fundit të majit, këto rrjedha të fshehta kanë arritur rreth 2,1 milionë fuçi në ditë. Para luftës, përmes Ngushticës së Hormuzit kalonin mesatarisht 15,6 milionë fuçi naftë në ditë.
Natasha Kaneva, drejtuese e strategjisë globale të mallrave në JPMorgan, thekson se pavarësisht bllokadës detare dhe rënies së fortë të trafikut tregtar, vëllime të konsiderueshme nafte dhe derivatesh vazhdojnë të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.
Kalime “fantazmë”
Bob McNally, president i Rapidan Energy Group, vlerëson se këto rrjedha të fshehta kanë ndihmuar në zbutjen e krizës.
“Ne supozonim se trafiku në Hormuz kishte rënë në 0%-10% të niveleve para luftës, por me këtë rrjedhje mund të jetë disi më i lartë”, tha ai për CNN.
Edhe Jan Stuart, ekonomist dhe strateg energjetik në Piper Sandler, vlerëson se rreth 2,9 milionë fuçi naftë në ditë dolën nga Hormuzi gjatë muajit maj. Sipas tij, rreth 2,1 milionë fuçi transportoheshin nga anije që paguanin tarifa për entitete iraniane, ndërsa afërsisht 900 mijë fuçi kalonin përmes të ashtuquajturave “kalime fantazmë”, me transponderët të fikur.
Sipas Stuart, këto flukse të fshehta kanë ndihmuar ndjeshëm në amortizimin e krizës energjetike.
Kina ul importet
Megjithatë, analistët theksojnë se rrjedhat klandestine nuk janë arsyeja kryesore që tregjet kanë mbetur relativisht të qeta.
Piper Sandler vlerëson se rreth 4,5 milionë fuçi naftë në ditë kanë dalë nga Gjiri Persik përmes rrugëve alternative, kryesisht përmes tubacionit Lindje–Perëndim që lidh fushat saudite të naftës me portin Yanbu në Detin e Kuq.
Një faktor edhe më i rëndësishëm ka qenë ulja e importeve të naftës nga Kina. Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka përdorur rezervat e saj strategjike në vend që të rrisë blerjet nga tregjet ndërkombëtare, duke reduktuar presionin mbi furnizimin global.
Kaneva argumenton gjithashtu se tregu mund të ketë nënvlerësuar rënien e kërkesës dhe të ketë mbivlerësuar mungesën e rezervave, gjë që ka ndihmuar në stabilizimin e çmimeve.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, ra në 93 dollarë për fuçi të premten. Ky nivel mbetet dukshëm mbi çmimet para luftës, që luhateshin rreth 70 dollarëve për fuçi, por është ende larg kulmit të fundit prej 114 dollarësh.
Paralajmërime për përkeqësim të situatës
Pavarësisht qetësisë relative në tregje, disa ekspertë të industrisë paralajmërojnë se ndikimet e plota të krizës ende nuk janë reflektuar.
Rezervat tregtare të naftës kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit, ndërsa Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së po i afrohet niveleve më të ulëta që nga fillimi i viteve 1980.
Jan Stuart paralajmëron se situata mund të përkeqësohet gjatë muajve të verës. Ai parashikon që çmimi mesatar i Brent-it mund të arrijë në 130 dollarë për fuçi gjatë korrikut dhe gushtit.
Nëse ky skenar materializohet, çmimet e karburanteve mund të rriten ndjeshëm, duke ushtruar presion të ri mbi ekonominë globale dhe konsumatorët.
Sipas Stuart, çmime më të larta mund të bëhen të nevojshme për të nxitur lirimin e mëtejshëm të rezervave emergjente të naftës dhe për të ulur konsumin global të energjisë.
Lini një Përgjigje