TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Qershor 2026, 16:28

Ngjarje e rëndë në Greqi/ Nëna përleshet me vrasësin e të birit, para se ai ta vriste dhe atë

Shkruar nga Pamfleti
Ngjarje e rëndë në Greqi/ Nëna përleshet me
Viktimat dhe vendi ku ndodhi krimi

Një ngjarje tragjike ka tronditur zonën e Longos në Aigio të Greqisë, ku një nënë 54-vjeçare dhe djali i saj 26-vjeçar u gjetën të vrarë brenda banesës së tyre. Autoritetet greke po hetojnë rastin si një vrasje të dyfishtë, ndërsa të dhënat e deritanishme po i drejtojnë hetimet në pistën e krimit.

Sipas informacioneve të publikuara nga media greke Protothema, viktimat u gjetën në një pellg gjaku brenda shtëpisë. Trupi i 26-vjeçarit u zbulua në shtratin e dhomës së tij. Ekspertiza paraprake tregoi se ai kishte marrë plagë në kokë nga një armë ajrore e tipit Flobert dhe më pas ishte goditur disa herë me thikë.

Nëna e tij u gjet e pajetë pranë hyrjes së dhomës. Sipas mjekut ligjor që mbërriti në vendngjarje, përveç plagëve nga thika, ajo kishte edhe dëmtime mbrojtëse në trup, çka tregon se ishte përpjekur të kundërshtonte autorin para se të humbiste jetën.

Hetuesit dyshojnë se autori fillimisht ka qëlluar 26-vjeçarin në kokë me armën ajrore dhe më pas e ka goditur për vdekje me thikë. Mendohet se zhurmat e sulmit kanë alarmuar nënën e tij, e cila ka shkuar për të parë çfarë po ndodhte dhe më pas është bërë viktima e dytë e sulmit.

Si i dyshuar kryesor për krimin po merret në pyetje një shtetas italian 65-vjeçar, partner i 54-vjeçares. Ai mohon çdo përfshirje në ngjarje dhe pretendon se u zgjua dhe i gjeti të dy të pajetë brenda banesës. Sipas deklarimeve të tij, më pas kërkoi ndihmë përmes një fqinji dhe njoftoi autoritetet.

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë ajrore dhe një thikë të fshehura në një vazo në oborr. Objektet janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar nëse janë përdorur në krim.

Ndërkohë, banorët e zonës shprehen të tronditur nga ngjarja. Ata deklarojnë se nuk kishin dëgjuar zhurma apo konflikte në banesë dhe se nuk kishin vënë re shenja që mund të paralajmëronin një situatë të tillë. Sipas tyre, e vetmja gjë që dinin ishte se 54-vjeçarja kishte probleme shëndetësore me zemrën dhe kishte udhëtuar së fundmi në Itali së bashku me partnerin e saj për arsye mjekësore.

greqi vrasje

Lini një Përgjigje