
Ministrja e Burimeve Minerale të Groenlandës ka refuzuar kategorikisht çdo përpjekjeje të Shteteve të Bashkuara për të vendosur mbi të ardhmen e burimeve natyrore të vendit, duke theksuar se asnjë fuqi e jashtme nuk mund të përcaktojë fatin e pasurisë minerare të territorit arktik.
“Gjithçka është e negociueshme, përveç sovranitetit tonë”, deklaroi në një intervistë për 'Politico' ministrja Naaja Nathanielsen, dy ditë pas bisedimeve me dyer të mbyllura mes presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë të cilave Trump pretendoi se ishte diskutuar dhe rënë dakord edhe për një marrëveshje mbi burimet e Groenlandës.
Nathanielsen vuri drejtpërdrejt në dyshim të drejtën e palëve të treta për të marrë vendime të tilla, duke sqaruar se vendi i saj “nuk do të pranojë që zhvillimi i ardhshëm i sektorit minerar të vendoset jashtë Groenlandës”. Siç theksoi ajo, çdo marrëveshje që do t’i lejonte një shteti tjetër, përveç vetë Groenlandës të kontrollonte burimet minerare të saj, është “thjesht jashtë çdo diskutimi”.
Tensionet u përshkallëzuan në fillim të javës, kur Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave masive ndaj vendeve të Bashkimit Evropian nëse nuk do të pranonin dorëzimin e Groenlandës SHBA-së.
Presidenti amerikan u tërhoq të mërkurën, duke deklaruar se kishte arritur në një “kuadër për një marrëveshje të ardhshme” me Rutte, megjithëse detajet e këtij kuadri mbeten të paqarta.
Sipas një zyrtari evropian që foli për Politico, ky kuadër mund të përfshijë krijimin e një komisioni mbikëqyrës për burimet minerare të Groenlandës. Ministrja e Burimeve Minerale e hodhi poshtë kategorikisht edhe këtë ide, duke theksuar se “do të përbënte një dorëzim sovraniteti, pasi bëhet fjalë për juridiksionin tonë dhe për mënyrën se si menaxhohen burimet tona”. Megjithatë, ajo la të hapur mundësinë e bisedimeve shumëpalëshe mbi këtë çështje.
Groenlanda disponon rezerva të konsiderueshme të elementeve të rralla të tokës, të afta të mbulojnë deri në një të katërtën e kërkesës globale për disa minerale, si dhe sasi të mëdha nafte, gazi natyror, ari dhe metalesh kritike për energjinë e pastër. Pavarësisht këtij potenciali, aktiviteti minerar mbetet ende shumë i kufizuar.
“Nuk po them se nuk mund të ketë asnjë marrëveshje”, theksoi Nathanielsen, duke shtuar se qeveria nuk kundërshton forcimin e kapaciteteve të NATO-s në Groenlandë apo forma të mbikëqyrjes, si dhe është e hapur për përmirësimin e marrëveshjes së bashkëpunimit minerar me SHBA-në të vitit 2019. “Ajo që nuk mund të bëjmë është të shkëmbejmë burimet tona minerare me sovranitetin tonë”, nënvizoi ajo.
Pas takimit të së premtes në Nuuk me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se, pavarësisht seriozitetit të situatës, “ekziston një rrugë që po përpiqemi ta ndjekim me amerikanët”. Më herët, ajo ishte takuar në Bruksel me Rutte për t’u informuar mbi bisedimet e tij me Trump.
Nielsen pranoi të enjten se ende nuk i njeh detajet e marrëveshjes, në një kohë kur Bashkimi Evropian po përshpejton përpjekjet për krijimin e zinxhirëve të furnizimit me lëndë të para, mes pasigurisë në rritje në aleancat globale. Groenlanda konsiderohet një faktor kyç në këtë strategji dhe që prej vitit 2023 ka nënshkruar një partneritet strategjik me BE-në për burimet minerare.
Nathanielsen vlerëson se SHBA-të kanë lëvizur më shpejt në ndërtimin e zinxhirëve të furnizimit, falë marrëveshjeve të shumta tregtare të Trump dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar, ndërsa BE-ja “ka ecur më ngadalë, pasi procesi është më kompleks”. Ajo përfundoi se tensionet janë zbutur pas përjashtimit të një ndërhyrjeje ushtarake nga Trump, por “njerëzit mbeten vigjilentë” dhe është bërë e qartë se “SHBA është aleate, por jo domosdoshmërisht mike në këtë moment”.
Lini një Përgjigje