Ministri kërkon përfshirjen e BE-së në zgjidhjen e çështjes së të drejtave të pakicave
Kryetari i partisë Alternativa Shqiptare dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi se Forumi Shqiptar mbështet futjen e listave të hapura zgjedhore si një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit më të madh të sistemit zgjedhor, por thekson qartë se pa mandate të garantuara për komunitetin shqiptar dhe atë kroat nuk mund të ketë drejtësi të plotë zgjedhore dhe as reforma të vërteta evropiane.
Këtë deklaratë ai e bëri sot përmes një njoftimi zyrtar.
Gjeloshaj njoftoi se do të paraqesë në procedurë parlamentare një amendament për rikthimin e mandateve të garantuara, duke e cilësuar këtë si kusht kyç për një sistem zgjedhor të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ai theksoi gjithashtu se liderët e partive të shumicës parlamentare, me nënshkrimin e marrëveshjes, kanë marrë përsipër detyrimin për ta zgjidhur këtë çështje.
“Në këtë kontekst, presim edhe përfshirje konstruktive të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, me qëllim mbështetjen e zgjidhjes së çështjes së të drejtave të pakicave në përputhje me standardet evropiane, duke pasur parasysh se kjo çështje është pjesë e detyrimeve që duhet të përmbushen për mbylljen e kapitujve të negociatave”, theksoi Gjeloshaj.
Ai shtoi se rruga evropiane nënkupton barazi dhe mbrojtje të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.
Ndërkohë, siç raportoi media “Vijesti”, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) do të propozojë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, me të cilat parashikohet futja e modelit të listave të hapura zgjedhore.
Ky model u mundëson votuesve që, përveç votimit për listën zgjedhore, të shprehin edhe mbështetje preferenciale për kandidatët nga ajo listë.
Nga ana tjetër, Kabineti i Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatović, deklaroi sot se është pozitive që edhe DPS po propozon tani diçka që e kishte kundërshtuar për vite me radhë.
Lini një Përgjigje