TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Janar 2025, 22:07

Frika që po kaplon Gjermaninë: A do të ngjiten në pushtet ekstremistët pas zgjedhjeve të shkurtit?

Shkruar nga Angelo Bolaffi

Frika që po kaplon Gjermaninë: A do të ngjiten në pushtet

Në lojë nuk është vetëm e ardhmja e demokracisë gjermane, por edhe e Bashkimit Evropian dhe asaj çfarë mbetet ende nga Perëndimi.

Opinioni publik dhe mediat italiane, po e shohin me një përzierje alarmi të madh, por edhe të një kënaqësie të fshehur (kjo e fundit quhet Schadenfreude në gjermanisht, gëzimi me fatkeqësinë e tjetrit), kriza e thellë ku ka hyrë ekonomia dhe jeta politike në Gjermani.

Elementi dominues i analizave, është befasia me fundin e stabilitetit të sistemit politik gjerman.

Një stabilitet që deri dje, italianët e kishin cilësuar, edhe para efikasitetit të admirueshëm të sistemit ekonomik dhe produktivitetit, si elementin vendimtar dhe themelues të Gjermanisë si zemra e fuqisë së Evropës.

Dëshmi për këtë lloj sjelljeje, është nostalgjia e madhe për Angela Merkel dhe mbretërimin e saj të gjatë, që po shfaqet në faqet e gazetave kryesore dhe në emisionet televizive, si një lloj Epoke e Artë tashmë e humbur nga Kontinenti i Vjetër.

Ndërsa në të njëjtën periudhë, pra midis viteve 2005-2021, Italia pati ishte 10 qeveri të ndryshme: nga e fundit e Berlusconit tek ajo e Draghit. Natyrisht ky është një rilexim i diskutueshëm i historisë.

Do të mjaftonte të kujtonim kritikat shumë të ashpra, që po këto gazeta dhe emisione kanë bërë dikur ndaj të ashtuquajturës politikë të masat shtrënguese ekonomike, të mbrojtura nga kancelarja dhe Gjermania, dhe të cilat “iu imponuan” Italisë në mesin e viteve 2000 gjatë “krizës e borxhit”.

Në realitet, Italia ka një interes jetik që Gjermania të rigjejë stabilitetin politik, dhe mbi të gjitha që të rimëkëmbet ekonomia e saj. Sepse Gjermania është partnerja e saj kryesore tregtare dhe i mirëqenies së vendit tonë (gjë që shpesh harrohet).

Italia është shumë e varur nga tërheqja e “lokomotivës gjermane”, dhe meqë nuk është asnjëherë shenjë e mirë për Evropën kur italianët dhe gjermanët nuk janë të sintoni midis tyre, fakti që dyja vendet nënshkruan një plan veprimi në nëntor të vitit të kaluar, që edhe nëse jo formalisht, në praktikë ka të njëjtën vlerë si Traktati i Elizesë midis Francës dhe Gjermanisë, mund ta favorizojë zhvillimin e një veprimi të përbashkët evropian, duke u nisur nga çështja tanimë e pashmangshme e kontrollit te fenomenit të migrimit.

Natyrisht, kjo nuk është hera e parë që ekonomia gjermane po përjeton një periudhë krize serioze. Për shembull, në fillim të këtij shekulli, pas përpjekjes gjigante për ribashkimin e vendit, Gjermania u përkufizua nga The Economist “si e sëmura e Evropës”.

Helmut Kohl (të cilit asnjë kritikë, nuk mund t’i heqë meritat e tij historike) garantoi një epokë të gjatë të stabiliteti politik, me koston e një shtyrjeje sistematike të reformave të nevojshme ekonomiko-sociale.

Edhe atëherë një luftë, ajo e shkaktuar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë po përgjakte sërish Evropës, ndonëse nuk arriti ta njollosë besimin euforik se Wendezeit (epoka e ndryshimit) e nxitur nga rënia e Murit të Berlinit, kishte shënuar vërtet fundin e historisë.

Por ngjashmëritë e dukshme, midis asaj që ndodhi gjatë çerek shekulli dhe realitetit të sotëm janë mashtruese Në fakt, pas zgjedhjeve të vitit 1998 dhe formimit të qeverisë midis socialdemokratëve dhe të gjelbërve, të udhëhequr përkatësisht nga Gerhard Schroeder dhe Joschka Fischer, sistemi politik gjerman ishte në gjendje të sillte një ndryshim rrënjësor, si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Miratimi i “Agjendës 2020”, aq shumë e dëshiruar nga kancelari socialdemokrat, mundësoi një reformë rrënjësore të sistemit të mirëqenies sociale dhe të tregut të punës që i garantoi Gjermanisë, siç u pranua me sinqeritet nga vetë Merkel, përfitimet më të mëdha të epokës së globalizimit, duke e bërë vendin lider në eksport botë.

Në politikën e jashtme, me ndërhyrjet ushtarake në krah të aleatëve të NATO-s në mbrojtje të Kosovës në emër të “kurrë më Aushvic”, në këtë rast me vullnetin e Fischer, Gjermania e theu me tabunë e vetë-imponuar të pacifizmit absolut.

Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur që nga zgjedhjet e vitit 2021, dhe koalicioni i udhëhequr nga Scholz, po del në pah si qeveria ndoshta më e dobët e Gjermanisë pas luftës, duke e zhytur të gjithë sistemin politik në një krizë nga e cila do të jetë shumë e vështirë të dalë.

Kancelari i ardhshëm, duhet të përballet me pasojat e Zeitenwende (nga ndryshimi  epokal) pas përfundimit të epokës së tregtisë së lirë e të multilateralizmit. Kjo do të thotë vendosje në praktikë në ekonomi dhe në shoqëri e “Agjendës 2030”, dhe në politikën e jashtme të bindësh votuesit se siguria e vendit (dhe e Evropës), nuk mund t’i besohet më dashamirësisë së lidershipit amerikan.

Dhe se për këtë arsye i takon Gjermanisë, në një botë të karakterizuar nga konkurrenca midis fuqive të mëdha, që të marrë përgjegjësi për historinë, gjeografinë dhe ekonominë. Prandaj sot nuk është e tepruar të flitet për një “çështje të re të Gjermanisë”.

Në lojë nuk është vetëm e ardhmja e demokracisë gjermane, por edhe e Bashkimit Evropian dhe asaj çfarë mbetet ende nga Perëndimi. Përndryshe, pikërisht siç ndodhi në fund të Republikës së Vajmarit, kur KPD (Partia Komuniste e Gjermanisë) hyri në një aleancë me NSDAP (Partia Nacionalsocialiste e Punëtorëve) për të diktuar axhendën politike në Gjermani, ketyë do të jetë ekstremizmi i populizmit kuqo-kaf i Sahra Wagenknecht dhe i neonazistëve të AfD (Alternativa fϋr Deutschland) e cila propozoi si kandidate për kancelare në zgjedhjet e ardhshme të 23 shkurtit Alice Weidel.

Dhe gjatë bisedës direkte në X me Elon Musk, Wiedel u përpoq ta shpërblente mbështetjen e marrë nga këshilltari i Trump, duke e paraqitur veten si një lloj ekstremisteje neoliberale si Havier Milei në Argjentinë.

Në fjalimin e saj, ajo përmendi temat “reale”, me të cilat synon të fitojë zgjedhjet: revizionizëm historik, mbështetje për Putinin, dhe projekti racist i “dëbimit” të punëtorëve të huaj. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Foglio”/

Lini një Përgjigje