
Projekti, që duhet të miratohet zyrtarisht nga qeveria e Benjamin Netanyahu, ndan Jerusalemin Lindor nga Bregu Perëndimor, duke copëtuar territoret palestineze...
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i njohur për qëndrimet e tij mesianike dhe të forta, ka shpallur miratimin përfundimtar të projektit të diskutueshëm të vendbanimeve “E1” në Bregun Perëndimor.
Ai e ka quajtur këtë vendim “historik”, duke theksuar se në praktikë ky projekt do të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke e bërë pothuajse të pamundur krijimin e një shteti të bashkuar palestinez.
“Ky është një hap i rëndësishëm që fshin në mënyrë praktike iluzionin e dy shteteve dhe konsolidon kontrollin e popullit hebre mbi zemrën e Tokës së Izraelit”, deklaroi Smotrich.
Projekti parashikon ndërtimin e rreth 3,500 njësive banimi në zonën e njohur si E1, mes Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim, duke ndarë praktikisht Bregun Perëndimor në dy rajone, veriore dhe jugore. Kjo do të pengonte zhvillimin e një metropole palestineze që lidh Jerusalemin Lindor me Betlehemin dhe Ramallahun. Lajmi ka shkaktuar menjëherë reagime të forta nga komuniteti ndërkombëtar.
Roli historik i “Blokut E1”
Siç raporton korrespondenti Davide Frattini për Corriere della Sera, zona e E1 është diskutuar për më shumë se 20 vjet. Bezalel Smotrich e prezanton projektin si një mënyrë për të “varrosur idenë e një shteti palestinez”. Aktualisht, në hartë E1 duket si një njollë e madhe blu, ndërsa lista e komplikimeve dhe kontestimeve është e gjatë. Projekti, që duhet të miratohet zyrtarisht nga qeveria e Benjamin Netanyahu, ndan Jerusalemin Lindor nga Bregu Perëndimor, duke copëtuar territoret palestineze.
Komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë presidentët amerikanë kanë kundërshtuar ndërtimin e këtyre 3,500 njësive banimi. Smotrich nënkupton se presidenti Donald Trump mund të ketë dhënë miratimin e tij. Ai u drejtohet vendeve që njoftojnë njohjen e shtetit palestinez: “Kjo është përgjigjja jonë, me veprime konkrete në terren, me shtëpi dhe lagje të reja.” Londra ka reaguar menjëherë me një protestë të fortë; ministri i Jashtëm David Lammy deklaroi: “Ne kundërshtojmë fuqishëm projektin.” Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë foli për mbështetje të “stabilitetit” në Bregun Perëndimor.
Historikisht, plani E1 ishte pezulluar nga Ariel Sharon në vitin 2005 nën presionin e George W. Bush. Edhe qeveria e Netanyahu në vitin 2009 nuk kishte guxuar ta rilancojë projektin. Tani Smotrich e shtyn, duke përdorur kërcënimin e rënies së koalicionit dhe duke ushtruar mbi kryeministrin një pushtet që nuk korrespondon me forcën elektorale të partisë së tij. Ai e ka nxitur Netanyahu-n të “zgjasë sovranitetin izraelit në gjithë Judenë dhe Samarien”, siç i quan biblikisht territoret e pushtuara. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje