Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur veten “hero lufte” lidhur me vendimin e tij për të urdhëruar sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Ai shtoi se edhe Netanyahu është hero lufte, pasi punuan së bashku. Duke folur në një intervistë në radio, Trump mbrojti vendimin e tij për të nisur sulme ndaj objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit në qershor, me qëllim, siç pretendoi ai, eliminimin e programit të Teheranit.
“Netanyahu është një hero lufte sepse punuam së bashku. Mendoj se edhe unë jam. Askush nuk interesohet. Unë i dërgova ato aeroplanë”, tha Trump, duke iu referuar urdhrit të tij për të bombarduar objektet bërthamore iraniane të fortifikuara rëndë gjatë konfliktit 12-ditor të Izraelit me Iranin në qershor.
Ai vazhdoi duke pretenduar se SHBA-të kishin eliminuar aftësitë bërthamore të Iranit që sipas tij do t’i kishin përdorur kundër Izraelit në dy sekonda nëse do të kishin pasur mundësi.
Presidenti ka pohuar disa herë gjatë muajve të fundit se sulmet izraelite dhe amerikane në Iran shkatërruan aftësitë e tij bërthamore , duke i krahasuar ato me bombat e hedhura në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në Luftën e Dytë Botërore.
Trump nuk ka luftuar kurrë në një luftë të vërtetë, as nuk ka shërbyer në ushtri.
Lini një Përgjigje