TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Prill 2026, 08:39

Evropa, rusët e “dëbuar” dhe 4 leksionet që vijnë nga Budapesti

Shkruar nga Eric Jozsef
Evropa, rusët e “dëbuar” dhe 4 leksionet që
Foto Ilustruese

Rezultati zgjedhor tregoi se sanksionet ekonomike dhe kushtëzimi i fondeve me shtetin e së drejtës dhanë frytet e tyre kundër populizmit. Hungaria provoi se modeli evropian mund t'i mbijetojë valës reaksionare, madje edhe kur kjo e fundit mbështetet nga fuqi të mëdha si Uashingtoni, Moska dhe Pekini.

Hungaria kthehet drejt Perëndimit, ose të paktën drejt Bashkimit Evropian. Në prag të votimit më të shumëpritur në vend, por edhe jashtë tij, Péter Magyar, lideri i "Tisza" (Partia e Respektit dhe Lirisë), e kishte deklaruar qartë se zgjedhjet parlamentare të 12 prillit përfaqësonin për vendin e tij një zgjedhje midis “Lindjes dhe Perëndimit”.

Të dielën, bashkëqytetarët e tij iu përgjigjën masivisht me “jo” distancimit nga Brukseli dhe hodhën poshtë afrimin gjithnjë e më të theksuar të Viktor Orbán-it me Moskën. Natyrisht, ndër arsyet e humbjes së udhëheqësit joliberal janë edhe konsumimi nga pushteti i gjatë, inflacioni i lartë dhe padurimi në rritje i opinionit publik ndaj korrupsionit të përhapur.

E megjithatë, gjatë një fushate zgjedhore të ashpër, kundërshtarët e atij kryeministri që dukej i pathyeshëm, rikthyen sloganin e vjetër të revoltës antisovjetike të Budapestit të vitit 1956: Ruszkik haza! (Rusët në shtëpi!).

Këtë herë ai që kthehet në shtëpi është Viktor Orbán, pas 16 viteve pushtet të pandërprerë. Për drejtuesit e Bashkimit Evropian ky zhvillim është një lehtësim. Por duhet të shërbejë edhe si një leksion më i gjerë me interes parësor për të gjithë qytetarët e BE-së. Ja cilat janë 4 mësimet që na vijnë nga Budapesti:

Leksioni i parë: Zgjerimi i vitit 2004, ku u mirëpritën dhjetë vende të reja, përfshirë Hungarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe tre shtetet baltike, ishte largpamës. Pavarësisht kritikave legjitime dhe shkeljeve të papranueshme të shtetit të së drejtës nga disa qeveri populiste në këto vende anëtare, nuk ka dyshim se integrimi ka shmangur më të keqen.

Pa spirancën e saj në BE, Hungaria sot do të ishte sipas gjithë gjasave një shtet autoritar i ngjashëm me Bjellorusinë e Aleksandër Lukashenkos, dhe tanket ruse mund të ishin shumë më afër ish-Perdes së Hekurt.

Prania e Budapestit në BE e lejoi që të mbante gjallë, edhe pse disi në mënyrë të pasigurt, një opozitë demokratike dhe pro-evropiane, atë që triumfoi dje, ashtu siç fituan në Poloni në qershor 2025 liberalët e Donald Tusk-ut.

Leksioni i dytë: Sanksionet e vendosura - ndonëse me vonesë - rezultuan të jenë shumë efektive. Kur në vitin 2022 u ngrinë fondet evropiane të destinuara për Hungarinë (18 miliardë euro, ose mbi 7 për qind të PBB-së), për shkak të shkeljeve të shtetit të së drejtës, për liderin e Fidesz-it u bë shumë më e vështirë të vazhdonte të “blinte” konsensusin shoqëror.

Leksioni i tretë: Evropa liberale dhe demokratike duhet të falënderojë ushtarët e Volodymyr Zelensky-t. Për një kohë të gjatë, Viktor Orbán lëvizi me mjeshtëri si një akrobat midis Brukselit dhe Moskës. Nën qeverisjen e tij, pa rënë në një rusofili të hapur, Hungaria - një komb i vogël i Evropës Qendrore me vetëm 10 milionë banorë dhe 1 për qind të PBB-së së BE-së - mendoi se mund të maksimizonte përfitimet duke marrë më të mirën nga të dyja palët.

Kjo lojë funksionoi derisa Rusia e Putinit pushtoi Ukrainën në shkurt 2022. Rezistenca e papritur e ukrainasve e detyroi Orbán-in të dilte hapur dhe të mbante anë, duke zgjedhur përfundimisht të mbështeste Kremlinin. Rezultati isté një izolim gjithnjë e më i madh nga Brukseli dhe refuzimi pasues nga shumë hungarezë, të cilët edhe pa qenë pro-ukrainas, e panë Moskën si një kërcënim më të madh se Kievi.

Leksioni i katërt: Ky votim tregon se, nëse asnjë zgjedhje në Hungari nuk kishte tërhequr më parë vëmendjen e kaq shumë evropianëve, terreni ishte përgatitur shumë kohë më përpara.

Një forum i përbashkët politik ekziston tashmë dhe qytetarët e “Kontinentit të Vjetër” e kuptojnë mirë se fati i tyre është i lidhur me atë të fqinjëve. Këtë e kuptuan si mbështetësit nacionalistë të Orbán-it (nga Marine Le Pen te Giorgia Meloni e Matteo Salvini, deri te Alice Weidel dhe Santiago Abascal), ashtu si edhe evropianistët që shohin te rezultati i djeshëm mundësinë për të dërguar një mesazh qëndrueshmërie përballë valës reaksionare ndërkombëtare.

Sepse Orbán nuk ishte thjesht udhëheqësi i një demokracie të vogël iliberale. Ishte ai që themeloi në Parlamentin Evropian grupimin e tretë politik, “Patriotët për Evropën”, dhe u vendos në qendër të atij mendimi anti-iluminist ku frymëzohet lëvizja MAGA.

Humbja e tij - pavarësisht mbështetjes së hapur dhe të fortë të administratës amerikane, e cila dërgoi zëvendëspresidentin JD Vance për të tentuar “shpëtimin e ushtarit Orbán”, por edhe dashamirësisë së Kremlinit të Vladimir Putinit dhe Kinës së Xi Jinping - provon se modeli i BE-së është në gjendje t’u rezistojë atyre që duan shkatërrimin e tij.

Rreziku më i madh për BE-në sot do të ishte mendimi se rreziku u shmang dhe vala reaksionare u shfry. Padyshim, pa “Kalin e Trojës” të Moskës në Bruksel, do të jetë më e lehtë të miratohet paketa e njëzetë e sanksioneve kundër Rusisë dhe të zhbllokohet huaja prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Megjithatë, nevoja absolute është ndërmarrja e hapave të mëtejshëm drejt autonomisë strategjike të BE-së. Që nga mbrëmja e djeshme, liderët evropianë nuk mund të fshihen më pas pretekstit të vetos hungareze për të justifikuar plogështinë e tyre./ Përshtati "Pamfleti" nga Nga “La Stampa”

zgjedhjet ne hungari fitroja e peter magyar ne hungari

Lini një Përgjigje