TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Janar 2025, 13:26

Elon Musk nuk ndalet, pas Gjermanisë sulmon kryeministrin britanik; kërkon ndërhyrjen e Mbretit për të shpërbërë Parlamentin

Shkruar nga Pamfleti
Elon Musk nuk ndalet, pas Gjermanisë sulmon kryeministrin britanik;
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Elon Musk

Në tre ditët e para të vitit 2025, Elon Musk udhëhoqi politikën globale përmes dhjetëra postimeve të shpejta, shpesh nxitëse për 210 milionë ndjekësit e tij në X.Njeriu më i pasur në botë bëri thirrje për lirimin e një ekstremisti të burgosur britanik të së djathtës ekstreme dhe i kërkoi mbretit Charles III të shpërndajë Parlamentin dhe të urdhërojë zgjedhje të reja të përgjithshme, teksa postoi meme dhe një mori sulmesh drejtuar kryeministrit Keir Starmer.

Elon Musk ka përhapur një tjetër polemikë pas deklaratave për Gjermaninë. Madje, shefi i X, po bëhet gjithnjë e më i pa kontrollueshëm.

Që nga nata e kaluar dhe gjatë gjithë ditës së sotme, ai ka postuar pa pushim në Twitter mesazhe të ashpra dhe akuza kundër qeverisë britanike dhe kryeministrit Keir Starmer, të cilët, sipas tij, janë bashkëfajtorë që kanë mbuluar hetime për përdhunime dhe dhunë seksuale të kryera nga banda aziatike dhe myslimane në Angli.

Miliarderi 52-vjeçar dhe pronar i Tesla, SpaceX, Starlink dhe X ka mbështetur ekstremistin e djathtë dhe xenofobin e dënuar, Tommy Robinson, alias Stephen Yaxley-Lennon, duke kërkuar lirimin e tij nga burgu dhe shfajësimin për krimet e fundit që ka kryer.

Po ashtu, Musk ka kërkuar ndërhyrjen e Mbretit Charles për të shpërbërë Parlamentin dhe shpallur zgjedhje të reja në Mbretërinë e Bashkuar, duke treguar një injorancë të thellë ndaj “kushtetutës” britanike, pasi vetëm kryeministri ka këtë fuqi.

Lufta e Musk kundër qeverisë britanike

Në çdo rast, lufta e Musk kundër Starmer dhe sistemit britanik kalon çdo ditë më shumë kufinjtë e sulmeve të habitshme, akuza dhe veprime të dukshme për shpifje kundër kryeministrit dhe qeverisë së tij.

Disa ditë më parë, Musk bëri publik mbështetjen e tij për Nigel Farage dhe partinë e tij të djathtë Reform UK, për të cilën tha se është i gatshëm të dhurojë dhjetëra miliona sterlina për të tronditur politikën britanike.

“Është shpresa e vetme për vendin”, fjalë të përdorura po ashtu për të lavdëruar ekstremin e djathtë gjermane, në një ideal të përbashkët populist ndërkombëtar.

Por mbështetja ndaj Tommy Robinson nga Musk – dhe jo vetëm rikthimi i profilit të tij X që ishte bllokuar më parë nga Twitter – është një hap radikal.

Aq sa madje edhe Farage ka qenë gjithmonë i ndarë nga veprimet e këtij aktivisti islamofob dhe racisti, i dënuar disa herë për krime të ndryshme, si falsifikimi i pasaportës, mosrespektimi i lirimit me kusht dhe shkelja e gjykatës për shpifje të përsëritura të refugjatëve sirianë.

Kërcënimet e Musk ndaj Starmer

Elon Musk nuk ndalet, pas Gjermanisë sulmon kryeministrin britanik;

Për ata që ndodhen në Angli ose në shtetet e tjera të Mbretërisë, algoritmi i X ka përmbytur përdoruesit me akuzat, sharjet dhe kërcënimet e Musk ndaj Starmer dhe politikës laburiste.

Musk ka shpërndarë vazhdimisht video dhe gënjeshtra të Tommy Robinson gjatë këtyre ditëve.

Ai ka ndërvepruar dhe ka rënë dakord me përdorues që kërkonin varje masive në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka kërkuar arrestimin e nënsekretares për Çështjet e Brendshme, Jess Philips, për refuzimin e kërkesës për një hetim kombëtar mbi abuzimet ndaj vajzave që ndodhën në Oldham, midis viteve 2011 dhe 2014, duke preferuar që hetimet të bëhen në nivel lokal –  ishte vendimi i qeverisë konservatore, siç i përmendi Farage./ Pamfleti

elon musk

Lini një Përgjigje