Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion të shtuar politik pas rezultatit të dobët të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale të zhvilluara të mërkurën në Britaninë e Madhe. Humbja më e thellë u regjistrua në Angli, ku u votua për 136 këshilla vendorë dhe ku laburistët humbën më shumë se 280 vende, duke rënë në vendin e katërt.
Sipas rezultateve të deritanishme, partia Reform UK e Nigel Farage rezulton forca më e votuar në disa zona kyçe, duke shënuar një avancim të ndjeshëm në skenën politike britanike.
Pavarësisht kritikave dhe thirrjeve për largim, Starmer deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Nuk do të largohem; votuesit janë të shqetësuar për ritmin e ndryshimit, por unë do të vazhdoj punën për të transformuar Britaninë”, tha Starmar.
Labour rrezikon gjithashtu të humbasë shumicën qeverisëse në parlamentin e Uellsit, ndërsa sinjale negative raportohen edhe nga Skocia, ku partia mund të pësojë tkurrje të mëtejshme.
Rezultati konsiderohet goditje e fortë për Starmer, vetëm dy vite pasi fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 me një nga shumicat më të mëdha në historinë moderne britanike.
Forca politike e Farage po siguron qindra vende në këshillat lokalë, kryesisht në veri të Anglisë, territore që tradicionalisht kanë votuar për Labour. Në të njëjtën kohë, Reform po dëmton edhe konservatorët në zona të jugut, përfshirë Essex-in. Analistët britanikë po e cilësojnë këtë zhvillim si një goditje të fortë ndaj modelit tradicional dypartiak.
Ndërkohë, Partia e Gjelbër po fiton terren në qytete universitare si Oxford dhe Exeter, ndërsa liberal-demokratët po marrin mbështetje në zona më të pasura të jugut. Një nga rezultatet pozitive për konservatorët erdhi nga Londra, ku ata rikthyen kontrollin mbi këshillin simbolik të ëestminster-it.
Nigel Farage e cilësoi rezultatin si një “ndryshim historik në politikën britanike”, duke deklaruar se Reform UK po fiton në zona që kanë qenë bastione të laburistëve prej më shumë se një shekulli.
Lini një Përgjigje