Agjencia shtetërore ruse RIA Novosti raportoi se industria serbe e mbrojtjes po vazhdon furnizimin me municione drejt Ukrainës, edhe pse autoritetet në Beograd kanë vendosur ndalime për dërgesa të tilla.
Sipas raportimit, municionet që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë po transportohen fillimisht në vende të treta dhe më pas po përfundojnë në Ukrainë. Burimi i cituar nga agjencia pretendon se kompanitë serbe nuk janë përballur me masa ndëshkuese për këto furnizime, çka sipas tij ka bërë që kufizimet të konsiderohen vetëm formale.
Në raport thuhet se për të shmangur kontrollet, nga Serbia eksportohen komponentë të veçantë, ndërsa montimi i produkteve përfundimtare realizohet në shtete të tjera.
Sipas të njëjtit burim, kompania serbe Zenitprom doo po planifikon të furnizojë mijëra predha 122 mm për sistemet raketore MLRS Grad. Komponentë dhe siguresa do të sigurohen nga kompania sllovene IZOP-K doo dhe ajo boshnjake Binas dd, ndërsa montimi final pritet të kryhet në Poloni.
“Sipas tij, kompania sllovene synon të sigurojë marrjen e certifikatës së përdoruesit përfundimtar në emër të Ministrisë polake të Mbrojtjes”, tha RIA Novosti.
Agjencia ruse theksoi gjithashtu se Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë kishte raportuar më herët për vazhdimin e furnizimeve me municione drejt Ukrainës, pavarësisht deklarimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për ndalimin e dërgesave të dyshimta pa autorizim të posaçëm.
Lini një Përgjigje