TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Mars 2026, 17:19

Bllokimi i tubacionit të naftës nga Ukraina, Sllovakia kërcënon të bllokojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

Shkruar nga Pamfleti

Bllokimi i tubacionit të naftës nga Ukraina, Sllovakia

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, paralajmëroi sot se vendi i tij do të bllokojë paketën e 20-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, nëse institucionet evropiane vazhdojnë të mbajnë një qasje që, sipas tij, favorizon Ukrainën në dëm të Bratislavës.

Fico lidh qëndrimin e tij me përplasjen e vazhdueshme për furnizimet me naftë përmes tubacionit Druzhba, i cili u ndërpre në fund të janarit. Ukraina ka deklaruar se dëmtimet lidhen me sulme ruse, ndërsa Moska e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Sllovakia dhe Hungaria e konsiderojnë ndërprerjen si veprim të qëllimshëm dhe kanë paralajmëruar reagime nëse situata vazhdon. Nga ana tjetër, autoritetet në Kiev kanë njoftuar për punime riparimi, por afatet për rikthimin e funksionimit kanë ndryshuar disa herë.

Kryeministri sllovak kritikoi edhe reagimin e Komisionit Evropian ndaj masave të brendshme të Bratislavës, përfshirë kufizimet në shpërndarjen e naftës për të huajt. Ai theksoi se Brukseli ka reaguar me paralajmërime të menjëhershme ndaj Sllovakisë, ndërsa nuk përdor të njëjtën qasje ndaj Ukrainës.

Komisioni Evropian na dërgoi menjëherë një letër kërcënuese brenda dy ditësh, ku kërcënonte me të gjitha veprimet e mundshme. Është e çuditshme që e njëjta gjuhë nuk përdoret në lidhje me Zelenskyn; ato janë plot dashuri dhe mirëkuptim”, deklaroi Fico.

Fico deklaroni se, nëse kjo linjë vazhdon, Sllovakia nuk do të mbështesë vetëm paketën e re të sanksioneve, por as përshpejtimin e mundshëm të anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Debati për tubacionin ka ndikuar edhe në vendimmarrjen për sanksionet, pasi Hungaria ka shprehur kundërshtime të ngjashme. Gjithashtu, Budapesti ka bllokuar një paketë ndihme financiare të BE-së për Ukrainën, duke shtuar tensionet brenda unionit.

Situata mbetet e hapur, ndërsa vendimet për sanksionet dhe mbështetjen ndaj Kievit varen nga konsensusi i shteteve anëtare.

fico kievi

Lini një Përgjigje