
Agjencia e Sigurisë Detare të Bashkimit Evropian (EMSA) ka lëshuar një paralajmërim për anijet tregtare që të shmangin ujërat territoriale të Jemenit, për shkak të rrezikut të shtuar nga sulmet e mundshme të rebelëve Houthi.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, ky paralajmërim vjen pas një sulmi me raketa të ndërmarrë nga Houthët ndaj Izraelit, ndërsa grupi i mbështetur nga Irani ka paralajmëruar vijimin e operacioneve ushtarake.
Autoritetet evropiane theksojnë se rreziku është veçanërisht i lartë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, zona strategjike për tregtinë globale. Një shqetësim i veçantë mbetet edhe mundësia e ndërprerjes së trafikut në ngushticën Bab al-Mandeb, një pikë kyçe që lidh rrugët kryesore detare ndërkombëtare.
Operacioni ushtarak i BE-së “EUNAVFOR ASPIDES” u ka bërë thirrje anijeve tregtare, veçanërisht atyre të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin, të shmangin këtë zonë derisa situata të stabilizohet.
Sipas vlerësimit të fundit, niveli i kërcënimit për anijet me lidhje izraelite konsiderohet “i lartë”, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme.
Lini një Përgjigje