Shtetet e Bashkuara po kërkojnë 500 miliardë dollarë kompensim për 175 miliardë dollarë ndihmë të paguar që nga viti 2022, shumë që do të paguhet me ekskluzivitetin dhe "përjetësinë" e burimeve minerale dhe infrastrukturën e një vendi të shkatërruar nga lufta.
Larg çdo ndihme të ardhshme për Kievin, Donald Trump i ka propozuar, në fillim të shkurtit, homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, të kompensojë me një çmim në formën e fajdeve ndihmën amerikane të dhënë që nga fillimi i pushtimit rus, në shkurt 2022.
Në një para-kontratë që ngjan me atë që një fitimtar do të kërkonte nga një armik i mundur, Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Ukrainës të drejta ekskluzive dhe "përjetësisht" mbi "burimet minerale, naftën dhe gazin, portet dhe infrastrukturat e tjera", sipas gazetës britanike 'The Telegraph', e cila ka pasur akses në dokumentin e shënuar "konfidencial". Një burim i Le Monde, i afërt me administratën presidenciale ukrainase, konfirmon autenticitetin dhe përmbajtjen e tij.
Para-kontrata specifikon se ajo rregullohet nga ligji i shtetit të Nju Jorkut, duke përjashtuar çdo juridiksion tjetër. Projekti propozon krijimin e një fondi të përbashkët investimesh midis Uashingtonit dhe Kievit për të siguruar që "palët armiqësore në konflikt të mos përfitojnë nga rindërtimi i Ukrainës". Ai përcakton gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të marrin, me një klauzolë prioritare, gjysmën e të ardhurave të Ukrainës nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, si dhe 50% të vlerës financiare të "të gjitha licencave të reja të lëshuara për palët e treta" për monetizimin e ardhshëm të këtyre burimeve.
Donald Trump ka përcaktuar publikisht një shumë prej 500 miliardë dollarësh (478 miliardë euro) si vlerën totale që kërkon nga Kievi. Kjo shumë është e barasvlershme me dy vjet e gjysmë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi që bombardohet çdo ditë dhe një e pesta e territorit të të cilit është e pushtuar.
Zhvatja e SHBA ndaj Ukrainës
Nuk dihet pse kjo shumë arrin nivele kaq të larta, pasi presidenti amerikan ka deklaruar në kanalin konservator Fox News se shpenzimet e SHBA-ve për Kievin arrijnë në 300 miliardë dollarë dhe ka shtuar se do të ishte "budallallëk" të shpenzohej më shumë. Në realitet, pesë paketat e ndihmës të miratuara nga Kongresi për Ukrainën arrijnë në 175 miliardë dollarë, prej të cilave 70 miliardë janë paguar kompanive amerikane të armëve.
Sipas mediave ukrainase, Volodymyr Zelensky ka refuzuar një marrëveshje mbi bazën e kësaj para-kontrate më 12 shkurt, ditën e vizitës në Kiev të Sekretarit Amerikan të Thesarit, Scott Bessent. Sipas The Washington Post, presidenti ukrainas pati vetëm disa minuta për të lexuar propozimin e Uashingtonit para takimit me Bessent.
Zelensky e ka kushtëzuar çdo marrëveshje për shfrytëzimin e burimeve nëntokësore ukrainase, qoftë me SHBA-të apo me vendet e Bashkimit Evropian, me garanci sigurie për vendin e tij. Refuzimi i Ukrainës i ka irrituar Shtetet e Bashkuara. Më 16 shkurt, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes, e cilësoi refuzimin si një vendim "afatshkurtër".
"Nuk është çudi që Zelensky e ka refuzuar këtë marrëveshje", tha diplomati i mëparshëm ukrainas Alexander Khara, sot president i grupit të analizës Centre for Defence Strategies. "Nuk mund të flas për përmbajtjen e dokumentit, por duket qartë në stilin e Trump-it. Ne po jetojmë në një epokë të re të perandorive."
"Nëse bëhet fjalë për 50% të licencave minerare aktuale, kjo duket si zhvatje," thotë Lana Zerkal, ish-zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Ukrainës për Integrimin Evropian (2014-2019), e cila nuk ka pasur akses në dokument. "Nëse kjo propozim përfshin burime që ende nuk janë eksploruar, do të thotë se përpara se të fillojë prodhimi duhet bërë një punë shumë e vlefshme për të studiuar vendburimet dhe për të përcaktuar nëse nxjerrja e tyre është ekonomikisht e mundur. Kjo mund të zgjasë nga pesë deri në njëzet vjet, pa asnjë garanci për sukses."
Një propozim i kundërt nga Kievi
Iniciativa për të ofruar burimet minerale të Ukrainës ndaj SHBA-ve vinte fillimisht nga vetë Volodymyr Zelensky. Ideja e tij, e shpallur në shtator 2024, ishte që duke tërhequr kompani amerikane për investime afatgjata në territorin ukrainas, të sigurohej një angazhim më i madh i Uashingtonit në mbrojtjen e vendit nga një sulm i mundshëm i Rusisë.
Por, presidenti ukrainas me shumë gjasa nuk e kishte pritur që kushte kaq poshtëruese do të viheshin në tryezë, kushte që më shumë i ngjanin ndëshkimit të një kundërshtari të mundur sesa një marrëveshjeje mes aleatësh. Për krahasim, negociatat e drejtpërdrejta mes Moskës dhe Uashingtonit, të cilat rifilluan më 18 shkurt, nuk përfshijnë kërkesa për reparacione dhe madje parashikojnë heqjen e disa sanksioneve ndaj Rusisë.
Sipas burimeve tona, administrata presidenciale ukrainase po punon për një kundërpropozim tërheqës për administratën Trump.
Reagime të ashpra në Evropë
Qasja e presidentit amerikan ka shkaktuar reagime të ashpra në Evropë. Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, e mbajtur nga 14 deri më 16 shkurt, disa zyrtarë e krahasuan këtë taktikë me "shantazhin mafioz", "zhvatjen" dhe "kolonializmin". Deputeti evropian gjerman, Sergey Lagodinsky, e përshkroi këtë marrëveshje si "përmbushje e plotë e dëshirave të Putinit".
Që nga Revolucioni i Maidanit në 2013 dhe largimi i presidentit pro-rus Viktor Yanukovych, Kremlini e ka paraqitur qeverinë ukrainase si një kukull të Uashingtonit dhe e ka përshkruar vendin si një vasal të Shteteve të Bashkuara. Moska, e cila ka nënshtruar de facto rajonet ukrainase të pushtuara që nga viti 2014, shpesh akuzon kundërshtarët e saj për të njëjtat ambicie që ajo vetë ndjek./ Përshtati nga Le Monde, Pamfleti
Lini një Përgjigje