Ministri i Jashtëm i Iranit e cilësoi këtë hap si një “gabim strategjik”
Vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për ta futur Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) në listën e organizatave terroriste është kritikuar nga autoritetet iraniane.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e cilësoi këtë hap si një “gabim strategjik”, duke deklaruar se disa vende po përpiqen të shmangin përshkallëzimin e konfliktit në rajon, ndërsa, sipas tij, vendet evropiane po kontribuojnë në tensione.
Në reagim, forcat e armatosura iraniane e përshkruan vendimin e 27 vendeve të BE-së si të papërgjegjshëm dhe të motivuar politikisht, duke e lidhur atë me ndikimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Më herët, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian arriti një marrëveshje politike për përfshirjen e IRGC-së në listën e organizatave terroriste të unionit, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj Iranit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se vendimi e vendos Gardën e Revolucionit në të njëjtën kategori me organizata si ISIS, Hamas, Hezbollah dhe Al-Kaeda, duke përmendur shtypjen e protestave në Iran si një nga arsyet kryesore.
E pyetur për mundësinë e mbështetjes së një veprimi ushtarak kundër Iranit nga ana e SHBA-së, Kallas tha se rajoni nuk ka nevojë për një konflikt të ri.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se autoritetet iraniane mbajnë përgjegjësi për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.
Me këtë vendim, Bashkimi Evropian harmonizon qëndrimin e tij me atë të vendeve si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.
Lini një Përgjigje