Brukseli dhe NATO po hedhin themelet e një “Schengeni ushtarak” që do të lejojë lëvizjen e shpejtë të trupave dhe armëve në gjithë Europën. Paralelisht, BE paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme po kërcënon ekonominë, energjinë dhe furnizimet ushqimore të kontinentit.
Bashkimi Evropian dhe NATO kanë rënë dakord për një projekt infrastrukturor prej 100 miliardë eurosh, i cili do të vendosë themelet për një zonë “Schengen ushtarak”, me qëllim përshpejtimin e lëvizjes së trupave dhe pajisjeve ushtarake në të gjithë Europën.
Lajmi është publikuar nga media greke eKathemerini, e cila citon Komisionerin për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, gjatë një konference në Athinë.
Projekti, tha ai në samitin “Energy Transition Summit: East Med & Southeast Europe”, të organizuar nga Financial Times, parashikon zhvillimin e 500 “pikave kyçe”, ku infrastruktura për të lehtësuar mobilitetin ushtarak do të krijohet ose do të forcohet gjatë tre deri në katër viteve të ardhshme.
Sipas tij, kjo do të përshpejtojë ndjeshëm kohën e nevojshme për transferimin e trupave dhe materialeve ushtarake nga një pjesë e bllokut europian në tjetrën, si për stërvitje ushtarake, ashtu edhe në raste emergjencash.
Gjithashtu, do të krijohet edhe një rezervë e përbashkët, ose një “pool”, pajisjesh ushtarake, e modeluar sipas mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Europian, tha Tzitzikostas.
Ai shtoi se rregullorja për këtë projekt do të jetë gati deri në vitin 2027, ndërsa infrastruktura pritet të përfundojë në fillim të vitit 2030.
Tzitzikostas u shpreh gjithashtu optimist për sezonin turistik të këtij viti, pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të fluturimeve dhe rritje të çmimeve të karburantit.
Ai tha se turistët duhet të ndihen të sigurt për rezervimin e pushimeve të tyre në Europë këtë verë, pasi furnizimet me karburant për avionët në kontinent mbeten të garantuara.
“Nuk kemi asnjë sinjal se po na mbaron karburanti për avionët”, deklaroi Tzitzikostas, duke shtuar se 70% e karburantit për aviacion prodhohet brenda Bashkimit Europian dhe se blloku disponon rezerva të konsiderueshme, të cilat Komisioni Europian po i evidenton aktualisht.
Anulimet e fluturimeve në të gjithë BE-në, që kanë shkaktuar shqetësim në prag të sezonit turistik, “lidhen me kostot dhe jo me mungesat”, tha ai.
Megjithatë, komisioneri grek pranoi se tensionet në Lindjen e Mesme, dhe sidomos ndërprerjet e fluturimeve në qendrat kryesore ajrore të rajonit, do të kenë në mënyrë të pashmangshme ndikim te ardhjet turistike këtë vit.
“Sigurisht që do të kemi një rënie të turistëve nga tregu aziatik”, tha ai.
“Por çdo humbje që mund të kemi nga disa pjesë të botës, do ta rikuperojmë përmes turizmit brenda Europës.”
Tzitzikostas theksoi gjithashtu se Europa ka udhëzime dhe mbrojtje shumë të qarta për udhëtarët.
“Pasagjerët janë të mbrojtur, ndaj nuk duhet të ndihen të rrezikuar kur rezervojnë pushime në Europë”, u shpreh ai.
Ai tregoi më shumë kujdes lidhur me ndikimin më të gjerë ekonomik të krizës në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se nëse lufta, e cila deri tani i ka kushtuar Europës rreth 35 miliardë euro, nuk përfundon brenda javëve të ardhshme, “do të shkaktojë probleme në ekonominë reale”.
Sipas tij, shqetësimi më i madh lidhet me ndikimin e vazhdueshëm te çmimet e energjisë, por edhe te plehrat kimike, të cilat, të kombinuara me afrimin e dimrit pas disa muajsh, mund të ushtrojnë presion mbi furnizimet ushqimore.
“Situata është tepër problematike”, tha ai, duke shtuar se Komisioni Europian “ka publikuar tashmë një paketë masash që shtetet anëtare mund t’i zbatojnë menjëherë”, për të zbutur një pjesë të pasojave.
I pyetur nëse po shqyrtohet edhe një skemë e përbashkët huamarrjeje në nivel europian, Tzitzikostas u përgjigj se “gjithçka është mbi tavolinë”.
Lini një Përgjigje