Një publikim i ambasadës së Iranit në Londër ka shkaktuar shqetësim të madh te autoritetet britanike dhe komuniteti iranian në diasporë, pasi u bën thirrje iranianëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar të regjistrohen në një program zyrtar të quajtur “Jan Fada”, që përkthehet si “sakrificë jete”.
Sipas Daily Mail, mesazhi i publikuar nga përfaqësues të ambasadës inkurajon “bashkatdhetarët krenarë iranianë që jetojnë në Britani” të marrin pjesë në këtë program. Thirrja u drejtohet “të gjithë bijve të guximshëm dhe fisnikë të Iranit” që kanë “dëshirë për mbrojtjen e atdheut”, duke e paraqitur pjesëmarrjen si shprehje “solidariteti, besnikërie dhe përkushtimi kombëtar”.
Përmbajtja e mesazhit ka ngritur shqetësime të veçanta. Në publikimin në gjuhën persiane në kanalin zyrtar të ambasadës në Telegram thuhet: “Le t’i japim të gjithë trupat tanë për t’u sakrifikuar; sepse është më mirë se sa ta dorëzojmë vendin tonë te armiku”.

Programi “Jan Fada” ka nisur muajin e kaluar. Një përfaqësues i ambasadës ka deklaruar se ai “nuk promovon asnjë formë armiqësie”. Megjithatë, një nismë e ngjashme nga ambasada iraniane në Canberra po hetohet nga autoritetet australiane, ndërsa ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për rreziqe serioze.
Roger McMillan, ish-drejtor sigurie i rrjetit Iran International, e cilësoi situatën shqetësuese: “Është alarmante që një gjë e tillë ndodh në territor britanik. Kjo është një përpjekje për radikalizim online të individëve që mund të shtyhen të veprojnë në favor të Republikës Islamike brenda Mbretërisë së Bashkuar”.
Ai theksoi se kjo përbën një kërcënim për sigurinë dhe mënyrën e jetesës, duke shtuar se iniciativa mund të përdoret për të identifikuar mbështetës të regjimit jo për t’i kthyer në Iran, por për veprim brenda Britanisë.

Nga ana tjetër, Dr. Nadeh Fala nga organizata Iranian Human Rights & Allies e quajti zhvillimin një “sinjal alarmi”, duke i bërë thirrje qeverisë britanike të shpallë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste. Sipas tij, IRGC po përpiqet aktivisht të radikalizojë dhe rekrutojë individë në territor britanik.
Zhvillimet ndodhin në një klimë të tensionuar sigurie. Autoritetet po shqyrtojnë edhe lidhje të mundshme të Iranit me incidente të fundit në Londër, përfshirë sulme ndaj ambulancave hebraike dhe një zjarrvënie në një sinagogë, për të cilën një grup i lidhur me Teheranin ka marrë përgjegjësinë.
Në këtë kontekst, kryeministri britanik Keir Starmer ka premtuar ta përfshijë IRGC në listën e organizatave terroriste, megjithëse legjislacioni përkatës ende nuk është miratuar.
Ndërkohë, ambasada iraniane në Londër ka mbrojtur programin, duke deklaruar se ai u drejtohet iranianëve që duan të mbështesin vendin e tyre dhe “nuk promovon asnjë formë armiqësie”, ndërsa i cilësoi kritikat si të pabazuara dhe të ndikuara nga paragjykime.
Lini një Përgjigje