Ajatollahët e cilësojnë si ekzistencial rrezikun me të cilin përballen, sidomos pas paralajmërimi të Netanyahut javën e kaluar se rënia e regjimit në Iran “do të ndodhë shumë më shpejt nga sa e mendojnë njerëzit”.

Pas breshërisë së dytë masive të raketave që lëshoi Irani javën e kaluar, e cila dështoi t’i shkaktonte ndonjë dëm të madh objektivave të tij në Izrael, fjalimi i Ajatollah Khameneit - i mbajtur enkas në arabisht - tregoi shumë se kush është audienca e tij kryesore.
Ai deklaroi se fraksionet e “rezistencës”, si Hamasi dhe Hezbollahu ofruan një “shërbim jetik” për myslimanët e “të gjithë rajonit” dhe se ata “nuk do të tërhiqen”, ndërsa Irani nuk do t’u ofrojë më shumë sesa një mbështetje retorike. Ushtritë përfaqësuese transnacionale të Iranit, janë
një mburojë mbrojtëse për vetë Iranin, dhe Khamenei do të kënaqej t’i shihte të gjitha këto milici arabe të sakrifikuara për kauzën e lartë të mbijetesës së regjimit në Teheran.
Garda Revolucionare do të nxjerrë tashmë mësimet e duhura nga asgjësimi i udhëheqjes së Hezbollahut, por edhe nga dështimi i Iranit për t’u përballur me Izraelin. Ndërsa Ajatollahët nuk do të heqin dorë nga ideologjia e tyre paranojake dhe ekspansioniste e eksportimit të revolucionit, do të kërkojnë strategji të reja për të manovruar dhe mposhtur armiqtë e shumtë të Teheranit në fazat e ardhshme të konfliktit.
Kështu, ata do të shtojnë përpjekjet për të arritur kapacitetin ushtarak të prodhimit të bombës bërthamore, sepse siç do të argumentojnë Ajatollahët, ngjarjet mund të kishin shkuar ndryshe nëse Teherani do ta zotëronte tashmë bombën bërthamore.
Sidomos nëse Izraeli sulmon industrinë e naftës iraniane, do të ishin të pashmangshme kërcënimet e reja për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, së bashku me shtimin e sulmeve të rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, apo sulmet me raketa ndaj shteteve të Gjirit Persik, gjë që do të sillte rritjen e çmimeve të naftës dhe kosto të tjera ekonomike që e bashkëshoqërojnë.
“Në rast se nis lufta energjetike, bota do të humbasë 12 milionë fuçi naftë në ditë. Ose të gjithë do të përfitojnë nga energjia, ose të gjithë do të privohen nga ajo!”- ishte kërcënimi i Abu Ali Al-Askari nga Kata’ib Hezbollah, milicia irakiane e mbështetur nga Teherani.
Javën e kaluar, një avion mallrash që udhëtonte në hapësirën ajrore të Irakut, në rrugën nga Irani për në Liban, u detyrua të kthehej mbrapsht pasi Izraeli dyshonte se mund të transportonte armë. Po ashtu, Izraeli i ka shtuar bombardimet në kufirin Liban-Siri, për të penguar lëvizjet e municioneve dhe njerëzve.
Me kalimin e kohës, Irani do të synojë të furnizojë sërish Hezbollahun me armë dhe fonde, edhe pse rindërtimin e Libanit ua lë të tjerëve. Por Teherani mund të mos nxitojë. Marrëdhëniet e Ajatollahëve me milicët e Iranit, janë të rrënjosura tek lidhjet e vjetra e të ngushta me udhëheqësit e milicive.
Udhëheqja në ripërtëritje e sipër e Hezbollahut, do të jetë e panjohur dhe e paprovuar. Depërtimi i jashtëzakonshëm i Izraelit, dhe neutralizimi i rrjetit të komunikimit të Hezbollahut do të kërkojë mekanizma të rinj për të parandaluar spiunazhin dhe sabotimin. Rrjedhimisht, Hezbollahut do t’i duhet shumë kohë për të rikthyer qoftë edhe një hije të prestigjit të tij të mëparshëm.
Vrasja e kreut të tij Hassan Nasrallah, do ta thellojë epërsinë rajonale të milicive irakiane. Me një forcë prej rreth 240.000 vetësh, Al-Hashd Al-Shaabi në Irak është shumë më i madh se Hezbollahu. Buxheti i tij vjetor prej 3.5 miliardë dollarësh dhe asetet e shumta ekonomike, janë shumë herë më të mëdha se sa rrogat që Hezbollahu merr nga Irani.
Teherani e konsideron Irakun, që mbron krahun perëndimor të Iranit, si xhevahirin e kurorës së milicive të tij rajonale, ndaj po përpiqet që ta distancojë nga lufta aktuale. Kur paraushtarakët irakianë dhe sirianë janë ofruar që t’i bashkohen luftës në Liban, atyre u është thënë vazhdimisht se nuk janë të nevojshëm, pjesërisht nga frika se do të sulmohen në pikat kufitare e cenueshme.
Ashtu siç Nasrallah mori rolin e udhëheqësit rajonal pas vdekjes së Qassim Soleimani dhe Abu Mahdi Al-Muhandis në vitin 2020, pritet që kryekomandantët mëndjemëdhenj irakianë si Kais Al-Khazali, Abu Fadak Al-Mohammadaëi dhe Akram Al-Kaabi të përpiqen të kenë ndikim në të gjithë rajonin.
Ndoshta milicët irakianë, do të kenë rol kryesor në rindërtimin e Hezbollahut, Hamasit dhe Houthis pas kësaj lufte. Angazhimi i Amerikës për t’u tërhequr nga Iraku dhe Siria, është një fitore e madhe për këta përfaqësues. Kjo mund t’i inkurajojë ata të shënjestrojnë më tej Jordaninë, nga ku forcat amerikane neutralizuan sulmet me raketa të Iranit drejt Tel Avivit.
Micilët irakianë kanë qenë aktivë në synimin e tyre për destabilizim e mbretërisë jordaneze, në një mënyrë që do t’i lejonte ata të rivendoseshin në kufijtë lindorë të Izraelit, duke e lënë Izraelin
të rrethuar dhe në një gjendje të pasigurt. Udhëheqësit e Irakut janë të shqetësuare se aktivitetet provokuese të milicisë, si lëshimi i raketave drejt bazave amerikane apo edhe drejtpërsëdrejti ndaj Izraelit, mund ta pozicionojnë vendin direkt në vijën e zjarrit.
Tërheqja e SHBA-së nga Siria Lindore, do t’ lejojë milicitë atje të konsolidojnë korridorin e tyre të kontrollit nga Teherani në Mesdhe. Edhe pse Izraeli mund të dalë një fitimtar i padiskutueshëm nga kjo luftë, një Teheran i poshtëruar dhe hakmarrës mund të jetë ende në gjendje ta shfrytëzojë situatën e brishtë rajonale për të forcuar epërsinë e përfaqësuesve të tij.
Qytetarët libanezë e kanë kritikuar ashpër Hezbollahun në rrjetet sociale, se ka shkaktuar nivele biblike të shkatërrimit në Bejrut dhe Liban, ndërsa mezi i dha një goditje Izraelit. Dje bëra pazar në një ushqimore në pronësinë e një libanez emigrant shiit. Ai u shpreh i bindur se Nasrallah është ende gjallë, se Hezbollahu nuk ka përdorur ende armët e tij të rënda, të cilat ai pret që ta transformojnë fushën e betejës.
Kjo tregon se njerëzit e kanë të vështirë të pajtohen me realitetin e ri. Ashtu siç lufta e vitit 1967 që ishte një pengesë e madhe për vetëbesimin e arabëve, sapo të përfundojë kjo luftë Hezbollahu mund të përballet me një llogaridhënie të brendshme me pasoja shkatërruese.
Fraksionet politike libaneze, duhet të shfrytëzojnë shtypjen e shkaktuar nga Hezbollahu, për të ndjekur një formulë politike të ndryshme, bazuar tek parime demokratike jo sektare, dhe duke parandaluar bllokimin për një kohë të pacaktuar të emërimeve në postet kyçe të presidentit dhe kreut të qeverisë.
Që nga viti 1947, fitoret vendimtare të Izraelit kanë mbjellë vetëm urrejtje, radikalizëm dhe hakmarrje. Ashtu siç bombat thërrmuese, fosfori dhe uraniumi i varfëruar i mbetur në fushat e betejës apo helmi i prodhuar nga fushatat disproporcionale të ndëshkimit kolektiv të Izraelit, solli krijimin e Hamasit, Hezbollahut dhe ISIS-it.
Versionet e radikalizuara të Hamasit dhe Hezbollahut, do të shfaqen edhe të ardhmen, duke qenë edhe më të vendosur në mënyrë të paepur për të siguruar shkatërrimin e Izraelit. Mullahët e Teheranit janë përballur me pengesa të mëdha në të shkuarën, në raport me synimin e tyre të vjetër për dominim në rajon.
Eleminimi i udhëheqjes së lartë të Hezbollahut, vështirë se do të shkaktojë ndonjë ndryshim të mendësisë së regjimit iranian. Ajatollahët e cilësojnë si ekzistencial rrezikun me të cilin përballen, sidomos pas paralajmërimi të Netanyahut javën e kaluar se rënia e regjimit në Iran “do të ndodhë shumë më shpejt nga sa e mendojnë njerëzit”.
Humbjet e mëparshme të Iranit, janë pasuar nga riarmatimi, sponsorizimi i forcave të reja paraushtarake, dhe devijimi i fondeve të mëdha shtesë nëpërmjet Gardës Revolucionare. Një vit nga sulmet e 7 tetorit, Irani e di se është tejkaluar ndjeshëm në fuqinë e tij, dhe se tashmë është duke zhvilluar konfliktin e radhës.
Bota duhet të jetë një hap përpara, për të parandaluar ripërtëritjen e flukseve të armëve dhe fondeve në Liban dhe Irak, bërë përpjekje të reja për të frenuar programin bërthamor të Iranit, dhe duke shfrytëzuar njëkohësisht dobësinë e përkohshme të micilive pro-iraniane në rajon, për të mbështetur çarmatimin e tyre dhe për të garantuar një qeverisje të lirë nga ndërhyrjet e lëvizjeve paraushtarake./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”
Lini një Përgjigje