
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e cilësoi Hezbollahun si një “kukull” të Iranit. Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, ai tha se historia ka treguar se zgjidhja ushtarake nuk funksionon kur ka një problem të rrënjosur thellë në një rajon si Lindja e Mesme.
Borrell u shpreh se Libani është një vend shumë i paqëndrueshëm, pasi sipas tij brenda shtetit ka një shtet tjetër, që është Hezbollahu. Ai e cilëson këtë të fundit si një kukull të Iranit.
Borrell vuri në dukje se “Hezbollahu ka një krah politik, ka anëtarë në qeverinë libaneze, anëtarë që janë parlamentarë, por ka gjithashtu një krah ushtarak, të cilin ne e klasifikojmë si një organizatë terroriste”.
“Pa një kompromis të fortë, pa reforma politike, brenda shoqërisë libaneze të udhëhequr nga populli dhe aktorët libanez, pa të gjitha këto, asgjë nuk mund të ndodhë. Askush nuk mund t’i zëvendësojë ata dhe të bëjë për ta atë që duhet bërë”, tha Borrell.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së u shpreh gjithashtu se Komisioni ka premtuar se do të sigurojë 1 miliard euro për rindërtimin e Libanit, por sipas tij duhet të jepet një afat specifik kur të ketë angazhime të tilla.
Lini një Përgjigje