“Ne e dimë se sot jemi prapa rusëve. Unë nuk mund t'ju them saktësisht se sa do të kushtojë përgatitja në nivelin e duhur. Por me siguri që për secilin nga vendet anëtare, do të kushtojë më tepër se sa 2 për qind. Dhe rusët e dinë këtë gjë”
Utøya ishte e mbuluar nga mjegulla kur unë Jens Stoltenberg hipëm tragetin nga pjesa kontinentale. Ishulli i vogël i pyllëzuar në periferi të Oslos, është një vend me një domethënie të madhe personale për Stoltenberg. Ai kalonte aty gjithnjë verën kur ishte adoleshent.
Më vonë, si kryeministër i Norvegjisë, ai mbajti zi për sulmin terrorist të një ekstremisti po në Utøya, që e tronditi mbarë botën. Pak ditë më parë, 65-vjeçari përfundoi pas një dekade drejtimin e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë. NATO, e udhëhequr nga SHBA - në total 32 vende, që përbëjnë 55 për qind të shpenzimeve ushtarake globale - e ka mbështetur sigurinë e Evropës për 75 vjet.
Që nga shkurti i vitit 2022, ai kishte 3 detyra të njëkohshme:mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës kundër pushtimit rus, paralajmërimin e publikut perëndimor për kërcënimin që paraqet presidenti Vladimir Putin, dhe shmangien e apokalipsit nga një lufte bërthamore me Moskën.
Dhënia prioritet e uljes së tensioneve, e dëmtoi mbështetjen ndaj Kievit. “Nëse ka diçka për të cilën pendohem, është se duhet t’i kishim ofruar Ukrainës shumë më tepër mbështetje ushtarake dhe shumë më herët. Duhet t’u kishim dhënë atyre më shumë armë që para pushtimit. Dhe duhet t’u kishim dërguar me shpejt armë më të përparuara pas fillimit pushtimit. Në këtë aspekt unë marr pjesën time të përgjegjësisë”- thotë Stoltengerg.
Ish-shefi i NATO-s, e pranon se dërgimi i armëve të rënda shkaktoi një diskutim i madh, dhe shumica e aleatëve ishin kundër, pasi kishin shumë frikë nga pasojat. Stoltenberg lindi në gjirin e elitës politike të Norvegjisë. Babai i tij, Thorvald, ishte një nga figura e rëndësishme të Partisë Laburiste dhe mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes kur Jensi kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Ai kujton se një rast kur Nelson Mandela erdhi në shtëpinë e tij për të ngrënë mëngjesin me ta.
Një aktivist energjik i së majtës si adoleshent, antiamerikanizmi i Stoltenberg ishte gjithsesi më i moderuar kur në moshën 26-vjeçare u zgjodh udhëheqës i Lidhjes Rinore të Punëtorëve të lidhur me Laburistët (AUF).
Tetë vjet më vonë, në vitin 1993, u bë ministër, ndërsa në vitin 2000 mori postin e kryeministrit. Qeverisja e tij, e karakterizuar nga reforma liberale si privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, zgjati vetëm 19 muaj. E pyes mbi paralajmërimet e reja të Putinit dhe kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore.
“Kur isha në krye të NATO, unë kërkova të tejkalohen të gjitha të ashtuquajturat ‘vija të kuqe’
të Putinit. Ne i kemi kaluar shumë prej tyre, dhe ai s’ka bërë asgjë. E vërteta është se nëse presidenti Putin dëshiron të përshkallëzojë veprimet deri në përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, ai mund të krijojë të gjitha justifikimet që i nevojiten. Deri më sot, ne i kemi quajtur bllofe të tij”-shprehet Stoltenberg.
Megjithatë ai nuk ka qenë gjithmonë në luftë ndaj Rusisë. E pyes se si e kaloi një dekadë si një kontakt i ngushtë i KGB-së. “Ajo ishte një periudhë shumë e çuditshme. Imë atë më tha se të vetmit njerëz me të cilët duhet të bisedosh në ambasadën ruse janë agjentët e KGB-së, pasi ata janë të vetmit që kanë njëfarë ndikimi”- tregon ai.
Takimet u zhvilluan në vitet 1980, kur Stoltenberg drejtonte Lidhjen Rinore të Punëtorëve. “Nuk kam bërë asnjëherë diçka për të cilën më vjen turp. Ideja ishte që të më ftonin për drekë. Dhe unë takohesha një herë në muaj me një djalë të quajtur Kirillov, dhe ai ishte agjent i KGB-së”-thekson më tej ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Babai i Stoltenberg, i cili e kishte njohur Viktor Grushkon, një agjent i KGB-së nën një mbulesë diplomatike në Norvegji, e këshilloi të pranonte çdo takim me agjentët sovjetikë. “Në vitin 1991, kundërzbulimi norvegjez erdhi tek unë dhe më tha:A mund të na ndihmosh që Kirillov të dezertojë? E njihja prej 10 vitesh. Pak ditë më vonë, hëngra drekën time të fundit me të dhe i thashë:Unë të njoh dhe ti më njeh, nëse dëshiron të dezertosh më thuaj. Norvegjia është një vend i bukur, dhe njerëzit tanë do të kujdesen për ty”-rrëfen më tej Stolteberg.
Por Kirillov nuk e pranoi ofertën. Djali i Grushkos, Aleksandri, sot zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, u emërua si ambasador në NATO në vitin 2012. Ai tregoi se kishin luajtur bashkë në shtëpinë verore të Stoltenbergëve, kur baballarët e tyre pinin vodka. Kur u hapën arkivat e KGB-së, Stoltenberg mësoi edhe emrin e tij të koduar: Steklov.
Por arritja ndoshta arritja më e madhe e Stoltenberg si Sekretar i Përgjithshëm, ishte menaxhimi i problemeve që shkaktoi mandati i parë i presidencës së Donald Trump, për të cilën ai u quajt “pëshpëritësi i Trumpit”. “Gjëja e parë që u thashë pjesëtarëve të stafit tim, pas rezultatit të zgjedhjeve në SHBA ishte:Tani të mos bëjmë shaka. Duhet ta trajtojmë presidentin e Shteteve
të Bashkuara me respekt, pavarësisht se nuk biem dakord me të për gjumë gjëra”-kujton ai.
Trump ishte zotuar ta largonte SHBA-në nga NATO, nëse aleatët evropianë nuk “paguanin më shumë” për mbrojtjen që i ofronte Uashingtonit. Ndonëse Stoltenberg e dinte se ky argument ishte i gabuar dhe i rrezikshëm, e pranoi ankesën thelbësore të Trump, sipas të cilës Evropa shpenzonte shumë pak për mbrojtjen e saj.
“Më kujtohet që disa aleatë menduan se ne duhet të heqim mos kishim asnjë raport me Trump për ato 4 vite. Madje disa propozuan të mos mbanim fare samite të NATO-s. Por unë vendosa të bëj të kundërtën:të mbaj marrëdhënie të afërta më presidentin amerikan”-rrëfen Stoltenberg.
Më pas, aleatët nisën të përmbushin udhëzimin e NATO-s për shpenzimin e 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Megjithatë kjo nuk po mjafton. Stoltenberg, ekonomist në profesion dhe i fiksuar pas shifrave, i di përmendësh të dhënat shqetësuese:Evropa ka shumë pak armë, aftësi dhe trupa në gatishmëri të lartë.
“Ne e dimë se sot jemi prapa rusëve. Unë nuk mund t'ju them saktësisht se sa do të kushtojë përgatitja në nivelin e duhur. Por me siguri që për secilin nga vendet anëtare, do të kushtojë më tepër se sa 2 për qind. Dhe rusët e dinë këtë gjë”- deklaron ai. Unë e pyes se si do të përfundojë lufta Ukrainë-Rusi.
“Pas zgjedhjeve në SHBA, do të ketë një nismë të re drejt paqes. Por nuk mendoj se do të jetë e lehtë. Duhet të jetë Ukraina, ajo që vendosë se kur të negociojë. Por ne duhet të krijojmë kushtet që kur ata të ulen me rusët në tryezë, të marrin diçka që është e pranueshme, një formulë që të mbijetojnë si një vend i pavarur”- thotë Stoltengerg.
E pyes se çfarë do t’i propozonte Zelensky në këto momente. Ai refuzon të japë një përgjigje direkte, pastaj bën një krahasim historik. “Finlanda zhvilloi një luftë të guximshme kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1939. Ata i shkaktuan Ushtrisë së Kuqe kosto shumë më të mëdha sesa pritej. Ajo luftë përfundoi me dorëzimin nga Finlanda të 10 për qind të territorit. Por ata e kanë sot një kufi të sigurt”- shton ai.
Megjithatë kjo erdhi me statusin e neutralitetit, derisa iu bashkua me NATO-n vitin e kaluar. Ukraina kërkon anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një temë tabu për Putinin, që kundërshtohet me forcë për momentin edhe nga SHBA-ja dhe Gjermania. Por ish-shefi i NATO-s thotë se historia ka treguar se mund të arrihet një kompromis. “Kur ka vullnet, ekzistojnë edhe mënyrat për ta gjetur zgjidhjen. Por duhet një vijë kufitare që të përcaktojë se ku përdoret Neni 5, dhe Ukraina duhet ta kontrollojë të gjithë territorin deri në atë vijë”- përfundon Stoltenberg./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje