Cesare Casella ishte vetëm 18 vjeç kur u rrëmbye nga një bandë e lidhur me ’Ndranghetën. Pas 743 ditësh në robëri, mes minjve, gjarpërinjve dhe izolimit të plotë, ai arriti të rikthehej në liri.
Në janar të vitit 1988, Cesare Casella ishte një adoleshent 18-vjeçar nga Pavia, me një jetë të zakonshme mes shkollës, miqve dhe pasioneve të rinisë. Por një mbrëmje, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij, gjithçka ndryshoi.
Një makinë i preu rrugën. Burra të armatosur e nxorën me forcë nga automjeti, i lidhën sytë me shirit ngjitës dhe i vendosën armën në kokë. Kështu nisi një nga rrëmbimet më të famshme në historinë e Italisë.
Sot 56 vjeç, sipërmarrësi italian ka vendosur të tregojë historinë e tij në podcastin “Sottoterra. La lunga stagione dei sequestri” të Fondacionit Corriere della Sera.
Pas rrëmbimit, Casella u mbajt për rreth dy javë në një garazh në Buccinasco, pranë Milanos. Më pas rrëmbyesit e transportuan drejt Kalabrisë, në malet e Aspromontes, një nga bastionet historike të mafias kalabreze ’Ndrangheta.
“Kur kërkova kos për të ngrënë, më pyetën: ‘Çfarë është kjo?’. Atëherë kuptova ku kisha përfunduar”, kujton Casella.
Në zemër të maleve, rrëmbyesit kishin hapur një gropë në tokë, të mbuluar me llamarina, dru dhe ferra për të mos u dalluar. Aty ai kaloi pjesën më të madhe të robërisë.
“Flisnin shumë pak italisht. Kishin nivel arsimor pothuajse zero. Ishin njerëz që jetonin në arrati”, rrëfen Casella.
Ai mbahej i lidhur me zinxhir në qafë dhe në kyçin e këmbës. Hapësira ishte aq e vogël sa mezi mund të lëvizte.
“Vendosën një zinxhir në këmbë dhe një në qafë që dilte jashtë strehës. Nuk mund të ngrihesha dhe mezi arrija të ulesha”, tregon ai.
Gjatë dy viteve të robërisë, ai ndryshoi tre herë vendstrehim. I fundit ishte një bunker rreth dy metra me dy metra, i hapur në shpatin e malit.
Përreth kishte vetëm natyrë të egër. “Kam jetuar me minj dhe gjarpërinj. Trupi i njeriut përshtatet me gjithçka. E rëndësishme është që mendja të mbetet e kthjellët”, thotë Casella.
Për të mos humbur kontrollin mbi veten, Casella krijoi një rutinë të përditshme. Bënte ushtrime fizike, lexonte gazetat që i sillnin rrëmbyesit, gatuante vetë dhe përpiqej të ruante higjienën.
“Nuk kisha pastë dhëmbësh. I laja dhëmbët me sapunin e kuzhinës. Instinkti i mbijetesës të bën të gjesh zgjidhje që nuk i ke imagjinuar kurrë”, shpjegon ai.
Një nga momentet më emocionuese ishte kur, në një revistë që rrëmbyesit i kishin sjellë pa e kontrolluar mirë, lexoi një artikull për nënën e tij, Angelina Casella.
Ajo ishte bërë simbol i betejës për lirimin e të birit, duke udhëtuar deri në Kalabri për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të kërkuar ndihmë.
“Kur lexova për të, kuptova se nuk më kishin harruar. E dija se po luftonin që të kthehesha në shtëpi”, kujton Casella.
Sipas tij, fushata e nënës ndikoi edhe tek familjarët e rrëmbyesve. “Edhe ata kishin gra, nëna dhe vajza. Në familjet e tyre filloi të flitej për atë që po ndodhte”, tregon ai.
Kthesa erdhi në fund të vitit 1989, kur gjatë një operacioni të karabinierëve u plagos një nga të kërkuarit kryesorë të grupit kriminal, Giovanni Strangio. Nga spitali ai filloi të bashkëpunonte me autoritetet.
Pak kohë më vonë, rrëmbyesit e njoftuan Casellan se do ta lironin. “Nuk e dija nëse po më çonin në liri apo drejt vdekjes”, rrëfen ai.
Pas orësh të tëra ecjeje nëpër mal, ata e lanë pranë një përroi, të lidhur pas një oleandri. Ai arriti të lirohej dhe nisi të kërkonte ndihmë.
Dy makina nuk ndaluan. E treta pranoi ta ndihmonte. Casella trokiti në shtëpinë e parë që pa me drita ndezur.
“Më hapën derën dhe nisën të qanin. Më futën brenda, më dhanë për të pirë dhe lajmëruan karabinierët”, kujton ai.
Më 30 janar 1990, pas 743 ditësh robëri, Cesare Casella u rikthye në liri. Ai thotë se ajo përvojë i ndryshoi jetën përgjithmonë, por nuk i la urrejtje.
“Sot besoj te karma. Nuk mbaj mëri. Kam zgjedhur të vazhdoj jetën time normale”, përfundon Casella.
Lini një Përgjigje