Presidenti serb tha se udhëtimi ishte organizuar nga njerëz pranë tij për ta bërë më të këndshëm qëndrimin në Tivat, ndërsa mohoi pretendimet për destabilizim dhe minimizoi incidentin diplomatik me Podgoricën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi në Tivat se fluturimi çarter me mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS), të cilëve autoritetet malazeze nuk u lejuan hyrjen në vend, ishte organizuar nga persona pranë tij që dëshironin t’ia bënin më të këndshëm qëndrimin në Mal të Zi, por e cilësoi këtë veprim si një “gabim të madh politik”.
Pas mbërritjes në Tivat për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Vuçiç tha se bashkëpunëtorët e tij kishin dashur t’i krijonin një atmosferë më të mirë gjatë vizitës.
“Ata donin të më siguronin një ambient më të këndshëm, diçka që do të më gëzonte, por kjo rezultoi një gabim i madh politik”, u shpreh presidenti serb.
Ai shtoi se nga 87 personat e kthyer në Serbi, vetëm pesë kishin kaluar nëpër evidencat penale.
“Ky është një mesatare më e ulët sesa në një fluturim të zakonshëm apo edhe në një autobus”, tha Vuçiç.
I pyetur se kush e kishte organizuar fluturimin e diskutueshëm, ai refuzoi të japë emra, duke thënë se bëhet fjalë për një çështje të brendshme partiake.
“Askush nuk kishte qëllime të këqija, por në fund jam unë ai që do të paguaj çmimin politik pa asnjë faj”, deklaroi ai.
Vuçiç hodhi poshtë pretendimet se grupi i kthyer nga autoritetet malazeze kishte qëllime destabilizuese.
“Historitë për destabilizim janë të pakuptimta. Ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Mos shtoni gjëra që nuk kanë ndodhur. Nuk erdhën të armatosur. Nuk kishin armë, asgjë fyese apo të papërshtatshme. Për mua, pankarta ‘Serbia fiton’ është një mesazh i bukur”, tha ai.
Presidenti serb kritikoi mediat për publikimin e të dhënave personale të personave të deportuar, të cilët shërbimet malazeze i cilësuan si persona me interes për sigurinë.
Sipas tij, qëllimi ishte që Serbia të paraqitej si faktor destabilizues në rajon.
Ai shtoi se autoritetet malazeze mund ta kishin shmangur incidentin diplomatik nëse do ta kishin kontaktuar drejtpërdrejt për të diskutuar problemin.
Duke komentuar pretendimet për rrezik ndaj sigurisë së tij gjatë vizitës në Mal të Zi, Vuçiç tha se prej vitesh ekzistojnë informacione se grupe kriminale kanë planifikuar atentat ndaj tij.
“E keni parë edhe në komunikimet e siguruara nga aplikacioni Sky. Krerët e klaneve kriminale nga Mali i Zi kanë kërkuar prej kohësh që dikush të paguhej për të më vrarë. Nuk ka asgjë të re këtu”, deklaroi ai.
Sipas Vuçiçit, pas këtyre planeve qëndrojnë drejtues të klaneve kriminale malazeze, përfshirë persona të përmendur më herët në hetimet e autoriteteve serbe.
Ai pranoi gjithashtu se marrëdhëniet politike mes Beogradit dhe Podgoricës janë të tensionuara.
“Kur ekzistojnë tensione politike, shpesh të panevojshme, mes Podgoricës dhe Beogradit, secila palë përpiqet të fajësojë tjetrën. Të gjithë duhej të ishim më racionalë dhe më të kujdesshëm. Por kur fillojnë akuzat, atëherë nuk ka fund. Ndërsa kriminelët do të bëjnë punën e tyre, sepse ky është zanati i tyre”, tha Vuçiç.
Megjithatë, ai vlerësoi reagimin e komunitetit serb në Mal të Zi ndaj vizitës së tij dhe tha se Serbia do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie miqësore me qytetarët e saj atje, pavarësisht asaj që e quajti “luftë hibride” nga establishmenti politik dhe mediatik në Podgoricë.
Lini një Përgjigje