Një koalicion prej 11 shtetesh europiane po kërkon shtrëngimin e rregullave për lëshimin e vizave turistike për shtetasit rusë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe sezoni veror i pushimeve po afron.
Nisma është udhëhequr nga Suedia dhe mbështetet nga Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, si dhe Islanda e Norvegjia. Vendet i janë drejtuar me një letër të përbashkët shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe Komisionerit për Punët e Brendshme, Magnus Brunner.
Ministri suedez për Migracionin dhe Azilin, Johan Forssell, tha se synimi i iniciativës është të kufizohen udhëtimet turistike të rusëve në Bashkimin Europian.
“Ajo që dua të arrij është shumë e qartë. Dua që të mos ketë më fundjava blerjesh. Nuk dua më udhëtime të shtrenjta në Europë, ndërsa ukrainasit vdesin në fushën e betejës”, deklaroi ai para takimit të ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në Luksemburg.
Në letër, vendet nënshkruese argumentojnë se zbatimi i ndryshëm i rregullave të vizave nga shtetet anëtare po krijon pabarazi dhe po dobëson qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
“Zbatimi i pabarabartë i këtyre udhëzimeve në të gjitha shtetet anëtare lë shumë për të dëshiruar, pasi i mungon si solidariteti ashtu edhe qëndrueshmëria. Gjithashtu rrezikon t’i vendosë shtetet anëtare në pozicione të pabarabarta ekonomike”, thuhet në dokument.
Sipas nënshkruesve, praktikat e ndryshme për lëshimin e vizave mund të krijojnë edhe rreziqe sigurie për zonën Shengen. Për këtë arsye, ata kërkojnë vendosjen e kufizimeve të reja detyruese, monitorim më të fortë të zbatimit të rregullave ekzistuese dhe krijimin e një mekanizmi për identifikimin e ish-ushtarakëve rusë.
Çështja u diskutua gjatë takimit ministror të së enjtes në Luksemburg, megjithëse nuk ishte pjesë zyrtare e axhendës. Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim, por vendet nismëtare po kërkojnë që institucionet europiane të paraqesin propozime konkrete për vijimin e debatit.
Lini një Përgjigje