Pas presidentit Trump dhe Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, para mediave doli gjenerali Dan Caine, oficeri më i lartë i Forcave të Armatosura të SHBA, i cili zbuloi përmasat reale të operacionit më kompleks ushtarak në hemisferën perëndimore në dekadat e fundit.
Në një deklaratë të detajuar, gjenerali Caine tha se punimet ndërinstitucionale për këtë ofensivë kishin nisur prej muajsh, dhe kishin ndërtuar mbi dekada përvoje në integrimin e operacioneve ajrore, tokësore, detare dhe hapësinore.
“Ky ishte një operacion i planifikuar me përpikmëri, ku CIA, NSA dhe Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) bashkëpunuan ngushtë për të ndërtuar një strukturë ndërveprimi të patëmetë,” deklaroi Caine.
Ai bëri të ditur se më shumë se 150 avionë u hodhën në veprim njëkohësisht nga pika të ndryshme të hemisferës perëndimore, në një operacion të sinkronizuar me precizion ekstrem, me një qëllim të vetëm: futjen e një force ndërhyrëse në zemër të Karakasit duke ruajtur surprizën taktike.
“Dështimi i një komponenti të vetëm do të rrezikonte gjithë misionin dhe për forcat e përbashkëta amerikane, dështimi nuk është kurrë një opsion,” deklaroi me tone të ashpra gjenerali Caine.
Deklarata e tij konfirmon qartë se ndërhyrja në Venezuelë nuk ishte reagim i menjëhershëm, por pjesë e një strategjie të gjerë të ndërtuar me mjeshtëri, ku janë përfshirë të gjitha nivelet e aparatit të sigurisë kombëtare të SHBA.
Lini një Përgjigje