
Në vazhdim të deklaratave të tij për mediat, presidenti Donald Trump ka zbuluar një nga qëllimet kryesore pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë: shfrytëzimin strategjik të industrisë së naftës.
Duke folur nga Mar-a-Lago, Trump theksoi se kompanitë më të mëdha të naftës në SHBA do të hyjnë në Venezuelë për të investuar miliarda dollarë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar, që ai e përshkroi si “katastrofike” pas dekadash nën regjimin chavist.
“Do të fusim kompanitë tona të mëdha të naftës, më të mëdhatë në botë. Ato do të shpenzojnë miliarda për të rregulluar infrastrukturën e dëmtuar rëndë të naftës dhe do të fillojnë të gjenerojnë para për vendin,” deklaroi Trump.
Ky pohim, i bërë hapur dhe pa rezerva, përforcon zërat që ndërhyrja e SHBA-së në Venezuelë ka pasur një komponent të qartë ekonomik dhe energjetik, përveç aspektit politik dhe të sigurisë.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, por prodhimi i saj është rrënuar nga dekada keqmenaxhim, korrupsion dhe sanksione ndërkombëtare. Trump nënvizoi se pas largimit të Maduro-s, vendi do të hapet për investime amerikane me qëllimin për ta kthyer industrinë e energjisë në “motor të zhvillimit ekonomik dhe të rindërtimit institucional”.
Deklarata përbën një pranim të drejtpërdrejtë se nafta është pjesë e qendrës së strategjisë së SHBA-së në Venezuelë, dhe se kontrolli i saj do të jetë thelbësor për periudhën e tranzicionit që do të menaxhohet nga Washingtoni.
Lini një Përgjigje