TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Janar 2026, 17:48

Trump: SHBA do të drejtojë Venezuelën derisa të sigurohet një tranzicion i sigurt

Shkruar nga Pamfleti
Trump: SHBA do të drejtojë Venezuelën derisa të sigurohet
Donald Trump

Presidenti amerikan konfirmon kontrollin e përkohshëm të vendit pas rrëzimit të Maduro-s, duke përjashtuar kalimin e menjëhershëm të pushtetit

Presidenti Donald Trump ka bërë të qartë gjatë konferencës së tij për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e drejtpërdrejtë të Venezuelës, pas sulmit ushtarak që çoi në rrëzimin dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s.

Ne do të drejtojmë vendin derisa të jemi të sigurt se mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të matur,” deklaroi Trump para gazetarëve, duke shtuar se SHBA nuk dëshiron të përsërisë gabimet e së kaluarës duke lejuar që pushteti të kalojë tek “dikush tjetër që do të sjellë të njëjtin regjim.”

Presidenti theksoi se synimi nuk është të instalohet menjëherë një qeveri e re vendase, por që procesi të kontrollohet nga Uashingtoni deri në garantimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend.

Kemi parë çfarë ka ndodhur për shumë vite me radhë në Venezuelë, dhe nuk mund të lejojmë të ndodhë sërish. Prandaj, ne do të drejtojmë vendin, me përgjegjësi dhe forcë, derisa të vijë momenti për një tranzicion të qëndrueshëm”, tha Trump.

Kjo deklaratë forcon sinjalin e qartë se SHBA ka marrë jo vetëm përgjegjësinë për rrëzimin e regjimit të Maduro-s, por edhe për fazën pasuese të qeverisjes, duke vendosur Venezuelën nën administrim të përkohshëm amerikan.

Në këtë fazë, nuk është sqaruar ende se çfarë forme do të ketë ky “menaxhim i përkohshëm” i shtetit venezuelan, as se sa do të zgjasë, por burime nga Departamenti i Shtetit kanë paralajmëruar një strukturë kalimtare të mbështetur nga forca ndërkombëtare dhe aktorë të opozitës së besueshme.

trump venezuela

Lini një Përgjigje