
Në mbyllje të konferencës së jashtëzakonshme për shtyp, presidenti Donald Trump ka dhënë mesazhin më të fortë politik dhe ideologjik lidhur me ndërhyrjen ushtarake që çoi në rrëzimin e Nicolás Maduro-s dhe vendosjen e kontrollit amerikan në Venezuelë.
“Jemi duke riafirmuar fuqinë amerikane në mënyrë shumë të fuqishme, në rajonin tonë, në shtëpinë tonë”, tha Trump, duke i referuar kështu Hemisferës Perëndimore si sferë e natyrshme e ndikimit të SHBA-së.
Në një përplasje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë e Maduro-s, Trump deklaroi se “ky njeri nuk do të jetë më kurrë në gjendje të kërcënojë një qytetar amerikan apo ndokënd në Venezuelë.” Ai akuzoi regjimin chavist për një strategji kriminale të eksportimit të kriminelëve dhe trafikantëve të drogës drejt SHBA-së, duke thënë se “ata boshatisën burgjet dhe dërguan njerëzit më të dhunshëm dhe më të rrezikshëm për të vjedhur jetë amerikane. Por kjo nuk do të ndodhë më.”
Trump përsëriti gjithashtu akuzën se Venezuela “vodhi naftën amerikane”, duke pretenduar se ishin kompanitë amerikane ato që ndërtuan industrinë e energjisë në këtë vend, por më pas u përjashtuan dhe u grabitën nga regjimi chavist.
Duke u ndalur në bazën ideologjike të këtij veprimi, Trump e lidh ndërhyrjen me Doktrinën Monroe, një doktrinë thelbësore e politikës së jashtme amerikane që daton që prej vitit 1823 dhe që synonte të pengonte ndërhyrjet europiane në Amerikën Latine. “E kishim harruar paksa, por ishte shumë e rëndësishme. Tani po e rikthejmë.”
Në mbyllje, ai deklaroi me një ton ceremonial: “Diktatori dhe terroristi Maduro është larguar më në fund, dhe populli venezuelan është i lirë. Janë sërish të lirë. Ka kaluar shumë kohë për ta, por tani janë të lirë. Amerika është më e sigurt këtë mëngjes, dhe Hemisfera Perëndimore është sot një vend shumë më i sigurt për të jetuar.”
Kjo deklaratë finalizon qëndrimin e ri të Shteteve të Bashkuara për një hemisferë të dominuar qartazi nga Uashingtoni, ku ndërhyrjet ushtarake dhe ekonomike justifikohen si pjesë e një politike rajonale të rivendosur pas dekadash mosveprimi.
Lini një Përgjigje